Shkojnë për gjah, shoku vret aksidentalisht shokun e tij

0
188

Vritet aksidentalisht një i ri, teksa ishte duke gjuajtur së bashku me shokun e tij një lepur në zonën e Baldushkut në Tiranë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesnatën e djeshme, kur shtetasit Guido Neziri dhe Rigers Kukli kanë marrë çiftet dhe kanë shkuar për të gjuajtur në pyll, por teksa ishin duke ndjekur një lepur, shtetasi Neziri ka qëlluar disa herë me çifte dhe për pasojë ka vrarë aksidentalisht shokun e tij, Rigers Kukli. Ky i fundit për shkak të plagëve të marra nga saçmat, ka humbur jetën në spital, ndërkohë që fill pas kësaj Guido Neziri ka shkuar në komisariatin nr. 2, ku është vetëdorëzuar. Në vendngjarje kanë shkuar ekspertët të policisë, të cilët kanë bërë sekuestrimin e gëzhojës si dhe në cilësinë e provës materiale, është sekuestruar dhe arma e krimit tip çifte. Gjatë marrjes në pyetje Guido Neziri ka treguar të gjithë skenën e vrasjes, duke pretenduar se e kishte vrarë shokun e tij nga pakujdesia dhe jo qëllimisht. Nisur nga kjo dëshmi, por edhe nga veprimet e tjera hetimore, policia u bind se vrasja e Kuklit ishte aksidentale dhe për pasojë referoi materialet në prokurori për akuzën e vrasjes nga pakujdesia.