Nata para provimit është për të mësuar, Stendardo lë ndeshjen për avokatinë

0
169

Altin Vorpsi

Kërkon të diplomohet si Bogu dhe Kielini. Për momentin sulmuesi shqiptar dhe mbrojtësi italian janë të vetmit lojtarë në Serinë A që janë të diplomuar. Shembullin e tyre ka tentuar që të marrë edhe Stendardo. Mbrojtësi i Atalantës, që aspiron të bëhet avokat, preferoi që të hiqte dorë nga ndeshja mes Romës dhe Atalantës, pasi kishte për të mësuar.

Në Itali ka ndodhur diçka shumë e rrallë. Një futbollist nuk u është përgjigjur detyrave që ka në klub, pasi kishte një provim për të marrë. Gjithçka ndodhi dy net më parë, kur skuadra e Atalantës, në ndeshjen që luajti ndaj Romës për Kupën e Italisë, hoqi dorë prej mbrojtësit Gulielmo Stendardo pa dëshirën e saj. Qendërmbrojtësi nuk pranoi që të zbriste në fushë, pasi donte të përgatitej për një provim, duke qenë se aspiron të bëhet avokat. Por, një vendim i tillë nuk është pritur mirë nga tekniku Kolantuono, i cili pas tre golave që mori në fushë, ka ndërmend që të gjobisë 31-vjeçarin. Stendardo udhëtoi drejt Salernos për të dhënë një provim treditor (të martë, të mërkurë dhe të enjte).

 

I treti

Në Serinë A të paktë janë ata lojtarë që janë diplomuar. Ata mund të numërohen me gishtat e një dore. Njëri është mjaft i njohur për Shqipërinë, pasi quhet Erion Bogdani (luan për Sienën). Ndërkohë, i dyti është Xhorxho Kielini. Mbrojtësi i Juves së bashku me bomberin tiranas i përkasin “një klubi” të vogël, i cili shumë shpejt pret edhe një tjetër anëtar… gjithmonë nëse Stendardo do të ketë mësuar natën e sfidës Roma-Atalanta. Fakti që ka shumë futbollistë të padiplomuar nuk është i veçantë. Një sportist që të arrijë në nivelet më të larta, i duhet që të stërvitet për shumë orë në ditë, madje edhe të transferohet në disa qytete të ndryshme. Kështu, ndjekja e studimeve bëhet pothuajse e pamundur.

 

Reagimi i Kolantuonos

Vendimi i marrë nga Stendardo nuk i ka pëlqyer trajnerit të Atalantës. Pas sfidës që humbi në Romë, Stefano Kolantuono u shpreh për këtë argument për mikrofonat e “Skysport24” se kjo “është një çështje delikate”. Më tej numri një i skuadrës bergamaske tha: “Rastësia deshi që provimi të jepej në këtë javë të rëndësishme për skuadrën tonë, që përveç Romës i duhet të përballet edhe me Juven. Ka disa rregulla. Ne jemi në dispozicion të Atalantës, pasi jemi profesionistë të paguar shumë mirë. Në disa raste mund të mbyllim një sy, siç ka ndodhur edhe më parë me Stendardon, por kësaj here çështja është delikate. Sa i përket penalizmit, unë mund t’ju them se ai mban përgjegjësi për vendimet që merr vetë. Nuk mund të lejojmë që të krijohen precedentë të rrezikshëm. Është e vërtetë që ky provim nuk jepet çdo ditë, por jepet vetëm një herë në vit. Shpresoj që Stendardo të vazhdojë të luajë futboll deri kur të ketë qejf. Ai nuk e ka të nevojshme që tani të bëhet avokat”.

 

 

Reagon kreu i Komitetit Olimpik Italian

Në ndihmë të Gulielmo Stendardos ka ardhur edhe kreu i Komiteti Olimpik Kombëtar Italian, Xhani Petruçi. “A mund të dënohet një djalosh vetëm se shfrytëzoi një të drejtë të vetën? Futbollin po e marrin shumë seriozisht. Si mund të thuhet që ekziston një kontratë, kur një person shkon që të japë provimet. Unë mendoj se kontrata është, por duhet të ekzistojë edhe bonsensi. Përpos këtyre gjërave, them se ky djalosh meriton një duartrokitje, pasi kërkon të diplomohet”, – tha Petruçi. Stendardo la Bergamon, pasi shkoi në Salerno për të dhënë një provim. Për këtë fakt ai do të gjobitet dhe me shumë mundësi nuk do të ftohet nga Atalanta edhe në sfidën e radhës, atë ndaj Juves. Sa i përket KONI-t, presidenti i këtij institucioni i bëri edhe një thirrje bosit të Atalantës: “E njoh shumë mirë presidentin Perkazi dhe i bëj thirrje që të kalojë gjithçka. Duhet të jemi korrekt dhe të qetë”.