Zhduket në rrethana misterioze një person 66-vjeçar, i cili kishte pak ditë që kishte fituar lirinë nga burgu, ku vuajti dënimin me 20 vjet heqje lirie. Fisnik Spahiu ka humbur kontaktet me njerëzit e afërm të shtëpisë që nga dita e shtunë e javës së kaluar dhe se ende dhe sot nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e tij. 66-vjeçari, banues në Tiranë në rrugën “Mujo Ulqinaku”, rezulton i humbur, ndërsa të afërmit e tij kanë kërkuar ndihmën e policisë së Tiranës për fillimin e hetimeve me qëllim gjetjen e tij. Denoncimi është bërë nga e motra, e cila kujdesej për të vëllanë e saj, Fisnik Spahiun, pas daljes së këtij të fundit nga burgu. Policia ka nisur kërkimet për të moshuarin, i cili është kërkuar në spitalet e kryeqytetit e në disa adresa të tjera të mundshme, ku sipas tyre, ai shkonte vazhdimisht. Pavarësisht kërkimeve të policisë, burri i moshuar nuk është gjetur as në spitale dhe as në ambientet e tjera të dyshuara. Kërkime janë kryer edhe në disa lokale por dhe në zonën e Liqenit Artificial, por që nuk ka pasur asnjë gjurmë që do të çonte në gjetjen e vendndodhjes së të moshuarit. Gjatë denoncimit në komisariatin nr. 2, të afërmit kanë treguar se Spahiu ishte tip i mbyllur dhe se nuk kishte shokë apo miq ku të mund të ishte larguar pa dijeninë e tyre. Ngjarja bëhet akoma më misterioze, për faktin se Spahiu sapo ka dalë nga burgu, ku kishte shlyer dënimin me 20 vjet, për veprat penale “Vrasje mbetur në tentative”, si dhe “Plagosje të rëndë”. Pas lirimit nga burgu, Spahiu jetonte i vetëm në një banesë në rrugën “Mujo Ulqinaku”. Lidhur me zhdukjen e tij, policia është duke verifikuar edhe mundësinë e një hakmarrje të mundshme dhe se për këtë është kërkuar marrja në pyetje e anëtarëve të familjes që Spahiu i ka plagosur disa vite më parë njeriun e tyre. Zhdukja e 66-vjeçarit vjen në një kohë që prej së premtes më 30 nëntor, në polici është denoncuar një tjetër zhdukje e mistershme në Tiranë, ajo e 10-vjeçarit Julian Çela, djali i nëndrejtorit të Antiterrorit në Shërbimin Informativ Shqiptar.