Durrës, vdes në aksident poeti Perikli Jorgoni

0
199

Viktima që është gjendur i pajetë në autostradën Tiranë-Durrës, është poeti i njohur Perikli Jorgoni i moshës 76-vjeçare. Aksidenti ka ndodhur pranë mbikalimit të Fllakës, 6 km larg nga qyteti i Durrësit. Sipas policisë së Durrësit, Ermal Taruca, duke udhëtuar me mjetin e tij tip “Toyota”, me targa EJA 5521, ka përplasur për vdekje 76-vjeçarin. Ai u shoqërua në polici për të dhënë detaje për ngjarjen. Pas ngjarjes, ndaj të arrestuarit është ngritur akuza e “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”. Ndërkohë, i ndjeri Jorgoni përgjatë gjithë jetës së tij karakterizohej si një person krijues në letërsi, i shumanshëm dhe një përkthyes me talent të spikatur, kryesisht të poezisë botërore duke lënë një trashëgimi të vyer për brezat e ardhshëm. Nisur nga krijimtaria e tij e shumtë në letërsi, Ministria e Kulturës ka vendosur që homazhet për nder të artistit që humbi jetën nga një aksident fatal, të zhvillohen ditën e premte pranë ambienteve të Teatrit Kombëtar në Tiranë.