“Kur kolonia shqiptare këndonte himnin drejtuar nga rumuni, “I bujshmi Kiriak”

0
236

 Dr. Hysni Hoxha

Në rastin e 100-vjetorit të pavarësisë, botimet “Faik Konica”, Prishtinë nxjerrin botimin e dr. Hysni Hoxha “Simbolet kombëtare”, një libër që merret në detajet e simboleve tona, si himnin, flamurin dhe autorët që kanë ngritur debatet mbi to. Autori për “standard” lejon botimin ekskluziv si Lasgush Poradeci shkroi për gjenezën e historisë së himnit tonë kombëtar, referuar “Himni kombëtar ‘Flamuri pranë të bashkuar’ dhe gjeneza e tij”, Tiranë, 18 qershor l943

 

Poeti ynë modern, Lasgush Poradeci në studimin e tij “Himni kombëtar ‘Flamuri pranë të bashkuar’ dhe gjeneza e tij” (Tiranë, l8 qershor, l943) në mënyrë reale dhe me admirim flet për veprimtarinë kulturore dhe artistike të Kolonisë së Bukureshtit, e cila sipas këtij autori, ka qenë “veterania e veteraneve e shquar si pishtare e vërtetë e përhapjes kulturore jashtë dhe brenda Shqipërisë.” Në kuadër të kësaj kolonie kanë zhvilluar veprimtarinë e tyre: Nikoll Naço – Korça, themelues i Shoqërisë të Mësimit Shqip “Drita”, Vasil Zografi, Marko Qiriazi, Jani Danga, Harallamb Çalamani dhe veprimtarë e intelektualë të tjerë. Siç vërehet nga studimi i Lasgush Poradecit, një rol të rëndësishëm për zgjimin dhe ngritjen e ndërgjegjes sonë kombëtare ka luajtur Kisha e Komitetit Ortodoks Shqiptar, e cila predikonte meshën në gjuhën shqipe sipas përkthimit nga greqishtja të Fan Nolit. Më 1907 është themeluar Kori Shqiptar Kishtar “nga të rinjtë dhe më të rinjtë” mërgimtarë atdhetarë shqiptarë në Bukuresht, të cilët nëpërmjet këngëve shfaqnin mallin e pashuar ndaj Shqipërisë dhe ndjenjat revolucionare për çlirimin e Shqipërisë nga sundimi i Perandorisë Osmane. Anëtarët e parë të Kolonisë së Bukureshtit zgjodhën si profesor dhe drejtor të korit muzikantin e madh rumun, “të bujshmin Kiriak”, profesor në Konservatorin e Muzikës dhe Artit Dramatik të Bukureshtit. Në Shoqërinë “Bashkimi”, në kuadër të së cilës zhvillonte veprimtarinë Kolonia e Bukureshtit, u këndua për herë të parë, para publikut, marshi i Asdrenit: “Ejani sot, o Shqipëtarë” nën dirigjimin e profesorit Kiriak. Për rëndësinë e këtij marshi ja ç’ thotë Lasgushi: “…Dhe përshtypja dhe dobija patnë qenë nga më të mirat, nga më të përshtaturat me bujën dhe propagandën që shkakëtuan rreth çështjes kombëtare”. Autori i këtij studimi marshin e Asdrenit e konsideron paravajtje të himnit tonë kombëtar. Në sajë të përkrahjes së jashtëzakonshme të krijuesve të artit muzikor rumun, të profesorëve Kiriak dhe Jonesku, u rrit ajo dëshirë e zjarrtë, e ndrydhur dhe e heshtur dekada të tëra në zemrat e mërgimtarëve tanë dhe u shndërrua në flakë atdhetare për krijimin e himnit tonë kombëtar, në Bukuresht, gjatë asaj kohe, kur Shqipëria katandisej nën zgjedhën e sundimit otoman. Në repertorin e Korit Kishtar Shqiptar, në Bukuresht, anëtarët e korit që ishin nxënës shqiptarë, përveç këngëve korale shqipe, mësonin edhe këngë popullore rumune si edhe marshe.

Çastet e paralindjes dhe të lindjes së himnit tonë kombëtar Poradeci i ka përjetuar thellë dhe i ka evokuar në mënyrë reale dhe joshëse. Janë çaste të paharrueshme dhe tejet emocionuese të përshkrimit të natyrës ngazëlluese “të të rinjve dhe më të rinjve” të korit kur himnin po e përgatitnin të dilte në dritë. Për këtë ngjarje të madhe historike, që ndodhi në dhe të huaj, në Bukuresht, në shtetin mik rumun, Lasgushi i frymëzuar shkruan: “Doli ashtu vetvetiu, papritur, pa dashur siç del një fjalë ose një dëshirë nga zemra, kur zemra është plot. Ka lindur në mënyrën më të thjeshtë nga gjindja e shqiptarëve të robëruar dhe të mërguar në vend të huaj.”

Veprimtaria kombëtare e mërgimtarëve tanë ka qenë e vetëmohueshme. Për ta njohur himnin dhe përhapur atë në trevat e Shqipërisë, zgjodhën Korçën, qendrën e atdhetarëve të devotshëm, prej së cilës kanë dalë intelektualë të shquar, që kanë luftuar për atdhe. Himnin nga Bukureshti, e sollën: Tashko Ilo dhe Hilë Mosi më l907 që të valojë në Shqipëri. Lasgush Poradeci dërgimin e Hilë Mosit në Shqipëri e arsyeton me faktin “sepse Hilë Mosi që në atë kohë qe patrioti më i shënjuar që të plotësojë një detyrë aq të lartë po edhe aq të mbushur me vështirësi siç ishte përhapja e himnit”. Për trimërinë e Hil Mosit me admirim ka kënduar Gjergj Fishta në “Lahuta e Malcis.”

 

Po ç’ndodhi me himnin tonë kombëtar, që është huazuar nga himni rumun?

 

Komisioni Qendror për Kremtimi e 25-vjetorit të Vetëqeverimit, me pëlqimin e Këshillit Ministror, vendosi që të ndërrohej himni me këtë arsyetim: “Pas bisedimeve të shumta që rrodhën në Komisjonin qendruer për kremtimin e 25-vjetorit të Vetqeverimit dhe pas shpjegimevet të disa misave të këtij Komisjoni që dijnë mirë letërsin rumune, u konstatue se Himni i sotëm i Flamurit asht fjalë për fjalë përkthimi i nji marshi rumun dhe gjithashtu melodia e tij asht nji kopjim i plotë i muzikës rumune”. Anëtarët e këtij komisioni,që i kemi përmendur më parë, nën kryesin e zojushës Parasqevi Kyrias, ishin: krijues dhe atdhetarë të devotshëm të kombit tonë.

Lasgush Poradeci ka qenë anëtar i komisionin që përmendëm. Një kohë të gjatë nuk ka folur si janë zhvilluar diskutimet gjatë mbledhjeve të shumta, që janë mbajtur lidhur me këtë çështje delikate dhe tejet të rëndësishme. Shumë më vonë, në studimin e tij, që përmendëm ai e kundërshton mendimin e Komisjonit Qendruer për një himn të ri kombëtar. Kjo ndodhi pas bisedave të tij me veteranin rilindës, Kolë Rodhen, pas mbarimit të mbledhjes së parë të komisionit. Ankesat e njëpasnjëshme të Kolë Rodhes që zgjatën plot një muaj, aq sa zgjatën edhe mbledhjet e Komisjonin Qëndruer, Lasgushit i tingëllonin,,posi nji refren shumë i dhimbshëm prej atdhetari” kur Kola i thoshte: “Ne jemi rritur, kemi vojtur, jemi vrarë me këtë himn, na ka hyrë ai që të gjithëve në zemër – si mund t’u ndryshuaka ai tani?”. Këto ishin fjalët e Kolë Rodhes, i cili mbronte himnin ekzistues të kombit tonë. Mirëpo, arsyeja kryesore që Rodhja kundërshton ndryshmin e himnit, sipas Poradecit, është fryma shqiptare e himnit. Në atë kohë Rodhja ka reaguar në “Gazetën e Korçës”. Kundër ndryshimit të himnit ka qenë edhe Branko

Merxhani në të përkohshmen “Përpjekja Shqiptare”.

Lasgush Poradeci, pa përmendur ndonjë emër, i kritikon ata që mohojnë frymën shqiptare të himnit. Sipas këtij autori përgjigjen për të hequr dyshimin nga “padia mi frymën shqiptare e ofron vet teksti poetik i Asdrenit”. Sipas Lasgushit kjo “është frymë e futur me shumë thjeshtësi, me shumë mjeshtëri, me shumë bukuri në çdo strofë të himnit, qofshin ato në shembëllën rumune ose në konceptin shqiptar”.

Lasgushi e përdor shpeshherë formulimin fryma shqiptare. Vetëm në faqen 125 përdoret pesë herë. Duhet theksuar se këtë trajtë së pari e ka përdorur Asdreni, i cili gjatë bisedës Lasgush Poradecit i ka thënë:.”Unë e bëra vjershën që t’i shërbejë qëllimit atdhetar duke e përafruar me fjalët e origjinalit rumun në disa vargje të mija në frymë shqiptare”.

Lasgushi ka bërë në mënyrë të detajshme krahasimin e dy himneve, që po i paraqesim:

 

MI FLAMURIN T’ONË

Ioan Barsan

Mi flamurin t’onë është shkruar bashkim,

Bashkim në vetëdije dhe në ndjenja,

Dhe nënë hijen e tij të madhërishme

Do përballim çdo goditje.

Në luftën e rëndë trembet ay,

Që vetë është mëndje – arratisur,

Po ne të bashkuar në çdo kohë

Do jemi, do jemi mundës.

E armatosmë dorën t’onë

Që të mpruajmë një vënd të shtrenjtë,

E drejta jonë është zotëronjëse,

Dhe qëllimi ynë i shenjtë.

Dhe në librën e përjetësisë shkruan

Se shumë kombe do humbasin,

Po Rumanija jonë e shtrenjtë

Përjetë, përjetë do lulëzojë.

BETIMI MI FLAMUR

Asdreni

Rreth flamurit të përbashkuar

Me një dëshirë-e një qëllim,

Të gjith’ atij duk’ ju betuar

Të lidhim besën për shpëtim.

Prej lufte veç ay largohet

Që është lindur tradhëtor,

Kush është burrë nuk frikohet,

Po vdes, po vdes si një dëshmor!

Në dorë armët do t’i mbajmë,

Të mprojmë-atdhenë më çdo kënt,

Të drejtat t’ona ne s’i ndajmë;

Ketu armiqtë s’kanë vënt.

Se Zoti vet tha me gojë

Që kombe shuhen përmi dhe,

Po Shqipërija do të rrojë;

Për të, për të luftojmë ne!

O flamur, flamur, shënjë- e shenjtë

Tek ty betohemi këtu

Për Shqipërinë atdhen’ e shtrenjtë,

Për nder’ edhe lavdimn’ e tu.

Trim burrë quhet dhe nderohet

Atdheut kush iu bë theror;

Për jet’ ay do të kujtohet

Mi dhet, mi dhet si një shenjtor.

Gjatë këtij krahasimi Lasgushi konstaton: “Vetëm tre vargje të plota dhe dy të tetat e dy vargjeve të tjera janë përkthyer shqip drejt-për-drejt me fjalë përgjigjëse, vargjet e mbetura jashtë këtyre, domethënë pesë ndër trembëdhjetë, duke qenë të shkrira në lokalizim ose të përshtatura brenda ndjenjësisë dhe mendimësisë së posaçme shqiptare”. Mandej autori shton: “Pothuajse krejt gjysma e poezisë rumune: dy strofa pa nji varg nga të katërtat që e përbëjnë, kanë humbur fare”.

Siç vërehet qartë nga analiza e Lasgushit, tekstin e Asdrenit e përshkon thellë fryma shqiptare. Mirëpo, në këtë rast, siç do të shohim, kjo komponentë nuk e zgjith çështjet e origjinalitet të himnit tonë kombëtar.

Gjatë krahasimit të himnit tonë me atë rumun, nuk kam hasur asnjë varg të përkthyer drejtpërdrejt. Përkthimi që ka bërë Asdreni është mjaft i lirë. Si i tillë mund të konsiderohet shqipërim kreativ i tekstit. Poeti rumun, Ioan Barsan himnin e ka titulluar “Mi flamurin tonë”, ndërsa titulli i tekstit të Asdrenit është “Betimi mi flamur”, (“Ëndra e lotë”, Bukuresht, 1912.). Flamuri në vargjet e poetit rumun është simbol i bashkimit. Një kuptim të tillë figurativ ka edhe në vjershën e Asdrenit. Mirëpo, qëllimi simbolik i këtyre dy flamujve është i ndryshëm. Himni origjinal ka për qëllim mbrojtjen e Rumanisë nga agresioni eventual. Ndërsa qëllimi i himnit tonë është çlirimi i Shqipërisë me luftë nga sundimi i Perandorisë Osmane. Synime të tilla të larta për çlirimin kombëtar të Shqipërisë, janë shfaqur edhe më parë në poezinë revolucionare të Asdrenit. Fjalën shpëtim, në fund të strofës së parë, Asdreni e ka përdorur shumë më herët në vjershat: “Flamuri kombëtar”, “Zëri i Flamurit” ku fjala poetike shndërrohet në kushtrim për çlirim kombëtar.

Lasgush Poradeci duke krahasuar tekstin e Asdrenit me tekstin rumun thotë: “Betimi është një koncept dhe nji akt dhe fakt etnikërisht shqiptar, vetëm shqiptarët, vetëm kryengritësit e çetave të Rilindjes shqiptare kishin betim, betimin që për ta në atë kohë ishte, siç kuptuam, parolla vepronjëse përhapur përgjithërisht.”

Në himnin “M’i flamurin tonë” të poetit rumun, Ioan Barsan nuk përmendet fare fjala betim, siç ndodh në tekstin e Asdrenit. Mirëpo në të dy himnet, betimi si akt solemn i madhërishëm, është i pranishëm pranë flamurit, simbolit të shenjtë kombëtar. Edhe atdhetarët rumunë edhe atdhetarët shqiptarë, në rrethana të ndryshme shoqërore politike, betohen pranë flamurit për ideale të larta kombëtare. Poeti rumun në strofën e parë këndon: “Dhe nën hijen e tij të madhërishme/ Do përballin çdo goditje.” Hija e madhërishme është hija e flamurit, pranë të cilit betohen atdhetarët rumunë. Ndërkaq, Poradeci ka plotësisht të drejtë kur konstaton: “ Vetëm në frymën e himnit të Asdrenit lidhet besa shqiptare të cilin himni rumun as e njeh…”

Besa shqiptare, si kod etiko-kombëtar, ngërthen në vete virtyte të larta kombëtare: besimin, nderin, burrërinë, sinqeritetin, sakrificën për bamirësi, sakrificën për ideale të larta kombëtare. Betimi pranë flamurit tonë kombëtar bëhet duke dhënë besën shqiptare për të realizuar idealin më të lartë kombëtar- çlirimin e atdheut me luftë vendimtare kundër zgjedhës otomane dhe armiqve të tjerë.

Asdreni prej strofës së dytë të himnit rumun ka përkthyer vetëm vargun e parë, i cili ka këtë trajtë: “Në luftën e rëndë trembet ay.” Përkthimi i Asdrenit është bërë në nëntërrokësh: “Nga lufta veç ay largohet”. Tre vargjet tjera të kësaj strofe, ndryshojnë rrënjësisht nga origjinali i poetit rumun, Ioan Barsan. Mirëpo, ndjenja e optimizmit revolucionar ndihet te të dy himnet. Në himnin rumun evokohet gatishmëria për ta mbrojtur Rumaninë nga armiku eventual, me fuqinë e bashkuar kombëtare. Ndërkaq, në tre vargjet e Asdrenit evokohet burrëria si virtyt i lartë i atdhetarëve shqiptarë në luftë për çlirimin e Shqipërisë së robëruar.

Në strofën e tretë të tekstit rumun vargu i parë është: “ E armatosmë dorën t’onë” Ndërsa dy vargjet vijuese: “Që të mbrojmë një vend të shtrenjtë,/ E drejta jonë është zotëruese,” i hasim në një trajtë të lire të përkthimit. Dy segmentet e para i vërejmë të përkthyera, ndërsa segmentet e dyta janë ndryshuar për të qenë në funksion të synimit atdhetar. Vargu i fundit i strofës së tretë të vjershës së Asdrenit: “Këtu armiqtë s’kanë vënd,” është revoltë për të shporrur pushtuesin njëherë e përgjithmonë nga Shqipëria. Si i tillë ai ndryshon rrënjësisht nga vargu me të cilin përfundon strofa e tretë e himnit të poetit rumun: “Dhe qëllimi ynë i shenjtë”, që nënkupton mbrojtjen e Rumanisë nga armiku eventual. Tre vargjet e tjera të po kësaj strofe janë shqipëruar në mënyrë të lirë, duke u përshtatur, sikurse edhe vargjet e tjera, rrethanave shoqërore dhe politike të kohës së atëhershme. Vargu i parë dhe i dytë i strofës së katërt të himnit rumun është në trajtën sintaksore të prozës: “Dhe në librën e përjetësisë shkruan /se shumë kombe do humbasin”. Asdreni dy vargjet e strofës së katërt i ka shqipëruar dhe përshtatur në mënyrë të lirë dhe inventive. Në vend të librit të përjetësisë, “ Librit të Shenjtë”, ku parashikohet zhdukja e kombeve, ku bazohet poeti rumun,- Asdreni në këtë strofë thirret në fjalët e Zotit: “Se Zoti vetë e tha me gojë/ Që kombe shuhen përmi dhé”. Në këtë mënyrë shprehja poetike është më e fuqishme se në vargjet e origjinalit përkthyer shqip. Në këto vargje, shprehet një e vërtetë për fatin tragjik që mund të përjetojnë popujt në rruzullin tokësor, prandaj me vigjilencë të theksuar dhe me veprimtari sakrifikuese, duhej të luftohej kundër së keqes tragjike që i kanosej në atë kohë kombit shqiptar. Dy vargjet vijuese të kësaj strofe janë vargje të përshtatura gjendjes së atëhershme në Shqipëri ku vërehet optimizmi i ekzistencës së Shqipërisë për të cilën luftojnë atdhetarët tanë. Gjatë përpilimit të tekstit, strofave të përkthyera dhe të përshtatura, poeti ynë u ka shtuar vargje që janë fryt i pendës së tij. Veç kësaj, dy strofat e fundit janë kryesisht krijime të Asdrenit. Të gjithë këtë akt krijues kombëtar, Asdreni e ka bërë që teksti i tij të përkojë me rrethanat shoqërore politike, në të cilat gjendej Shqipëria.

Duke konsideruar të drejtë mendimin e Kolë Rodhes që të mos ndryshohet himni, Poradeci shprehur në mënyrë figurative, sjell përfundimin, që ka dëshiruar: himni të mos ndryshohet. Kundruell himnit të ri, ai fuqinë e himnit tonë kombëtar e krahason me fuqinë e gurit të palëvizshëm, “si një rrymë uji e papritur dhe e fortë”.

Është fakt se himni ynë i huazuar, me tekst të përkthyer, të përshtatur, me dy strofa të shtuara nga Asdreni, me kompozim të kompozitorit rumun, arriti të krijojë “një origjinalitet shqiptar”, “frymë shqiptare” që bashkëkohësit e tij në Rumani, më vonë edhe populli ynë në trojet e veta dhe në shtete të tjera, e pranuan si himn kombëtar. Mirëpo, në bazë të “një origjinaliteti shqiptar” të tillë, sa i përket çështjes së autorësisë, teksti të cilin e ka përpiluar Asdrenit, sipas vjershës së poetit rumun, Ioan Barsan, nuk mund të konsiderohet vjershë origjinale e Asdrenit. Edhe vetë Lasgushi Poradeci këtë vjershë e konsideron përkthim, adaptim, krijim. Nuk mund të konsiderohen as himn kombëtar origjinal, kur kemi parasysh faktin se himni kombëtar është zhanër poetiko-muzikor. Autor i kompozimit të këtij himni është Ciprian Porumbescu. Lasgush Poradeci vetëm e ka përmendur emrin e këtij kompozitori rumun, si autor të kompozimit, por autorësinë e tij nuk e konsideron pengesë të origjinës së himnit tonë kombëtar.

 

 

 

Shuhet përkthyesi, Perikli Jorgoni

Ndahet nga jeta pas një aksidenti automobilistik  në Durrës, përkthyesi dhe poeti i mirënjohur Perikli Jorgoni.  Jorgoni përgjatë gjithë jetës së tij karakterizohet si një

individualitet njerëzor, një krijues original, i shumanshëm dhe një përkthyes  më një talent të spikatur, kryesisht i poezisë  botërore, duke  lënë pas një  trashëgimni të vyer  edhe për brezat e ardhshëm. Falë kulturës dhe aftësive të tij si shqipërues, ai mundi të sjellë në gjuhën shqipe emra të tillë nga poezia botërore si: Safo, Kavafis, Gijom Apoliner, Friedrich Horderlin etj. Jorgoni gjatë karrierës  së tij të gjatë si poet dhe përkthyes mori shumë vlerësime dhe çmime të ndryshme, të cilat bënë që ai të ishte i

pranishëm në shtypin letarar të Tiranës dhe hapësirave kombëtare, deri ditën e fundit të ndarjes së tij aksidentale nga jeta. Perikli Jorgoni, me një frymëzim të fortë intelektual dhe patriotik, mori pjesë në të gjitha debatet që shoqëruan rritjen dhe konsolidimin e demokracisë në Shqipëri, duke lënë  gjurmë të qarta edhe si

publicist i lirë dhe veprimtar i lidhur ngushtë me vendin dhe kombin.

Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe familja Jorgoni, fton miqtë, bashkëpunëtorët dhe dashamirësit e tij në mbarë vendin, që veprën e shumanshme të Perikli Jorgonit per ta nderuar sot, me 14 dhjetor 2012, përmes homazheve që do të mbahen prej orës 09.30 – 11.00, në hollin e Teatrit Kombëtar, Tiranë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency