Elton Qyno
Flet Mimoza Shehi, e motra e 66-vjeçarit të zhdukur shtatë ditë më parë nga banesa
Shehi: Kam shkuar deri në morg, policia dyshon se vëllai ka shkuar të takojë ish-gruan, por s’e ka gjetur
Zhdukja misterioze e 66-vjeçarit Fisnik Spahiu, i cili nuk kishte shumë kohë që kishte dalë nga burgu, ka bërë që familjarët e tij të ngrenë dyshime për një hakmarrje të mundshme ose për një vetëvrasje të tij. Motra e 66-vjeçarit të zhdukur prej 8 ditësh, Mimoza Shehi, tregon në një intervistë për gazetën “Standard” momentet e fundit që ka qëndruar me të vëllanë, ku sipas saj ajo ka qenë në banesë së bashku me të, ku dhe i ka gatuar. Pas përfundimit të punëve të shtëpisë, Mimoza e ka lënë të shtrirë në divan 66-vjeçarin, duke i dhënë dhjetë mijë lekë të vjetra si dhe rreth tri cigare në tavolinë. Pas kësaj, Mimoza është larguar në banesën e saj që ndodhet në lagjen “Ali Demi”, duke i pohuar të vëllait se do të vinte sërish ditën e nesërme për t’i bërë ndonjë punë në shtëpi. Mirëpo që nga momenti i largimit, e motra nuk e ka parë më vëllain e saj, duke e denoncuar atë në komisariatin nr. 3 si të zhdukur. Dyshimet e para të saj flasin për një hakmarrje të mundshme, pasi i vëllai është dënuar me 15 vite burg për plagosjen e shtetasit Lulzim Murthi, ngjarje kjo që ka ndodhur në vitin 1998. Ndërkohë, një dyshim tjetër, është edhe ai i një vetëvrasjeje të mundshme, pasi Fisnik Spahiu ka qenë kohët e fundit i mbyllur në vetvete, kjo si pasojë e vuajtjes në burgje të ndryshme, si në kohën e komunizmit ashtu edhe në atë të demokracisë. Aktualisht, kërkimet janë duke u drejtuar nga policia, por edhe motra e tij ka kryer kërkime private, por pa rezultat.
Si ka ndodhur humbja e kontakteve me vëllain tuaj dhe çfarë ju kanë thënë në polici?
Unë kam qenë së bashku me të ditën e premte të javës së kaluar dhe pasi i kam përgatitur ushqimin, kam vendosur të largohem në shtëpinë time ku jetoj me burrin. E kam lënë të shtrirë në divan, duke pirë cigare dhe kur jam larguar i kam lënë dhe 10 mijë lekë të vjetra pasi nuk harxhonte shumë lekë, se edhe s’dilte shumë larg pallatit. Kur kam ardhur të nesërmen në shtëpi, nuk e kam gjetur. Më ka ardhur çudi dhe kam pyetur disa nga komshinjtë këtu por nuk e kishin parë. Kam shkuar te një berber në lagje, ku Fisniku rruhej vazhdimisht, ai më ka thënë se një ditë më parë kishte shkuar aty, por pas asaj ditë nuk e kishte parë më. Kjo më ka shqetësuar shumë, pasi dhe ditët kur ka humbur kontaktet kanë qenë me shumë reshje shiu dhe stuhi, dhe kam menduar se ku mund të ketë shkuar në atë kohë të tillë, pasi ai qëndronte vetëm tek pallati duke bërë xhiro. Në këtë kohë kam marrë një fotografi të vetme të tij që ndodhej në shtëpi dhe kam shkuar në komisarit, ku dhe kam bërë denoncimin.
Në denoncimin që ju keni bërë, çfarë dyshoni rreth zhdukjes së vëllait tuaj?
Unë personalisht mendoj për një hakmarrje të mundshme pasi vëllai është dënuar nga gjykata për plagosjen e Lulzim Murthit. Dyshoj se pas daljes nga burgu, dikush nga anëtarët e familjes së tij, mund të jetë hakmarrë, megjithëse nuk jam shumë e sigurt për një gjë të tillë. Fisniku ishte një tip i urtë dhe një njeri që ka vuajtur shumë si në kohën e demokracisë ashtu edhe në të komunizmit, pasi ishte dënuar me disa vite burg për tentativë arratisje nga vendi. Dyshoj edhe për një vetëvrasje të mundshme, pasi kishte një karakter të mbyllur. Por sërish për një gjë të tillë, nuk jam me sigurt pasi ditët kur është larguar, kanë qenë shumë të stuhishme me shi, dhe ku mund të ketë shkuar në atë kohë të tillë, pasi Fisniku nuk lëvizte nga pallati.
Pas denoncimit policia ka bërë kërkime, ju personalisht keni kryer verifikime private?
Policia ka marrë kallëzimin dhe vetëm kaq. Nuk e di se çfarë janë duke kryer, por ata mendojnë se Fisniku është larguar vetë me dëshirë nga banesa. Ata mendojnë se mund të ketë shkuar tek ish-gruaja, dhe nisur nga ky dyshim kanë shkuar në banesën e saj një ditë më parë por s’kanë gjetur asnjë person atje. Ish-gruaja, punon si sanitare në spital dhe se ka shumë gjasa që sot (dje), të kenë shkuar në spital që ta pyesin. Unë personalisht kam shkuar vetëm në morg, ku kam parë një person të vdekur. Për shkak të tronditjes psikike dhe të emocioneve herë viktima herë më dukej si ai, hero jo. Por nuk munda ta shihja në dorë, pasi në dorë vëllai kishte një shenjë si rezultat i punës së detyruar që bënte në minierën e Munellës, pasi ishte i burgosur politik në kampin e Spaçit. Tani neve vetëm zona e liqenit na ka mbetur pa shkuar të bëjmë kontrolle. Kërkojmë nga shteti gjetjen sa më parë të njeriut tonë, pasi nuk kemi asnjë të dhënë për vendndodhjen e tij.