56% e shqiptarëve janë myslimanë
99.4% kanë si gjuhë amtare shqipen
INSTAT-i ka publikuar rezultatet zyrtare të censusit. Numri i popullsisë së Shqipërisë ka pësuar një rënie të ndjeshme. Në Shqipëri jetojnë 2.821.977 banorë, numër shumë i ulët krahasuar me pritshmëritë. Sipas censusit, mendohet se pjesa tjetër e shqiptarëve të jenë në emigrim. Një tjetër fakt interesant i censusit ka të bëjë me nivelin e arsimimit i cili është në nivele mjaft të larta. 96% e shqiptarëve kanë mbaruar një shkollë ose janë në ndjekje të saj.
Po t’u referohemi shifrave, vërejmë se në popullsinë 10 vjeç e lart, 96,2% tyre e kanë ndjekur ose janë duke e ndjekur shkollën. Në censusin e vitit 2011 bën dallim ndjekja e sistemit universitar dhe pasuniversitar nga 10.7% të popullsisë 10 vjeç e lart, tregues i cili në vitin 2001 ishte 5.5%. “Analizat paraprake na dëshmojnë se emigracioni dhe lindshmëria janë dy faktorët kryesorë përgjegjës të rënies së numrit të popullsisë, të cilat kërkojnë analizë të hollësishme në të ardhmen. Numri i femrave krahasuar me vitin 2001 ka pësuar një rënie prej 9.2% ndërsa ai i meshkujve me 8.3%. Raporti gjinor në Shqipëri kërkon një vëmendje të veçantë nga demografët dhe studiuesit”, – përmendi dje drejtoresha e INSTAT-it, Ines Nurja. Për herë të parë në historinë e censuseve në Shqipëri, popullsia që jeton në zonën urbane e ka tejkaluar numrin e popullsisë që jeton në zonën rurale. Tashmë në zonën urbane jetojnë 53,5% e popullsisë ndërsa 46,5% e saj jeton në zonën rurale. Nga ana tjetër, numri i familjeve ka pësuar një rënie krahasuar me shifrat e censusit të mëparshëm. Sot numërohen 722.262 familje nga 726.895 që ishin në vitin 2001. Por struktura brenda familjes (numri i anëtarëve) ka pasur një ndryshim të rëndësishëm. Mesatarisht sot një familje shqiptare ka 3.9 anëtarë nga 4.2 që kishte në vitin 2001.
Struktura demografike e Shqipërisë po ndryshon duke pasur parasysh që nga këto rezultate kemi rënie të koeficientit të fertilitetit, rritje të popullsisë urbane, ndryshim në strukturën e popullsisë, në karakteristikat etnokulturore, në nivelin e arsimimit, në kushtet e jetesës dhe në strehim.
Feja dhe gjuha
Një tjetër risi e këtij censusi ishte përfshirja e pyetjeve për gjuhën amtare, fenë dhe grupet etnokulturore. Këto të dhëna interesante do të japin një panoramë më të qartë të disa karakteristikave të popullsisë shqiptare, të cilat u mungonin studiuesve prej një periudhe të gjatë kohe. Po t’i hedhim një vështrim të shpejtë, shohim se 98.77% e popullsisë ka si gjuhë amtare shqipen. Më pas vijnë gjuha greke me 0.54%, maqedonase 0.16%, rome 0.14% dhe arumune me përkatësisht 0.14%. Një tjetër e dhënë e cila do të analizohet më tej nga studiuesit është dhe ajo mbi përkatësinë fetare. Sipas vetëdeklarimit mbi përkatësinë fetare në censusin 2011, në territorin e
Shqipërisë janë 56.70% myslimanë, 10.03% katolikë, 6.75% ortodoksë, 2.09 bektashinj, 0.14 ungjillorë. Ndërkohë që 5.49 janë vetëdeklaruar si besimtarë të pacilësuar dhe 2.5% ateistë. Numri i atyre që kanë preferuar të mos përgjigjen kësaj pyetje është 13.79% të totalit të popullsisë.
Për sa i përket përkatësisë etnokulturore, 82.58% kanë deklaruar se janë shqiptarë të 0.87% grekë, 0.30% romë, 0.30% arumunë dhe 0.20% maqedonas. Numri i mospërgjigjeve në këtë pyetje përbën 13.96% e totalit të popullsisë. Për herë të parë në një census është pyetur edhe për aftësinë e kufizuar të popullsisë. Këto të dhëna do të shërbejnë në të ardhmen për të bërë vrojtime më të specifikuara si dhe për të ndërtuar politika mbështetëse në funksion të kësaj kategorie personash.