Florenc Drizari
Siguria e Ballkanit Perëndimor, Arvizu: Politika të përmbahet, retorika nacionaliste, e rrezikshme
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Alexander Arvizu, e quajti një lojë të rrezikshme përdorimin e deklaratave me karakter të theksuar nacionalist nga përfaqësues të disa lëvizjeve partiake në vend. Duke iu drejtuar krerëve të Aleancës Kuq e Zi, ambasadori Arvizu tha se thirrjet e fundit për referendum për bashkimin territorial mes Shqipërisë dhe Kosovës minojnë stabilitetin dhe paqen në rajonin e Ballkanit. Deklarata e ambasadorit amerikan u bë gjatë mbajtjes së Konferencës së 15-të Ndërkombëtare mbi Sigurinë në Ballkanin Perëndimor. “Aktorë politikë të ndryshëm në Shqipëri kanë kërkuar të përdorin mesazhe negative të fokusuar në etnicitet, për qëllime të ngushta politike. Kjo është një lojë e rrezikshme. Tensionet etnike nëse zgjohen njëherë janë të vështira, në mos të pamundura për tu parashikuar ose kontrolluar. Është e domosdoshme që personat përgjegjës të përmbahen nga ndezja e ndjenjave etnike, si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë. Thirrja e fundit nga Aleanca Kuq e Zi për referendumin për bashkimin Shqipëri-Kosovë nuk i shërben as aspiratave të integrimit euroatlantik të vendit, si dhe minon përparimin e arritur për stabilitetin dhe paqen rajonale”, – tha Arvizu.
Ndërkaq, ambasadori i SHBA-së ishte i qartë kur foli për pretendimet e ndryshimeve të kufijve në Ballkan, dukë thënë se çdo iniciativë e tillë nuk do të mbështete Uashingtoni. “Më lejoni të jem i qartë si kristali, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e mbështesin ndryshimin e kufijve kombëtarë në rajonin e Ballkanit, çdo përpjekje për ta bërë këtë është kundërproduktive destabilizuese. Partitë politike dhe drejtuesit e tyre duhet të përqendrohen tek ato që ata thonë se është e rëndësishme, integrimi euroatlantik”, – u shpreh Arivizu. Sipas tij, fjala për një Shqipëri të madhe të rreme është një shpërqendrim nga problemet shumë reale me të cilat përballet Shqipëria sot dhe votuesit nuk duhet të bien pre e kësaj. Kreu i diplomacisë amerikane në Shqipëri tha se zgjedhjet nuk duhet të jenë justifikim për të dërguar mesazhe të përziera dhe drejtuesit e AK duhet të jenë të qartë në mesazhet e tyre që përçojnë tek shqiptarët. Ne besojmë se një lëvizje e re politike sikurse Aleanca Kuq e Zi, mund dhe duhet të luajë një rol të rëndësishëm dhe konstruktiv në politikën shqiptare. Duke parë rolin pozitiv që qeveria e Shqipërisë ka luajtur tradicionalisht në ruajtjen e marrëdhënieve të mira me fqinjët e saj, nxisim drejtuesit e saj që të jenë të qartë në këtë element. Zgjedhjet nuk duhet të jenë një justifikim për të dërguar mesazhe të përziera. Gjithashtu, kërkojmë që politikanët dhe drejtuesit politikë të Shqipërisë nga i gjithë spektri, të ripërtërijnë përkushtimin e tyre për të përcjellë mesazhe të përgjegjshme ndaj të gjithë shqiptarëve”, – deklaroi Alexander Arvizu.
Roli i Shqipërisë
Ambasadori amerikan Alexander Arvizu gjatë fjalës së tij të mbajtur në konferencën me temë “Bashkëpunimin për Sigurinë në Ballkanin Perëndimor”, vlerësoi rolin që qeveria shqiptare dhe faktorë të tjetër të spektrit politik në vend kanë luajtur për stabilitetin politik të Ballkanit. “Rishtazi, Shtetet e Bashkuara kanë vënë re një rritje të pavend në retorikën nacionaliste këtu në Shqipëri, veçanërisht në javët që çuan drejt festimeve të 100 vjetorit dhe pasuan më tej. Kjo retorikë kontraston dukshëm me rolin e përgjithshëm pozitiv që Shqipëria ka luajtur tradicionalisht në rajon, sidomos me popullsinë etnike shqiptare. Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe partitë politike – përfshirë opozitën – kanë lëshuar në përgjithësi mesazhe të qarta, të përgjegjshme duke i inkurajuar popullsitë etnike-shqiptare që jetojnë jashtë vendit, të punojnë së bashku me qeveritë e tyre për të zgjidhur problemet e tyre”, – u shpreh ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Alexander Arvizu.
Letra e AK-së
Dy javë më parë, Aleanca Kuq e Zi deklaroi nisjen e një peticioni për mbledhjen e firmave nga krerët e politikës shqiptare, por edhe të qytetarëve me të drejtë vote, me qëllim realizimin e referendumit për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën. Për këtë përfaqësuesit e aleancës iu drejtuan edhe Kryeministrit Berisha. “Aleanca Kuq e Zi do të ftojë në këtë peticion për të nënshkruar të gjithë drejtuesit e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, drejtuesit e institucioneve, politikanë të lartë dhe çdo qytetar që gëzon të drejtën e votës. Kjo kërkesë do t’i shërbejë dhe hapjes së një debati transparent mbi qëndrimet zyrtare dhe politike të figurave të larta të dy shteteve shqiptare”, – thuhej në letër. Sipas AK-së, pozicionimi pro apo kundër bashkimit të dy shteteve shqiptare do t’i shërbejë të ardhmes së vendit. “Për këto arsye duke marrë shkas dhe nga qëndrimet tuaja publike në javët e fundit mbi çështjen e bashkimit kombëtar, ne ju ftojmë të jeni një nga bashkë firmëtarët e parë të kërkesës zyrtare për realizimin e referendumit për bashkimin e dy shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës”, – bëhet e ditur në letrën e AK-së.