Mediu: Opozita, fajtore për mosmarrjen e statusit

0
178

Duke folur në konferencën e PR-së të degës së Tiranës, Mediu tha se opozita shqiptare është fajtore që vendi nuk mori statusin e vendit kandidat. “Për interesa partiake Rama dhe Partia Socialiste nuk votuan 3 ligjet e kërkuara nga Bashkimi Evropian dhe justifikimi fsheh një kënaqësi për mosmarrjen e statusit dhe për të ndjekur një linjë që është inekzistente. Bashkimi Evropian na kërkon të votojmë 3 ligjet që Shqipërisë t’i jepet statusi i kandidatit prandaj është momenti që Rama dhe PS-ja të reflektojnë që t`i japim shqiptarëve atë që kanë ëndërruar dhe atë që kanë merituar”, – tha Mediu. Kreu i PR-së i ka cilësuar si të pavërteta dhe absurde pretendimet e PS-së se zgjedhjet janë kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat.
“Askush nuk i ka vendosur zgjedhjet si kusht pasi ato janë një kusht për nisjen e negociatave të Shqipërisë për në BE. E drejta e votës nuk është monopol i politikës, por një e drejtë për shqiptarë dhe politika duhet ta respektojë atë. PS-ja duhet të distancohet nga individë brenda dhe jashtë saj që nuk e duan Shqipërinë në BE”, – vijoi Mediu. Kreu republikan ka theksuar se është koha për të thënë të vërtetat, duke u shprehur për një revolucion të së djathtës. Gjithashtu Mediu ka theksuar edhe domosdoshmërinë e zgjidhjes së çështjes së pronave dhe të çështjes çame. Ai tha se partia që ai drejton do të mbështesë rezolutën çame në Kuvend të paraqitur nga PDIU. “PDIU ka përcjellë një rezolutë në Parlament të cilën ne e mbështesim, sepse e kemi mbështetur dhe ngritur kur të tjerët heshtnin apo e injoronin. E kemi ngritur në takimin me Presidentin grek në 95-ën, Kryeministrin grek, Kongresin Amerikan, Parlamentin Evropian, Parlamentin shqiptar”, – përfundoi Mediu.