Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, nga Rrogozhina bëri thirrje edhe që të shmangen spekulimet nacionaliste në vend. Z. Meta duke vlerësuar qëndrimin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Alexander Arvizu, mbi këtë çështje u shpreh se Lëvizja Socialiste për Integrim synon integrim dhe jo konflikte. Ndërkohë që në takimin e zhvilluar anëtarë dhe simpatizantë të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Rrogozhinë, duke përfunduar kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, foli edhe për rolin që duhet të ketë qeveritë vendore në zgjidhjen e problemeve për qytetarët. Sipas tij çështjet që shqetësojnë komunitetin apo një qytetar të vetëm janë kredoja e drejtuesve vendorë dhe të vetë LSI-së. Ilir Meta deklaroi se çështjet e qytetarëve janë çështje të çdo kryetari bashkie, të çdo kryetari komune, të të gjithë këshilltarëve dhe nuk mund të themi se vetëm ato çështje për të cilat përgjigjemi me ligj janë shqetësim. Ndërkohë, kreu i LSI-së foli edhe për miratimin e tre ligjeve të integrimit. Sipas tij, Shqipëria duhet të ecë më shpejt në rrugën e progresit të integrimit evropian dhe zgjidhjes së problemeve të qytetarëve të saj. Duke cituar deklaratën e komisionerit për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, i cili u shpreh se është vërtet për të ardhur keq që klasa politike shqiptare nuk vendosi axhendën e integrimit mbi interesat partiake, por ai ngulmoi se Bashkimi Evropian inkurajon politikanët shqiptarë që të fokusohen mbi procesin e integrimit evropian, Meta deklaroi se kushtet e nevojshme për tu plotësuar janë ende aty dhe duhet medoemos që të gjitha palët politike në Shqipëri të fokusojnë të gjitha energjitë e tyre mbi procesin e integrimit evropian.