T’i kthehemi tokës! Po si?

0
253

Artan Fuga

imgMe futjen e ekonomisë evropiane dhe më tej, botërore, në krizë, në mjaft qëndrime njerëzish të njohur në shoqëritë e tyre, artikulohet edhe një rrugëdalje:

“Të kthejmë sytë nga fshati!”

“T’i kthehemi tokës!”

Janë shumë personalitetet që e ndërmarrin këtë iniciativë si një rrugëdalje nga kriza ekonomike dhe financiare. Dalin nëpër kryeqytetet evropiane ekologjistët të cilët nuk mungojnë të shprehen se ata prej kohësh e kanë ditur se gjelbërimi, natyralizmi, ekonomia biologjike do të ishin afatgjata, kurse ritmi i shfrenuar drejt sasisë në industri do të sillte ngecje ekonomike.

Por, ka edhe të tjerë, tani, jo medoemos ekologjistë, të cilët me thirrjen “T’i kthemi tokës, fshatit, bujqësisë!” duan sinqerisht të gjejnë një zgjidhje për problemet shumë të vështira ekonomike që kanë mbërthyer ekonominë e kontinentit dhe më gjerë.

Pavarësisht këtyre thirrjeve, ka në disa shoqëri në krizë, si në Gerqi, në Spanjë, Portugali, a gjetiu që ka një përqindje të caktuar njerëzish që po kërkojnë realisht zgjidhje duke iu kthyer fshatit dhe bujqësisë, duke punuar pak tokë, mbarështuar ca kokë bagëti etj. Duket sikur u gjet një zgjidhje që deri tani, duke i kthyer shpinën fshatit dhe bujqësisë, ishte harruar dhe fshirë nga “defteri”.

E gjitha kjo lëvizje ka dy anë. Një anë të vërtetë dhe realiste, pra të mundshme për t’u zbatuar, dhe një anë të dytë, utopike, të pamundshme, anë të cilat duhet të ndahen nga njëra-tjetra. Përndryshe, jo vetëm parulla “T’i kthehemi tokës, fshatit!” nuk do të ketë asnjë vlerë, por edhe duke rrezikuar të nxisë iniciativa utopike dhe të pamundura për sukses, do ta shtojë edhe më shumë peshën e krizës ekonomike që ka pllakosur botën moderne.

Duket sikur bujqësia dhe toka është aq zemërgjerë sa të gjithë ata që qyteti i nxjerr si ekonomikisht të tepërt, Nëna Natyrë mund t’i pranojë krahëhapur! Duket gabimisht se bujqësia është një hapësirë ekonomike e pafundme, ku gjithkush që do të kthehet, pranohet. Ngjan toka sikur është si ajo familja e mirë që pa u mërzitur, pa hakmarrje, pa qejfmbetje, e ripranon djalin apo vajzën plëngprishëse për t’u rikthyer në shtëpi!

“Brodhe gjithandej, u azdise, argalise në një mijë qejfe dhe aventura?”

“Hajde tani kthehu përsëri në shtëpi se të presim krahëhapur!”

Por nuk është aq e lehtë. Nostalgjia e rikthimit te toka, në fakt ka dalë dhe ridalë sa herë bota është futur në krizë. Jo më kot edhe shumë nga mendimtarët enciklopedistë të shekullit të tetëmbëdhjetë në Evropë mendonin se “shekulli i artë” i kontinentit kishte pas qenë dikur, në primitivitetin e një shoqërie, e cila qëndronte e lidhur ngushtë me tokë, ndonëse në një fazë moszhvillimi. A thua sikur plagët e sotme të modernitetit mund të zgjidhen duke iu kthyer kohëve të një jete pa teknologji ose primitive!

“Të kthehemi te Toka!”, por puna është se toka nuk është një hapësirë e lirë ku gjithkush si në Perëndimin e largët amerikan të shekujve më parë, mund të shkojë për ta zënë një copë tokë dhe rrethuar me gardh e atje të nisë jetën e vet nga e para. Toka ka pronarë. Aq më shumë, edhe sikur gjithkush të kthehet në tokën e vet, për ta punuar duhet t’i nënshtrohet një logjike ekonomike, duhet të ketë kapitale për mekanizma, për farën, për plehrat, pastaj duhet të gjejë treg për të shitur, se përndryshe toka të fut në kurth dhe të le pa bukë.

Bujqësia, toka, fshati nuk mund të lulëzojnë kështu vetëm nga dëshirat e mira, apo duke u mbajtur në këmbë me subvencione. Ekonomia rurale sikurse ajo urbane, nuk mund të thithë subvencione veçse nëse ajo në një ditë i kthen ato, përndryshe bëhet një “gropë thithëse” kredish të pashlyera, buxhetesh publike të humbura dhe kapitalesh të shkatërruara.

Kthimi te toka duket një iniciativë shumë e mirë, porse gjithnjë e më shumë toka janë kthyer në terrene ndërtimi. Toka është kthyer në terren dhe qyteti e ka “ngrënë tokën” duke e betonizuar atë. Për një qytetar që të shkojë deri te toka, atij i duhet të kalojë një mijë peripeci duke kaluar hapësirën e tejzgjatur urbane, qarkullimin rrugor, i duhen pra lekë, kohë, mjete udhëtimi.

 

+++

 

Edhe në debatin politik dhe në hapësirën publike te ne është hapur diskutimi se në çfarë mënyre bujqësia, fshati, ekonomia rurale, do të mund të gjallërohen për të pranuar më shumë fuqi punëtore aktive, për të prodhuar më shumë produkte dhe për të përthithur më shumë kapitale.

Por përpara sesa të shohim se çfarë mund të bëhet dhe çfarë nuk mund të bëhet, me gjithë dëshirat e mira, duhet të pranojmë se në këta njëzet vjet, i kemi hyrë jo pak në hak tokës dhe bujqësisë, fshatit.

Një det i pafund familjesh e braktisën zonën rurale. Emigrimi i brendshëm e boshatisi në mënyrë të ndjeshëm hapësirën rurale. Në një farë mënyre, toka u braktis, pemë u thanë, barishte u rritën, shtëpi u rrënuan, bagëti u rralluan. Por, jo vetëm kaq, tani që ka lindur brezi i dytë i të ardhurve rishtas nga zonat rurale në zonat urbane, ne kemi gjithnjë e më shumë syresh që jo vetëm është shkëputur nga punët bujqësore dhe kultura e blegtorisë, por që ende e ka pak si turp që të punojë në bujqësi mes baltës dhe bimëve, në blegtori, mes dhive, qengjave, demave, mes kashtës dhe bajgave. Para sesa kjo pjesë e popullsisë të mund të kthehet te toka si plëngprishëse, duhet të ribëjë në kokën e vet një revolucion kulturor të dytë, të kundërt me të parin, Revolucioni i parë kulturor ishte kthimi nga ruralë në qytetarë, tani i dytë, edhe më i vështirë, është , pothuajse i pamundur, kthim nga qytetarë në ruralë. Ndërkaq qytetet e mëdha e “hëngrën” tokën bujqësore rreth e qark. Dhjetëra kilometra katrore rreth qyteteve u bënë terren ku u ndërtuan shtëpi, rrugë, dyqane, sikur njeriu nuk kishte më nevojë për tokën, iu duk se u kthye në një zog të lirë që ushqehet duke çukitur ushqim e sikur nuk i duhej të mbillte, korrte, magazinonte.

 

+++

 

T’i kthehemi tokës? Shumë mirë. Por kërkon të gjejmë për këtë një model të përshtatshëm. Dhe mbi të gjitha duhet të pyesim veten nëse modeli i ekonomisë bujqësore do të ishte ai modern, intensiv, kapitalist, për treg në radhë të parë, i bazuar te puna me mëditje, i sipërmarrjes që prodhon monokulturë, i menaxhuar nga kapitalisti i qytetit, i bazuar në parcela, serra, për të prodhuar për fitim prioritar?

Apo do të ishte modeli i sipërmarrjeve të vogla fshatare, me bazë familjen fshatare, që prodhon fillimisht për veten e vet dhe pastaj për tregun lokal, e më tej për tregun më të gjerë, bazuar te puna e pjesëtarëve të familjes?

Duket se modeli i parë ka përparësi ndaj të dytit. Kjo dukje bazohet te fakti se ndofta ai jep një rendiment më të lartë pune. Por, përmban nga ana tjetër një ves të madh. Nga njëra anë e boshatis tokën nga njerëzit, mbështetet në boshatisjen demografike të zonës rurale dhe mbushjen artificiale të zonës urbane me banorë që nuk kanë fuqi blerëse. Kujt do t’i shiten produktet bujqësore dhe blegtorale?

Kurse modeli i dytë, sado “primitiv” që të duket, merr disa përparësi sepse një pjesë e madhe e popullsisë jo vetëm do të ushqente vetveten, por edhe do të nxirrte në treg produkte bujqësore dhe blegtorale cilësore.

Në fakt, do të duhej që të dy modelet të kombinoheshin nëpërmjet dy proceseve shumë të ndërlikuar dhe që presin reforma të mëdha: krijimi i tregut legal të tokës bujqësore dhe nxitja e popullimit ose ripopullimit të zonave rurale nëpërmjet politikave sociale të guximshme.

Sidoqoftë, për një rikthim te toka kjo nuk duhet parë si një proces që e konsideron njeriun e kthyer si një ikje nga ekonomia e sotme drejt një “hambari” natyror, të pafundëm, ku ai mund të jetojë në gjendje të lirë dhe jashtë ekonomisë të tregut.

Më së pari duhet nxitur kërkesa e zonave urbane për prodhime bujqësore dhe blegtorale që vijnë nga hapësirat rurale përreth tyre. Nganjëherë motivimi nuk vjen nga fillimi i zinxhirit të shkaqeve dhe pasojave, por nga fundi. Tregjet fshatare në qytet janë për faqe të zezë. Larg konsumatorit dhe lënë në mëshirën e fatit apo të tregtarëve që nuk dihet se çfarë propozojnë për të shitur. Pastaj, ka nevojë që këto hapësira tregtare, shumë më të rëndësishme sesa ato që propagandohen për produkte eksporti nëpër media vizive, kanë nevojë të pajisen me infrastrukturë frigoriferike, përndryshe tregtimi direkt i produkteve sidomos blegtorale do të ishte i pamundur. Dhe së treti, nëpërmjet sistemi kooperativ duhet siguruar transporti i shpejtë i produkteve bujqësore në qytet.

Pra, gjëja e parë është që të bëhet e përdorshme pika e fundit, terminali i produkteve bujqësore.

Ndërkohë produktet bujqësore dhe blegtorale e kanë sekretin e shtimit dhe shumimit jashtë bujqësisë. Duhet industria përpunuese. Një sy po t’i hedhësh tregut ushqimor sheh përparimet në këtë pikë. Prodhimet e tregut shqiptar janë shtuar, por ka edhe plot zona ku ato mund të konkurrojnë më fuqishëm. Produktet e kosit janë nga tregu shqiptar, por të vjen keq që nuk ndodh kështu me qumështin. Mishi i tregtuar është në një masë i ardhur nga blegtoria vendase, por jo i gjithë sallami, jo edhe i gjithë mishi i pulës. E pse jo? Vaji i ullirit po shtohet nga ai i vendit, por edhe vera mund të eci më mirë duke shtyrë atë të jashtmen. Po kështu mielli, gjalpi, lulet (ato që vijnë nga jashtë nuk kanë pikë arome), etj. etj. Sa mirë ecin reçelrat në tregun shqiptar kur janë të vendit, por pse të mos kenë këto përmasa edhe trangujt turshi, ullinjtë etj. Shega e Shkodrës sivjet ishte perla e tregut të frutave, sikurse edhe hurmat e vendit, gështenjat, por pse jo edhe me portokallet më shumë, limonët e produkte të tjera mesdhetare?

Së treti, duhen gjetur pikat e kulmit të konsumit. Zinxhiri mes ekonomive bujqësore, prodhimeve bujqësore dhe blegtorale kërkon konsumatorë. Konsumatorë brenda vendit, por edhe të jashtëm. Por, tregu i jashtëm ka pengesa për produktet shqiptare që të arrijnë te konsumatori i huaj. Nga ana tjetër edhe vështirësitë financiare të transportit luajnë një rol pengues. Sigurisht, eksporti i tyre është i mundshëm për t’u shtuar. Por, ka edhe një mundësi tjetër të madhe. Kjo ndodh atëherë kur konsumatori i huaj nuk pret atje në vendin e tij, por vjen këtu. Kur nuk shkon mali te Muhamedi, thotë ajo fjala e urtë, shkon Muhamedi te mali.

Turizmi gjatë verës sjell dhjetëra mijëra konsumatorë të tjerë në Shqipëri. Do të ishte vërtet humbje nëse nuk bëhet një lidhje e fuqishme mes produkteve shqiptare ushqimore, transportit dhe tregtisë, dhe zonave turistike. Sa punohet në afatgjatë për këtë integrim midis turizmit veror dhe ekonomisë rurale. Vende shumë më të fuqishëm sesa Shqipëria pikërisht këtu gjejnë burime financimi për bujqësinë dhe ekonominë e tyre të shërbimeve. Nuk shkon malli për eksport, por vjen turisti te produkti i gatshëm bujqësor dhe blegtoral.

 

+++

 

Kthim te toka?

Përse jo!

Por, jo në format e primitivizmit apo të arratisjes në natyrë. As si ekonomi e nostalgjisë, duke e financuar pa asnjë rendiment. Por, duke gjetur ato mundësi që e integrojnë atë brenda ekonomisë së sotme moderne.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency