Dy klube greke kanë shfaqur interesim për Hamdi Salihin. Kjo është hera e dytë që në gjurmët e shqiptarit vihen skuadra nga vendi fqinj, pas interesimit të hapur gjatë verës së klubit të Arisit. Salihi po mendon largimin nga skuadra amerikane e DC Junajtid dhe ai ka përfunduar në listën e dëshirave të dy klubeve mbi nivelin mesatar të kampionatit grek. Burime pranë futbollistit nuk pranuan të japin emrat e skuadrave, por bëhet fjalë për klube që mund të paguajnë shuma të konsiderueshme për kartonin e tij (gjithsesi nuk bëhet fjalë për 1.5 milionë dollarë sa pretendon DC Junajtid). Salihi luajti shumë pak sezonin që shkoi me fanellën e Dc Junajtid. Ai ka edhe një vit kontratë me klubin amerikan. Mirëpo, duke qenë se hapësirat janë gjithnjë e më të pakta në dispozicion, shkodrani po mendon për një skuadër tjetër. “Do të vazhdoj të luaj edhe një vit këtu në Amerikë, ose do të pres nëse ndonjë klub i mirë me buxhet të mjaftueshëm të jetë në gjendje të blejë kartonin tim”, – pati thënë sulmuesi disa ditë më parë.