Mësuesit nuk hyjnë në master pa dhënë provimin e shtetit

0
236

Të gjithë ata mësues që janë aktualisht në punë dhe kanë kryer një master të pakushtëzuar nga vendi i punës,pra një master për kualifikimin e tyre profesional, me dëshirën e tyre, nuk u njihet masteri nëse nuk kalojnë në provimin e shtetit

Të gjithë ata që kanë mbaruar një master në mësuesi pas janarit 2011, duhet t’i nënshtrohen provimit të shtetit, pasi në të kundërt ai është i pavlerë. Përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit thanë për “AS” se ata duhet t’i nënshtrohen patjetër testit të shtetit, nëse duan që masteri që ata kanë mbaruar t’u njihet si një cikël studimesh në tregun e punës. Për këtë arsye ata u bëjnë thirrje të gjithë mësuesve të rinj që t’i nënshtrohen këtij provimi.

Provimi

“Të gjithë ata mësues që janë aktualisht në punë dhe kanë kryer një master të pakushtëzuar nga vendi i punës, pra një master për kualifikimin e tyre profesional, me dëshirën e tyre, nuk u njihet masteri nëse nuk kalojnë në provimin e shtetit. Pra ai master është i pavlefshëm. Duhet ta mbrojnë dhe të kalojnë procedurat deri në fund për të kaluar në provimin e shtetit”, – tha Dorina Rapti, drejtore e Arsimit Profesional në MASH.

Arsimi

Ndërkaq, zyrtarët e arsimit theksojnë se mësuesit që janë aktualisht në punë dhe që kanë mbaruar para 2011, nuk e kanë kryerjen e një masteri si kusht për mbajtjen e vendit të punës. Ata mund t’i nënshtrohen këtij cikli studimesh vetëm për të pasur një kualifikim edhe më të mirë. “Provimi i shtetit nuk është për mësuesit që janë në sistem. Të gjithë mësuesit që kanë një formim profesional përkatës dhe që janë aktualisht me emërim definitive ose me kontratë të përhershme që e quajmë ne në pjesën ligjore dhe që janë aktualisht në punë, ata nuk hyjnë në procedurat e provimit të shtetit”, – thonë specialistët. Provimi i shtetit do të zhvillohet për herë të parë për mësuesit e rinj, ditën e hënë në 17 dhjetor. Në test pyetjet do të jenë me alternativa, ndërkohë që arsimtarët do të testohen edhe për drejtshkrimin krahas pyetjeve për profilet që ata kanë zgjedhur.

Licencimi

Provimi i shtetit realizon garancitë publike për përgjegjësitë, që sjell ushtrimi i një profesioni të rregulluar dhe kryen testimin e njohurive të kandidatit, që aspiron ushtrimin e një profesioni të rregulluar, duke siguruar uniformitet në vlerësimin e kandidatëve, në nivel kombëtar, përmes verifikimit të aftësive të nevojshme profesionale, sipas specifikave të çdo profesioni. Ndërkohë që sipas ligjit “Për profesionet e rregulluara”, kandidati nuk pranohet në provim nëse:nuk zotëron diplomën e studimeve universitare të kërkuar nga autoriteti kompetent për profesionin respektiv; ka dorëzuar dokumentacionin e parashikuar në nenin 4, deri në momentin e aplikimit; është rrëzuar 5 (pesë) herë në provimin e shtetit; plotëson kriteret e parashikuara në ligjin nr. 10 171, datë 21.10.2009 “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, në dispozitat e kësaj rregulloreje dhe ato të përcaktuara.