Miqësorja Shqipëria do të luajë në “Qemal Stafa” përballë Gjeorgjisë

0
164

Është vendosur që të luhet në stadiumin “Qemal Stafa” ndeshja miqësore kundër Gjeorgjisë. Ndryshe nga sa u tha rreth një muaj më parë, se kjo ndeshje testuese do të luhej në Shkodër, FSHF ka vendosur që takimi të zhvillohet në Tiranë dhe jo në datën 9, por më datë 6 shkurt. “Vendimi është marrë disa ditë më parë, duke qenë se stadiumi ‘Qemal Stafa’ do të jetë në gjendje funksionale. FSHF e pa të arsyeshme që ndeshja të luhet në Tiranë, sepse edhe kostoja e organizmit është më e ulët”, – ka pohuar përgjegjësi i zyrës për shtyp të federatës, Lirim Zalla. Kjo miqësore mund të quhet edhe si ndeshja e “kthimit” me gjeorgjianët, pasi më 29 shkurt të këtij viti këto dy skuadra zhvilluan një ndeshje miqësore mes tyre, e cila përfundoi me fitoren 2-1 të vendësve në Tbilisi. Trajneri Xhani de Biazi kërkon që ta testojë skuadrën në shkurt, duke qenë se kuqezinjtë një muaj më pas do të luajnë një ndeshje të vështirë në transfertë. Shqipëria do të përballet me Norvegjinë më 22 mars, në kuadër të kualifikueseve për në Botërorin 2014. Pritet që të ketë pak ndryshime në këtë ndeshje, por mund të jetë shansi për Edmond Kapllanin, i cili deri tani ka ecur mjaft mirë te FSV Frankfurti në Bundesligën 2. Aktualisht Shqipëria renditet në vendin e tretë me gjashtë pikë të grumbulluara në katër ndeshje, po aq sa edhe Islanda e vendit të katërt. Grupin e kryeson Zvicra me 10 pikë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency