Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, mori dje pjesë në takimin e 27-të të Komitetit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi, i cili u mbajt në Stamboll. Sipas zyrës së shtypit pranë MPJ-së, në këtë takim që u drejtua nga ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutogllu, ishin të pranishëm ministrat e Punëve të Jashtme të 12 vendeve anëtare të organizatës, vendeve me statusin e vëzhguesit, si dhe të ftuar të tjerë. Në fjalën e tij, ministri theksoi se Organizata e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi përbën një organizëm të rëndësishëm për zhvillimin e marrëdhënieve mes vendeve të rajonit, duke forcuar dialogun politik dhe duke krijuar mundësi të gjera për bashkëpunimin ekonomik. Ai theksoi nevojën e forcimit të përpjekjeve të vendeve anëtare të organizatës për thellimin e partneritetit ekonomik, sidomos në zhvillimin e infrastrukturës së rajonit, realizimin e projekteve në shumë fusha, sidomos në atë energjetike dhe ndërtimin e korridoreve rrugore dhe hekurudhore që lehtësojnë komunikimin mes vendeve. Ministri shtroi gjithashtu nevojën që organizata të zgjerojë partneritetin me aktorë të rëndësishëm ndërkombëtare dhe rajonalë si BE, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim etj.