Për antenat e telefonisë celulare të cilat vendosen mbi tarracat e pallateve, ndryshon taksa dhe tarifat vendore. “Taksa e përkohshme për ndikimin e antenave të telefonisë së lëvizshme” aplikohet për të gjithë subjektet që vendosin antena të telefonisë së lëvizshme (mobile) mbi tarracat e pallateve apo godinave të ndryshme brenda territorit të qytetit të Tiranës. Niveli i kësaj takse është 2.000.000 lekë/antenë/vit. Taksa e përkohshme për ndikimin e antenave të telefonisë së lëvizshme”, llogaritet si detyrim vjetor i taksapaguesit. Detyrimi lind nga momenti që vendosja e antenës konstatohet në terren. Taksa paguhet në katër këste të barabarta. Kësti i parë paguhet brenda datës 15 shkurt. Kësti i dytë jo më vonë se data 15 maj, kësti i tretë jo më vonë se data 15 gusht dhe kësti i fundit jo më vonë se data 15 nëntor të vitit korrent fiskal. Për çdo antenë të vendosur rishtas, afati i pagesës së taksës do të jetë 30 ditë pas lindjes së detyrimit”. Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohet Drejtoria e Planifikimit Strategjik dhe Drejtoria Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore.