Buxheti, ulje e taksave dhe mbështetje bizneseve

0
191

Driçim Çaka

Shfuqizimi i taksës së gjelbër dhe heqja e 60 tarifave të shërbimit kanë qenë disa nga masat që ka propozuar kryetari i bashkisë, Lulzim Basha

 

Gjatë vitit 2011 në mbledhjen e Këshillit Bashkiak është marrë vendim për heqjen e disa taksave, të cilat u kanë ardhur në ndihmë bizneseve, por edhe banorëve të Tiranës. Shfuqizimi i taksës së gjelbër dhe heqja e 60 tarifave të shërbimit kanë qenë disa nga masat që ka propozuar kryetari i bashkisë, Lulzim Basha. Po kështu është ulur niveli i taksës së tabelës nga 1500 lekë/vit në 120 lekë/vit ose e barabartë me 1 €. Shfuqizimi i 60 tarifave të shërbimit është shoqëruar me lehtësim të barrës fiskale, në tërësi për të gjitha kategoritë aplikuese, me efekte me mbi 30 milionë lekë. Nga shfuqizimi i taksës së përkohshme të gjelbër u pakësua barra e fiskale e biznesit në tërësi për më shumë se 500 milion lekë në vit. Ulja e nivelit të taksës së fjetjes në hotel ndikoi pozitivisht edhe në situatën e subjekteve hoteleri, për faktin se vlera totale e pakësuar nga pagesa e detyrimeve të tyre për një vit është ulur me rreth 30% ose në vlerë absolute për rreth 40 milionë lekë.

 

Zhvillimi ekonomik

 

Plani aktual rregullues i Tiranës parashikon disa pole ekonomike në Tiranë. E para është pjesa veriore, pjesa poshtë Stacionit të Trenit deri te Bregu i Lumit. Më pas është pjesa perëndimore, pjesa e Fushës së Aviacionit dhe Kombinati që mund të mbulojë pjesën perëndimore me shërbime të tipit qendër. Pjesa jugperëndimore, pjesa poshtë digës së Liqenit që ofron potenciale të mira për shërbime të qendrës rekreacionale. Pjesa juglindore, pjesa e Qytetit Studenti. Pjesa lindore, spitali “Nënë Tereza” pol i ri zhvillimi që mbledh një pjesë të mirë të zonës të qytetit. Për të siguruar dinamizmin dhe qëndrueshmërinë e zhvillimit të Tiranës në vitet e ardhshme është duke u formuluar një strategji mbi zhvillimin ekonomik të Tiranës dhe rajonit metropolitan. Gjithashtu, krijimi i një mjedisi të favorshëm dhe miqësor për biznesin është një prioritet dhe po realizohet nëpërmjet reformave rregullatore, politikave fiskale dhe shërbimeve indirekte ndaj biznesit siç janë ato në infrastrukture të përmirësuar, furnizimit të vazhdueshëm me ujë e energji; mbështetjes efektive institucionale dhe transparente si dhe përmirësimi i vazhdueshëm i kuadrit ligjor. Njëkohësisht synohet nxitja e diversifikimit ekonomik, hapja ekonomike dhe një orientimi më të madh të ekonomisë drejt prodhimit si bazë e qëndrueshme për rritjen e eksporteve. Veprimtaritë ekonomike të Shqipërisë janë të përqëndruara gjithmonë e më shumë në korridorin urban Tiranë – Durrës, ku janë 50% të ndërmarrjeve të vendit, 90% të ndërmarrjeve të mëdha dhe 63% e xhiros së Shqipërisë.

 

Kaziontë, kush nuk transferohet, paguan taksën e përkohshme

 

Taksa e përkohshme e lojërave të fatit aplikohet për çdo sallë ku zhvillon veprimtarinë organizatori. Niveli i taksës së përkohshme të lojërave të fatit aplikohet i diferencuar sipas ndarjes zonale të hartës së qytetit të Tiranës për efekt të zbatimit të taksave vendore. Të gjitha subjektet që do të ushtrojnë aktivitetin e tyre në territorin e Uzinës së Ndërrimit të Automjeteve (“UPNA”, ish-uzina e autotraktorëve Shkozë), nuk do të aplikohet taksa e përkohshme e lojërave të fatit. Për lojërat e tjera të fatit si: Baste sportive, Baste për gara në pistë, Lotari kombëtare, Bingo tradicionale dhe Bingo televizive, do të aplikohet taksë fikse për gjatë gjithë kohës së funksionimit te tyre. Taksa e përkohshme e lojërave të fatit është taksë mujore dhe do të paguhet brenda datës 10 të muajit pasardhës për llogari të muajit të mëparshëm. Subjektet e kategorisë së lojërave të fatit Kazino dhe Kazino Elektronike që zhvendosin aktivitetin e tyre në territorin e Uzinës së Ndërrimit të Automjeteve (“UPNA”, ish-uzina e autotraktorëve Shkozë), përfitojnë rimbursim të pagesave të kryera të kësaj takse.

 

 

Taksat e bashkisë

 

  1. Taksa mbi pasurinë;
  2. Taksa vendore e biznesit të vogël;
  3. Taksa e fjetjes në hotel;
  4. Taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja;
  5. Taksa mbi kalimin e të drejtës pronësisë për pasuritë e paluajtshme;
  6. Taksa vjetore e mjeteve të përdorura;
  7. Taksa për zënien e hapësirës publike;
  8. Taksa e tabelës;
  9. Taksa e përkohshme e lojërave të fatit
  10. Taksa e përkohshme për ndikimin e antenave të telefonisë së lëvizshme
  11. Tarifa e pastrimit dhe largimit të mbeturinave;
  12. Tarifa e vendparkimit të automjeteve;
  13. Përdorimi aseteve;
  14. Pagesa për frekuentimin e kopshteve e çerdheve;
  15. Të ardhurat e Institucioneve të varësisë nga aktiviteti kryesor i tyre.

 

Nuk ka më fishekzjarre, Bashkia e Tiranës, kontroll lëndëve plasëse

Me ardhjen e festive të fundvitit, vijnë dhe lëndët plasëse që janë një nga dëshirat e shqiptarëve për festat. Ndryshe nga vitet e kaluara kur fishekzjarret hidheshin kudo dhe nga çdokush Bashkia e Tiranës ka marrë masat për kontrollin e tregjeve, për t’u ardhur në ndihmë konsumatorëve. Aksioni i task-forcës është përqendruar dje në tregun e Qytetit të Nxënësve. Drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit, Geron Ibrahimi, tha se task-forca do të monitorojë tregtimin e lëndëve plasëse në mënyrë që të parandalohet që në këtë moment çdo rrezik për jetën e qytetarëve nga përdorimi i këtyre lëndëve. Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit dhe Policia Bashkiake kanë nisur një fushatë sensibilizimi për tregtarët për lëndët që ata duhet të tregtojnë, në mënyrë që malli i blerë prej tyre mos të sekuestrohet më pas. “Aspekti i punës së sotme është që ne tashmë kemi filluar të dialogojmë me bizneset, t’i sensibilizojmë ata, t’i orientojmë të mos marrin produkte të cilat gjatë festës së fund vitit karakterizohen dhe kanë një kërkesë të jashtëzakonshme siç janë fishekzjarret apo produktet piroteknike. Në bisedë me ta i orientuam drejt blerjes së produkteve të cilat kanë vetëm një karakter, dekorativ dhe jo karakter plasës apo shpërthyes, të cilat janë jashtëzakonisht të rrezikshme dhe krijojnë situata të pakëndshme për qytetarët e Tiranës”, – u shpreh z. Ibrahimi gjatë inspektimit. Drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit tha se task-forca do të monitorojë tregtimin e lëndëve plasëse në mënyrë që të parandalohet që në këtë moment çdo rrezik për jetën e qytetarëve nga përdorimi i këtyre lëndëve.

 

Basha: Buxheti i 2013-ës, kamera në çdo shkollë të kryeqytetit

 

Në të gjitha shkollat e Tiranës do të vendosen kamera për të siguruar mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe garantuar sigurinë e fëmijëve në shkolla. Një projekt i detajuar i Bashkisë së Tiranës do të nisë nga zbatimi në muajt e parë të vitit 2013. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, do t’i propozojë Këshillit Bashkiak në mbledhjen e radhës, akordimin e një fondi të veçantë nga buxheti i bashkisë për këtë projekt. Zbatimi i projektit do të nis me shkollat e mesme të kryeqytetit. Dy vjet më parë në kuadër të projektit “Për një Tiranë të sigurt evropiane” Ministria e Brendshme përfshiu edhe monitorimin me kamera të hyrjeve të disa shkollave të kryeqytetit. Me këtë projekt Bashkia e Tiranës do të shtrijë monitorimin me kamera në të gjitha shkollat e kryeqytetit në funksion të sigurisë për nxënësit dhe fëmijët e kryeqytetit. Një vit më parë me iniciativën e zotit Basha nisi puna për vendosjen e sinjalistikës së posaçme nëpër shkollat e ekspozuara ndaj rrezikut të trafikut të makinave. Sot në shkollat e kryeqytetit të cilat kanë akses të menjëhershëm në rrugët kryesore dhe dytësore janë vendosur kangjella mbrojtëse.