Pranga taksistit, shpërndarës kokaine te ish-blloku

0
147

Sonja Caka

Policia: Prej 5 muajsh në vëzhgim, tregtonte drogë në lokalet e kësaj zone. Dyshimi i policisë, shpërndarës droge edhe kur ishte në Itali

 

Prej kohësh kishte gjetur tregun e tij të shpërndarjes së kokainës dhe zona e tij e influencës ishte ish-blloku. Klientët e tij ishin përdorues të kokainës dhe frekuentues të lokaleve më me zë në këtë zonë mjaft të frekuentuar nga të rinjtë kryeqytetas, por jo vetëm. Policia kishte marrë informacion në rrugë informative se profesioni i taksistit ishte koperturë për 42-vjeçarin Paulin Deda, pasi dyshohej se ishte një nga shpërndarësit e drogës në kryeqytet, kryesisht në lokalet e ish-bllokut. Por, dje, aktiviteti i tij në shpërndarjen e drogës është ndërprerë nga ndërhyrja e agjentëve të antidrogës, të cilët gjatë kontrollit të automjetit të tij taksi i kanë gjetur një sasi prej 6.5 gramë kokainë e cilësisë së lartë.

Arrestimi

Pas pesë muajsh survejimi, mëngjesin e djeshëm, rreth orës 04:00, agjentët e antidrogës kanë ndaluar 42-vjeçarin Paulin Deda, me profesion taksist në zonën e ish-bllokut. Gjatë kontrollit të imtësishëm në automjetin e tij të punës, agjentët e antidrogës së Drejtorisë së Policisë së Tiranës kanë gjetur një sasi prej 6.5 gramë kokainë, e cila rezultoi e një cilësie shumë të mirë. Sipas burimeve nga sektori i antidrogës së kryeqytetit, sasia e kokainës së kapur 42-vjeçarit ishte e një cilësie mjaft të mirë, nga e cila në rast përzierjeje do të përftoheshin 20 gramë. Po sipas të njëjtave burime, 42-vjeçari kishte ishte nën vëzhgim prej 5 muajsh dhe ndërhyrja u bë në momentin që Deda kishte sasinë e kokainës, e cila do të dorëzohej te klienti i radhës. Menjëherë u bë shoqërimi i tij për në polici, ku është marrë në pyetje nga policia lidhur me aktivitetin e tij në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Hetimi

Policia kishte marrë prej disa kohësh informacion se taksisti Paulin Deda nuk ushtronte vetëm këtë profesion në zonën e ish-bllokut, por njihej edhe si shpërndarës i drogës, kryesisht kokainës. Menjëherë nisi puna për mbajtjen e tij në survejim, duke ndjekur hap pas hapi lëvizjet e tij. Policia përgjatë ëksja kohe dokumentoi aktivitetin e 42-vjeçarit në shpërndarjen e drogës, ndërsa ndërhyri në orët e para të mëngjesit, duke pasur sigurinë se dispononte një sasi kokaine. Në momentin e ndalimit, gjetjes së drogës dhe më pas, 42-vjeçari është përpjekur të justifikojë këtë sasi me përdorimin vetjak, por provat dhe faktet e vëna përballë tij nga policia tregonin të kundërtën. Burime policore bëjnë me dije se ka dyshime se 42-vjeçari ka kryer të njëjtën veprimtari në shitjen e drogës edhe gjatë kohës kur ka qenë emigrant në Itali. Policia vijon hetimet për këtë person, ndërsa materialet hetimore ndaj tij do i kalojnë organit të akuzës për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.  Ndërkohë, uniformat blu po vijojnë operacionin pasi dyshojnë se në trafikun e lëndëve narkotike janë përfshirë dhe persona të tjerë.

 

Sipas burimeve nga sektori i antidrogës së kryeqytetit, sasia e kokainës së kapur 42-vjeçarit ishte e një cilësie mjaft të mirë, nga e cila në rast përzierjeje do të përftoheshin 20 gramë