Pas marrjes së detyrës si kryeprokuror i Republikës, nisin ndryshimet e para në Prokurorinë e Përgjithshme. Dje, kreu i organit të akuzës së kryeqytetit, prokuror Sokol Malaj dha dorëheqjen nga detyra, duke ia paraqitur atë shefit të ri, z.Adriatik Llalla. Ende nuk dihet nëse kryeprokurori i ri e ka pranuar apo jo dorëheqjen e Malajt, por ajo që thuhet nën zë është se të tjera dorëheqje pritet të mbërrijnë në ditët në vijim në tavolinën e z.Llalla. Ndërkohë, mësohet se kryeprokurori ka larguar nga detyra e shefit të hetimeve në Prokurorinë e Përgjithshme Sokol Stojanin, i cili e mori këtë detyrë pasi në detyrë erdhi ish-kryeprokurorja Ina Rama. Ndërkohë, pritet që të ketë të tjera zhvillime në prokuroritë e rretheve, kryesisht nga të emëruarit në krye të tyre nga znj.Rama. Gjithashtu, ndryshime thelbësore në funksionet drejtuese pritet të ketë edhe në Prokurorinë e Përgjithshme.