Akademikët e çoroditur

0
183

Nga Agim Popoci

 

akadameiaAkademia e Shkencave e Shqipërisë e themeluar më 1972, është institucioni më i rëndësishëm shkencor i Republikës së Shqipërisë. Ajo përfshin shkencëtarë nga më të shquarit, akademikë, të cilët zhvillojnë veprimtari shkencore në institute dhe qendra kërkimore, si dhe organizma të tjerë shkencorë brenda dhe jashtë vendit.

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës e themeluar më 20 dhjetor të vitit 1975 në Prishtinë me një ligj të posaçëm të Kuvendit të Kosovës, është institucioni më i lartë i Shkencës dhe Artit.

Bukur, zyrtare, por këtu përfundon gjithçka. 40 vjet jetë, përkatësisht 37 nuk mjaftojnë që këto dy institucione më të larta shkencore të organizojnë as edhe një ceremoni, pavarësisht që në historikun e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë theksohet se kjo akademi ka marrëdhënie bashkëpunimi me akademi shkencore kombëtare të rajonit dhe më gjerë në botë ndërsa me Akademinë e Shkencave të Kosovës bashkëpunimi është shumë i ngushtë; me këtë institucion realizohen shumë veprimtari dhe studime të përbashkëta.

Këtë e dëshmoi ceremonia jubilare e 40-vjetorit të krijimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, më 12 nëntor 2012, ku kishte shumë ftesa, shumë ankesa, shumë komplote e shumë pak serbë, por që mjaftuan për të ngatërruar gjithë botën akademike shqiptare, ku vetëm vend për gëzim nuk ngeli. Madje ky ishte një akademik serb i vetëm, që la jashtë ceremonisë jubilare Akademinë e Shkencave të Kosovës e cila bashkëpunon ngushtë me atë të Shqipërisë, realizon shumë veprimtari dhe studime të përbashkëta por nuk arrijnë të jap më shumë fakte se sa një Memorandum për spastrimin etnik të tokës kosovare, të hartuar nga Lubisha Rakiq me shokë. Dhe jo vetëm kaq?! Ky autor serb i kësaj vepre kriminale na del se qenka edhe anëtar i Akademisë së Shkencave të Kosovës, e cila ka të drejtën e qejfmbetjes me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, por duhet ta dijë se kjo e fundit nuk qanë kokë as për gjysmën e qytetarëve të Shqipërisë. Si?!

 

40-vjetori, sebep…

 

Ceremonia jubilare e 40-vjetorit të krijimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ishte një sebep që bota shqiptare të kuptoj se në çfarë derexheje është bota akademike shqiptare.

Tirana për këtë ceremoni kishte ftuar rreth 50 presidentë të Akademive të Evropës, “Anëtarët e Nderit” të Akademisë, personalitete të shpallura “Nderi i Akademisë”, si dhe disa përfaqësues të shquar nga organizma ndërkombëtarë, me të cilët Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka marrëveshje bashkëpunimi. Ftesë natyrisht mori edhe Akademia e Shkencës e Kosovës e cila shumë shpejtë do të irritohet kur kupton se në këtë festë të madhe akademike do të marr pjesë edhe Nënkryetari i Akademisë serbe të Shkencave, Lubisha Rakiq. Duke qenë në kohë, duke pasur parasysh se nikoqir i kësaj feste është Akademia e Shkencave e Shqipërisë, më 29 tetor e informon këtë të fundit se nuk do të marr pjesë në këtë eveniment të rëndësishëm shqiptar sepse në kremtimin e 40-vjetorit ishte ftuar Akademia Serbe e Shkencave ndërsa përfaqësohej nga Nënkryetari Lubisha Rakiq që është edhe njëri ndër hartuesit e “Memorandumit SANU” të vitit 1986.

Përkundër sqarimit të detajuar nga akademikët kosovarë se pse Akademia serbe Shkencave nuk është prezente në ceremonitë e shumta evropiane, pse nuk ishte në ceremoninë e 150 vjetorit të Akademisë së Shkencave të Kroacisë, “Memorandumi SANU” që i hyri në punë Millosheviçit për të ngopur në gjak gjithë Jugosllavinë, për të keqtrajtuar, përdhunuar dhe vrarë shqiptarët e Kosovës, nuk i hyri në punë kryetari të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Gudar Beqiraj. Ky i fundit, i akademizuar me politikën zyrtare të vëllezërve serbë dhe miqve kosovarë, vazhdoi i pashqetësuar me organizimin e detajeve të tjera që do të finalizohen edhe pa kosovarë.

Dita e ceremonisë, 12 Nëntori i vitit 2012, përveç moskokëçarjes së Akademik Gudarit ndaj Kosovës, do të zbuloj një ngatërresë të madhe akademike shqiptare si brenda kufijve aktual zyrtar ashtu edhe atyre natyral. Acarimi i akademikëve kosovarë do të shpërthej duke rikujtuar veprat e “Memorandumit” të hartuar nga Rakiq, ndërsa veprimin e Gudarit duke e vlerësuar jo si të rastësishëm. Duke u larguar për pak çaste nga bota kosovare, Prishtina dëshmon se ishte pikërisht Akademia e Shkencave e Shqipërisë e cila edhe në rastin e “Enciklopedisë së Maqedonisë”nuk ishte kooperuese. Pas kësaj mos përfillje, Akademia e Shkencave e Kosovës bën të ditur se përfaqësuesit e Tiranës ishin në promovimin e kësaj enciklopedie kriminale, aty ku akademikët kosovarë nuk e kishin pa të arsyeshme të jenë prezent, bazuar në faktet e shumpërfolura me ditë të tëra, që u bën publike edhe për opinionin e gjerë.

Këtij “zjarri akademik”do t’i hedhë ca benzinë edhe akademik Rexhep Qosja duke akuzuar Tiranën për mospërfillje dhe mungesë të ftesës për Akademinë solemne e cila do të zhvillohet me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, më 26 Nëntor 2012. “Nuk më kanë ftuar, sepse Akademia e Shkencave të Shqipërisë – mendoj një numër i dukshëm i anëtarëve të saj – ende nuk kanë krijuar parësinë politike, shkencore, intelektuale që duhet ta ketë Akademia me të gjithë anëtarët e saj. Dhe, sigurisht, nuk më kanë ftuar për shkak se mund të kenë si shqetësim se çfarë mund të them unë aty që s’do të dëgjohet mirë prej qeverisë së Shqipërisë dhe do të shqetësonte organizuesin d.m.th. Akademinë e Shkencave,” është i bindur akademik Qosja, por vetëm ai, sepse për prezencën e tij apo jo, vendos vetëm Akademia e Shkencave e Kosovës, e cila sipas Tiranës është ftuar si institucion. E meqë institucioni amë nuk është se e ka në defter akademik Qosen, dhe është e qartë se nuk do ta përfshijë si pjesë të delegacionit drejtë Tiranës, në këtë hallakamë del një paqartësi e re. Meqë zyrtarisht, në biografinë e nënkryetarit të Akademisë serbe të Shkencave, Lubisha Rakiq figuron se është anëtar i Akademisë së Shkencave të Kosovës, nuk është e qartë nëse e ka në defter si anëtarë apo jo kjo Akademi që na del si parimore. Ligji i vitit 2004, me të cilin aktualisht edhe punon Akademia e Shkencave e Kosovës, vërtetë sipas Nenit 30. përcakton se ditën që ky ligj hyn në fuqi, pushon së ekzistuari ligji i mëparshëm i 19 majit të vitit 1978, por në asnjë germë të tij nuk flet për të drejtën ose mënyrën e përjashtimit.

 

 

Nga Aleks Buda tek Gudar Beqiraj

 

40 vjet pas krijimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, për fat të keq vetëm mund të kujtohet angazhimi i kësaj akademie në drejtim të zhvillimit të marrëdhënieve me shqiptarët që kishin ngelur jashtë kufijve më 1912.

Nëse për prof. Aleks Budën, kryetarin e parë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Kosova ishte A-ja e botës akademike në Tiranë dhe për kryetarin aktual, Gudar Beqiraj është Zh-ja, Akademia e Shkencave e Kosovës nuk duhet të shqetësohet.

Ndikimi që ka Akademia e Shkencave e Shqipërisë tek politika zyrtare, për fat të mirë, nuk është ndikimi që ka Akademia Serbe e Shkencave, dhe kjo jo për faj të qeverisë shqiptare. Në mungesë të ofertës, aktualisht qeveria e Shqipërisë nuk ka se çfarë merr nga kjo Akademi përveç servilizmit i cili me raste është edhe ekstrem. Këtë e dëshmon edhe lajmi i publikuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, e cila në ditët kur po diskutohet aq shumë sistemi zgjedhor dhe zgjedhjet e vitit 2013, ajo nuk përfill as shpresën e mbi 40% të elektoratit shqiptar, madje përcakton edhe fituesin dhe shpall: ”Më 7-10 tetor 2013, në Tiranë nën kujdesin e Kryeministrit prof. dr. Sali Berisha do të zhvillohet “Kongresi i 7-të Ndërkombëtar i Shoqatës Ballkanike të Gjeofizikantëve” në bashkëpunim me Shoqatën e Gjeofizikantëve të Ballkanit, Shoqatën Evropiane të Gjeoshkencëtarëve dhe Inxhinierëve (EAGE) dhe Shoqatën e Kërkuesve të Gjeofizikantëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SEG) me mbështetjen e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, METE, Universitetit Politeknik të Tiranës etj.”