Nga Blerim Shala
Një hap para dhe një hap prapa. Dhe kjo ka ndodhur tri herë prej gushtit të vitit 2011 deri më dhjetorin e vitit 2012. Ndërsa synimi është që jo më larg se në pranverën e vitit të ardhshëm, të ndodhë ai hapi a kërcimi i madh politik, i cili do të nënkuptonte që Kosova dhe Serbia të hynë (këtë duhet përsëritur, të hynë, sepse normalizimi i mirëfilltë do të merr kohë që njeh vitet si njësi matëse), në periudhën politike të panjohur në raportet shqiptaro-serbe dhe Kosovë-Serbi: Atë të normalizimit të marrëdhënieve.
Bartës i këtij Projekti është BE-ja, gjegjësisht Catherine Ashton, Përfaqësuesja e Lartë, e cila i prinë kësaj ndërmarrjeje. Megjithatë, kjo ndërmarrje ka edhe hisenik të tjerë, disa që synojnë ta lehtësojnë apo edhe t’i ndihmojnë thelbësisht normalizimit i marrëdhënieve Kosovë-Serbi (Gjermania, Britania e Madhe dhe shtetet tjera të mëdha të BE-së), disa të tjera që vazhdojnë ta komplikojnë sa më shumë që është e mundur këtë proces (Spanja, mbi të gjithat), dhe më fund, edhe mekanizmat e njohur të Komisionit Evropian dhe të Bashkimit Evropian që nuk njihen si mekanizma që çajnë udhë në drejtimin e duhur.
Ora e këtij procesi, i cili ishte lënë fare mënjanë si nga kosovarët ashtu edhe nga ndërkombëtarët, nisi të ecë me 25 korrik të vitit të shkuar, kur u pa që Status Quo në Veri në fakt shënon status quo-në e Kosovës në synimet për të siguruar qëndrueshmërinë afatgjatë të Kosovës brenda territorit të vet dhe në Bashkësinë Ndërkombëtare.
Prishja e 25 korrikut do të duhej të sillte, me të gjitha këto zhvillime që kanë pësuar në ndërkohë, dhe që do të duhej të ndodhnin tash e tutje, ndreqjen finale në marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Dhe atë, brenda pak muajve.
A është kjo reale? A mundet njëmend diç e tillë të mbërrihet për pak muaj, në raportet që njohin një shekull të tërë përplasjesh të mëdha, edhe ato të luftës (midis tjerash), dhe të të gjitha formave të tjera? Si mund të zëvendësohet një politikë e urrejtjes ndaj shqiptarëve, e cila ka qenë një konstantë e politikës së Serbisë karshi Kosovës dhe shqiptarëve, me një tjetër, që njeh gatishmërinë për ta duruar një herë njeri-tjetrin, e më pas, për ra respektuar njeri-tjetrin?
Evropa e kombeve të mëdha, njeh shumë shembuj të këtillë. Po mos të ishte kështu, Evropa nuk do t’i shpëtonte kurrë tmerrit apokaliptik të Luftës së Dytë Botërore.
Synimi i Catherine Ashton, siç u pa edhe ditëve të fundit, pas sipërfaqësimit të Konkluzave të BE-së për Kosovën, për ta bërë atë që askush para saj nuk e ka bërë dot në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, nuk varet vetëm prej saj, dhe as vetëm prej gatishmërisë së Prishtinës zyrtare që t’i vihet kapak problemeve në raportet me Serbinë, që gjithsesi njohin faktin real që strukturat ilegale të Serbisë janë thellë në brendësinë e territorit të Kosovë.
Këtu na dalin në shesh veprimet evropiane që zunë vend me atë fjalinë e parë për hapin para dhe atë tjetrin prapa.
Para se të gjithash, falë këmbëngulësisë së Gjermanisë, të Kancelares Merkel, që prej verës së vitit 2011 e këndej, tri herë radhazi shtetet e fuqishme evropiane, ia kanë bërë me dije troç Beogradit se çka në fakt nënkupton normalizimi i relacioneve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Zhbërja e strukturave të sigurisë të Serbisë, largimi i Serbisë prej Veriut të Kosovës, është kusht pa të cilin nuk bën në sendërtimin e këtij qëllimi. Jetësimi i të gjitha marrëveshjeve në dialogun teknik të Brukselit, është një tjetër kusht. Pala kosovare, në anën tjetër, duhet t’ia dëshmojë qytetarëve serbë të Veriut, çfarë do të fitojnë me zbatimin e përpiktë të të drejtave të garantuara me dokumentet vendore dhe ndërkombëtare. Më në fund, normalizimi i këtyre marrëdhënieve duhet të kodifikohet edhe me një Marrëveshje ligjësisht obligative në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila mund të jetë e përgatitur sipas modelit të Traktatit të njohur gjermano-gjerman.
E gjitha kjo do të mundësonte që Kosova dhe Serbia të kenë raporte normale, që Kosova dhe Serbia të mos pengojnë njëra-tjetrën në rrugëtimin kah anëtarësimi në BE, dhe që Kosova të bëhet shtet anëtare e OKB-së, e OSBE-së dhe e të gjitha instancave të tjera ndërkombëtare.
Por këto kërkesa që janë udhërrëfyes i qartë, i pranueshëm për Kosovën, për tri herë rresht (e mbramja ndodhi pikërisht para disa ditësh), janë zbutur nëpër mekanizmat e Komisionit Evropian dhe të Bashkimit Evropian, për shkaqe nga më të ndryshmet, duke marrë si justifikim pesëshen mos-njohëse të BE-së (ku prinë Spanja), pastaj, bindjet e disa zyrtarëve të BE-së dhe të Komisionit Evropian që Serbia duhet të trajtohet më me kujdes, apo që nuk duhet dhënë të gjithë ‘terapinë’ me të shpejtë, ndërsa siç po shihet gjithnjë e më shumë, pikërisht Serbisë i duhet një ‘shok-terapi’ në kuptimin e plotë të fjalës, në politikë, në ekonomi, në diplomaci, gjithandej.
Kosova, apo, gënjeshtra mitike dhe politike për Kosovën, është pengesa më e madhe për Serbinë e sotme që ta kuptojë të vërtetën për veten, për pozitën e saj në këtë pjesë të Ballkanit, për ardhmëninë e saj. Në vitet 1990, 1991, kur u shpërbë ish-RSFJ, Serbia i rrinte diku afër Sllovenisë dhe Kroacisë, dy republikave më të zhvilluara të federatës së atëhershme. Kroacia me 1 korrik të vitit 2013, do t’i bashkohet Sllovenisë si anëtare e BE-së, te dyja, tash e tre vjet janë në Paktin NATO, e Serbia sot duket si një shtet i humbur në kohë dhe hapësirë, së fundit, ekskluzivisht për shkak të Kosovës.
Me qasjen pra që sot është në fuqi në BE, do të ishte çudi e dorës së parë po qe se Ashton do të mbërrijë të jetësojë synimin e saj për pranverën e vitit 2013 si stinën e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ky nuk është lajm i mirë i fundvitit 2012 për Kosovën.
(Blerim Shala është nënkryetari i parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar enkas për gazetën “Express”)