Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, pohon se PS ka në plan një strategji të decentralizimit dhe njëkohësisht një ligj të ri integral për financat vendore. Në një takim me kryetarët socialistë të bashkive në vend, kryesocialisti pasi akuzoi mazhorancën për shkurtimin e buxhetit ndaj këtyre bashkive, theksoi: “Ne e kemi shumë të qartë që vetëm rrënim të ka në të gjitha aspektet në këtë metodë qeverisëse, bazuar mbi këtë model qeverisës. Ashtu siç po rrënohet ekonomia, ashtu siç po rrënohen familjet në nevojë dhe po shtohet numri i familjeve të varfra, ashtu siç po rrënohet sipërmarrja e madhe apo e vogël siç po rrënohen shërbimet publike, shëndetësi, arsim, ashtu po rrënohet edhe buxheti i njësive vendore. Ne duhet të miratojmë strategjinë e re të decentralizimit, si hapin më të parë. Në duhet të miratojmë një ligj të ri integral për financat vendore. Ne duhet të miratojmë një plan strategjik për decentralizimin fiskal duke filluar nga aplikimi i taksave të ndara si në çdo vend normal, modern, demokratik. Ne duhet të miratojmë rishikimin e taksave vendore për të lehtësuar maksimalisht biznesin e vogël dhe për të nxitur krijimin e vendeve të reja të punës”. Nga ana e tyre, kryetarët e katër bashkive më të mëdha në vend lëshuan kritika për buxhetin e sapomiratuar, i cili sipas tyre do të zbehë shërbimet ndaj qytetarëve. Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako tha: “Bashkia e Durrësit akoma nuk e ka marrë ndërmarrjen e ujësjellës-kanalizimeve dhe penalizohet nga kjo qeveri vetëm me arsyetimin sepse i ka borxh kompanisë CEZ”. Ndërsa kryebashkiaku i Elbasanit, Qazim Sejdini, kritikoi qeverinë lidhur me orvatjet në menaxhimin e ujësjellësit. Po ashtu edhe kreu i Bashkisë së qytetit të Vlorës, Shpëtim Gjika, akuzoi mazhorancën qeverisëse për buxhetin e këtij viti, duke pohuar: “Mua më ka në ballë të punës politike, që në 23 qershor ky kryeministër të shporret me gjithë këtë buxhet”.