Nga Olsi Jaupllari
Projektbuxheti i shtetit për vitin 2013 parashikon investime sa 5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto. Ky është një nivel kurajoz dhe ndihmon rritjen ekonomike. Qeveria e zgjidhi dilemën: më pak investime dhe një borxh më i vogël, apo një borxh i rritur pakëz dhe investime që garantojnë rritjen e qëndrueshme ekonomike, në dobi të qytetarit. Pra, në favor të rritjes ekonomike të vendit. Në rast se ekonomia nuk rritet me 4-6 për qind në terma realë, do të jetë shumë e vështirë për ta paguar borxhin tonë publik, edhe në rast se zvogëlojmë investimet publike kapitale. Ja përse rritja ekonomike e parashikuar prej 4 për qind për vitin 2013 siguron një shërbim të qëndrueshëm të borxhit. Një tjetër karakteristikë e investimeve tona publike është se një pjesë e mirë e tyre financohen nga tatimet dhe taksat e mbledhura në vend, ndryshe nga ajo e vendeve të rajonit, që gati tërësisht investimet e tyre publike i sigurojnë nga huamarrja. Kështu, për periudhën 2009-2011 vendet e Ballkanit Perëndimor kanë pasur një vëllim investimesh prej 2.9 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto të tyre (GDP-së), në krahasim me një nivel prej 6.4 për qind të investimeve publike, që ka pasur Shqipëria. Pra, kemi mbajtur një nivel mbi dy herë më të lartë nga mesatarja e rajonit për vëllimin e investimeve publike dhe kjo është garancia më e fortë për një rritje ekonomike edhe përgjatë vitit qe vjen. Por, ajo që është më e rëndësishme nuk ka të bëjë thjesht me vëllimin total të investimeve publike, por me faktin se nga financohen këto investime publike. Vendet e rajonit, edhe pse kanë bërë investime publike më pak se gjysma e Shqipërisë ne raport me GDP-ne, këto investime i kanë financuar tërësisht me huamarrje. Dhe jo vetëm kaq, por vëllimi i huamarrjes ka qenë rreth 0.8 për qind më i madh nga investimet publike, çka do të thotë që kanë financuar, pagat, pensionet shpenzimet e qeverisë dhe aspekte të tjera të funksionimit operacional të qeverisjes me 0.8 për qind të GDP-së së tyre. Pra, me kredi me hua dhe nuk kanë qenë të mjaftueshme që të ardhurat fiskale të vitit nga taksat dhe tatimet të mbulonin aktivitetin normal të qeverisë, Ndërkohë që ne në vendin tonë kemi financuar tërësisht aktivitetin normal të qeverisë dhe kemi mundur të financojmë me tatimet dhe taksat e mbledhura 1.9 për qind të PBB-së ose rreth një të tretën e investimeve publike me të ardhura fiskale. Janë këto dy elementë që na bëjnë optimistë për vitin 2013 dhe që na japin arsye të vështrojmë raportin borxh i rritur publik dhe rritje ekonomike në dobi të kësaj të fundit. Shqipëria dhe për vitin 2013 po arrin që të programojë një vëllim investimesh që do të jetë tërësisht i financueshëm me të ardhurat që merr nga tatimet dhe taksat dhe me një suficit fiskal prej 1.6 për qind e GDP-së. Pra, nëse vëllimi i investimeve publike do të jetë 5 për qind e prodhimit të brendshëm bruto, huamarrja do të jetë 3.4 për qind, çka do të thotë që 1.6 për qind e investimeve në raport me GDP-në ose rreth 40 për qind e investimeve do financohen me të ardhurat nga tatimet dhe taksat. Kjo është tabloja optimiste e perspektivës së ekonomisë shqiptare për vitin e ardhshëm, pavarësisht nga koret e kukuvajkave të opozitës që paralajmërojnë kriza pas krizash e teposje ekonomike. Të dhënat e ekonomisë për këtë vit janë inkurajuese. Kemi një suficit prej 11 milionë euro në bilancin e pagesave në krahasim me 78 milionë euro deficit në të njëjtën periudhë të 9-mujorit të vitit të kaluar. Deficiti i llogarisë korrente ka rënë më tej me 16.5 për qind krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2011, ndërsa teprica e llogarisë financiare është rritur me 10.5 për qind. Të gjitha këto flasin për një situatë financiare shumë pozitive. Ajo që është më e rëndësishme, bëhet fjalë për rritjen e flukseve hyrëse të investimeve të huaja direkte në vend, të cilat për periudhën 9-mujore janar-shtator 2012 janë 25.9 për qind më të larta krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pra, fluksi i investimeve të huaja direkte që vazhdon e rritet me ritme shumë më të larta sesa niveli i mëparshëm dëshmon edhe një herë situatën e përshtatshme ekonomike, nxitëse dhe atraktive për investitorët e huaj në Shqipëri. Monedha kombëtare leku vazhdon të luhatet në parametra tërësisht pozitivë dhe dëshmon forcën e tij në raport me valutat. Të ardhurat e buxhetit për periudhën 9-mujore të këtij viti janë rritur me 2 për qind në krahasim me vitin e kaluar, që dëshmon një tendencë pozitive edhe në kushtet e vitit 2012. Megjithëse i ulët, ky është një tregues shumë pozitiv i administrimit të mirë fiskal dhe i kapaciteteve të mira që ka ekonomia shqiptare. Rrjedhimisht, kemi një nivel të shpenzimeve publike në të njëjtin nivel të vitit të kaluar dhe kjo ka bërë që deficiti i buxhetit për 9-mujorin të jetë 25 për qind më i ulët krahasuar me një vit më parë. Me një deficit të tillë buxhetor për këtë vit, rritja me 2.6 për qind e borxhit publik është më se e justifikueshme dhe nuk rëndon aspak aftësinë paguese të tij.