Individët, situatë alarmante për të marrë kredi

0
181

krediEdhe standardet e kredisë për individë janë shtrënguar në tremujorin e tretë të vitit 2012, në krahasim me tremujorin e mëparshëm. Standardet e kredisë u shtrënguan si për kredinë për blerje banese ashtu edhe për kredinë konsumatore. Faktorët që kontribuuan në kahun shtrëngues të standardeve të kredisë për individët, janë gjendja e kredive me probleme, gjendja financiare e individëve dhe zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme. Këta faktorë vazhdojnë të mbeten me kontributin kryesor negativ në shtrëngimin e standardeve. Kreditë u shtrënguan kryesisht nëpërmjet rritjes së raportit të këstit të kredisë ndaj të ardhurave, uljes së madhësisë së kredisë dhe rritjes së kërkesës për kolateral, rritjes së komisioneve si dhe zgjerimit të marzheve, si për kreditë mesatare ashtu edhe për ato me rrezik. Bazuar në opinionin e bankave, kërkesa e individëve për kredi ka vijuar prirjen rënëse. Rënia e kërkesës është regjistruar si për kredinë për blerje banese dhe për kredinë konsumatore. Përdorimi i burimeve alternative të financimit dhe zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme ishin faktorët me ndikimin kryesor në frenimin e kërkesës së konsumatorëve për të marrë kredi, gjatë tremujorit të tretë të vitit 2012. Në të njëjtin drejtim, ndryshe nga tremujori i kaluar ndikuan dhe nevoja e individëve për financim të konsumit dhe të blerjes së banesave. Rënia e treguesit të besimit të konsumatorëve ka pasur një kontribut negativ në rënien e kërkesës së konsumatorëve për kredi.