Banka e Shqipërisë bën të ditur se standardet e kredisë dhënë bizneseve janë shtrënguar më pak në tremujorin e tretë të vitit 2012, krahasuar me tremujorin e kaluar. Faktorët me kontributin kryesor për shtrëngimin e standardeve të kredisë për bizneset, gjatë tremujorit të tretë të vitit 2012 ishin problemet specifike të sektorit ku zhvillon aktivitetin ndërmarrja si; gjendja e huave me probleme në sistemin bankar dhe situata makroekonomike në vend. Politika shtrënguese e bankave gjatë tremujorit të tretë të vitit 2012 është realizuar kryesisht nëpërmjet rritjes së kërkesës për kolateral dhe rritjes së komisioneve. Në ndryshim nga tre tremujorët e fundit, bankat kanë përdorur si kusht për të shtrënguar standardet e kredisë edhe zgjerimin e marzhit mesatar për kreditë. Në tremujorin e parë të vitit 2012, vlerësimi i ekspertëve të bankave për kërkesën e bizneseve për kredi është përkeqësuar ndjeshëm nga tremujori i kaluar. Përkeqësim më të dukshëm shënoi kërkesa e ndërmarrjeve të mëdha. Në ndarjen sipas qëllimit të përdorimit, kërkesa për kredi me qëllim financimin e investimeve fikse u përkeqësua ndjeshëm. Nevoja për financimin e investimeve fikse dhe përdorimi i burimeve alternative financuese janë dy faktorët kryesorë që kanë kontribuar negativisht në kërkesën për kredi, gjatë tremujorit të tretë të vitit 2012.