E shau nga e ëma, vritet me gurë dhe shkopinj 38-vjeçari nga Çërava

0
204

Elton Qyno

policia korNgjarja në Pogradec, viktima Erjon Ibi dy ditë i pajetë në kanal i mbuluar me plasmas dhe rroba të vjetra

Arrestohet 19-vjeçari Xhensil Lipo. Autori: Vrasjen e bëra i vetëm. Policia dyshon për bashkëpunëtorë

 

Një 38-vjeçar është vrarë me mjete të forta, gurë dhe shkopinj, pas një sherri që ka kryer me 19-vjeçarin Xhensil Lipo. Viktima quhet Erjon Ibi nga fshati Çëravë i Pogradecit dhe sipas policisë, ai ishte shpallur i zhdukur nga familjarët dy ditë më parë. Trupi i pajetë i Ibit është gjetur i mbuluar me plasmas dhe lecka të vjetra në një kanal në fushën e Çëravës. Ka qenë një nga banorët e kësaj zone që ka konstatuar trupin e pajetë të 38-vjeçarit, i cili më pas ka njoftuar dhe policinë e Pogradecit për gjetjen e kufomës. Sipas policisë, nga hetimet paraprake të kryera dyshohet se autor i këtij krimi të rëndë është shtetasi 19-vjeçar Xhensil Lipo, i cili dy ditë më parë kishte qenë në të njëjtin lokal ku ndodhej duke pirë kafe edhe viktima. Mirëpo për shkak të një konflikti mes tij dhe viktimës, pasi Ibi e ka sharë rëndë nga e ëma, ka lindur një konflikt që ka degjeneruar në vrasjen e 38-vjeçarit me mjete të forta, si shkopinj dhe gurrë. Dy ditë nga ndodhja e krimit, policia e Pogradecit bëri të mundur arrestimin në kohë të 19-vjeçarit Xhensil Lipo, i cili është nga fshati Leshnicë, jo shumë larg nga fshati Çëravë, ku edhe ka ndodhur krimi. Gjatë marrjes në pyetje, 19-vjeçari ka pranuar autorësinë e krimit, duke pohuar se ai e kishte kryer vrasjen vetë.

Vrasja me gurrë

Pas sherrit dhe ofendimeve në lokalin e fshatit, 19-vjeçari është larguar. Më pas ai ka pritur 38-vjeçarin Erjon Ibi derisa të dalë nga lokali, të cilin e ka qëlluar me një dru në kokë. Pas kësaj situate, autori i krimit e ka transportuar viktimën me një makinë disa metra larg fshatit të cilin e ka hedhur në një kanal. Pikërisht në këtë moment ai e ka qëlluar atë me gurë dhe sende të forta, duke i shtypur kafkën dhe krijuar deformime në fytyrë. Për shkak të këtyre goditjeve, shenja dhune janë lënë edhe në trupin e viktimës. Nisur nga kjo situatë, policia e Pogradecit në bashkëpunim edhe me specialistët e Drejtorisë së Policisë Korçë, kanë marrë në pyetje personat e fundit që kanë parë viktimën. Nga marrja në pyetje, ata kanë treguar se 38-vjeçari është parë të dalë i vetëm nga lokali dhe fill pas kësaj, ata nuk kishin parë asnjë shenjë të dyshimtë në rrugë. Dëshmitarët kanë pohuar vetëm ngjarjen e sherrit në lokal, ku viktima ka ofenduar 19-vjeçarin. Menjëherë pas mbledhjes së këtyre dëshmive dhe administrimit të provave në vendngjarje, policia ka bërë shoqërimin e 19-vjeçarit Xhensil Lipo, si të dyshuarin kryesor për vrasjen e Erjon Ibit. Fillimisht adoleshenti ka treguar se nuk është ai autori i krimit, por më pas ka pranuar gjithçka duke i treguar dhe mekanizmin e vrasjes së shtetasit Erjon Ibi. Sipas autorit të krimit, vrasjen ai e kishte bërë i vetëm, pasi viktima e kishte ofenduar rëndë në sy të disa personave, duke e sharë nga e ëma. Për këtë ai ka vendosur të hakmerret, duke e vrarë me gurë dhe drunj 38-vjeçarin nga fshati Çëravë i Pogradecit.

Dyshime për persona të tjerë 

Megjithëse 19-vjeçari i ndaluar gjatë marrjes në pyetje ka treguar se ai e kishte kryer i vetëm vrasjen e 38-vjeçarit, specialistë të policisë së Korçës kanë ngritur dyshime se vrasja mund të jetë kryer nga dy ose tre persona. Këto dyshime janë ngritur rreth mënyrës së ekzekutimit të viktimës, pasi sipas anëtarëve të grupit hetimor 19-vjeçari e ka pasur shumë të vështirë, gati të pamundur për të ekzekutuar me gurë 38-vjeçarin. Një tjetër dyshim i policisë së Korçës ngrihet se viktima në momentin kur është sulmuar nga Xhensil Lipo mund të ketë qenë në gjendje të dehur dhe për pasojë nuk ka kontrolluar dot veten për t’iu kundërvënë atij. Për të shuar çdo dyshim policia e Korçës ka kërkuar kryerjen e ekspertizës së viktimës, ndërkohë që hetimet rreth kësaj vrasjeje janë duke vijuar, pasi dyshohet se persona të tjerë, shokë apo familjarë të autorit të krimit, mund të jenë implikuar në vrasje. Tashmë, janë duke u mbajtur në verifikim disa persona, ndërkohë që ndaj 19-vjeçarit Lipo është ngritur akuza e “Vrasjes me paramendim” dhe materialet hetimore në ngarkim të tij do t’i referohen për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Pogradecit.

Të afërmit

“Dënim maksimal për autorin

ose e zgjidhim privatisht”

Familjarët e viktimës kanë kërkuar marrjen e masave të menjëhershme dhe dënimin kapital për autorin e krimit. Sipas tyre, 38-vjeçari Erjon Ibi kishte dy ditë që nuk ishte paraqitur në banesë dhe se gjatë kësaj kohe mungese ata kanë kryer kontrolle dhe verifikime tek të afërmit e tij, por që nuk kanë mundur ta gjejnë. Nisur nga kjo situatë, familjarët kanë menduar se njeriu i tyre ishte larguar për të punuar, por një gjë e tillë nuk ka rezultuar. Pas gjetjes së trupit të pajetë të Erjon Ibit dhe arrestimit të autorit të krimit shtetasit Xhensil Lipo, të afërmit e viktimës kërkojnë dënimin maksimal ndaj 19-vjeçarit deri në dënimin me vdekje të tij. Sipas tyre, nëse shteti nuk vepron, atëherë këtë çështje do ta zgjidhin në mënyrë private.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency