Hetimi i “Kukësit”, Gjiknuri: I ndarë nga rishpërndarja e mandateve në KQZ

0
169

hetimHetimi që Kuvendi duhet të bëjë në 5 komunat e Kukësit, nuk ndikon absolutisht në punën e KQZ-së për rishpërndarjen e mandateve të deputeteve. Kështu deklaroi dje sekretari për çështjet zgjedhore i selisë rozë, hartues i Kodit aktual Elektoral, Damian Gjiknuri, duke theksuar se kundërshtimi i mazhorancës për kërkesën e socialistëve për hetim tregon, sipas tij, prirjen e manipulimit të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. “Nuk ka lidhje me pretendimin që ngre mazhoranca që çështja po shqyrtohet në gjykatë apo KQZ, pasi vendimi i ndarjes së mandateve është një problem krejt tjetër. Ne po merremi se si është zbatuar legjislacioni i gjendjes civile nga administrata shtetërore, konkretisht zyrat e gjendjes civile në pesë njësi të Kukësit. Ata që refuzojnë ngritjen e komisionit hetimor, një të drejtë baze kushtetuese që i takojnë opozitës tregojnë qartë që ka gjëra për të fshehur dhe se njerëzit e interesuar, vendas apo ndërkombëtar, e kuptojnë fare mirë. Është dosja e parë e manipulimit të zgjedhjeve që po kryhet ditën me diell dhe shtatë muaj para zgjedhjeve”, – pohoi Gjiknuri. Nga ana tjetër, lidhur me koalicionin e ardhshëm zgjedhore të Partisë Socialiste, deputeti i selisë rozë theksoi se po bëhen të gjitha përpjekjet për ndërtimin e një fronti sa më të gjerë parazgjedhor. “Sali Berisha ose rrotacioni politik dhe largimi i qeverisë “Berisha” nga drejtimi i vendit është një emergjencë kombëtare dhe duke qenë e tillë unë them janë krijuar kushtet që të ndërtohet një platformë e gjerë bashkëpunimi, pavarësisht nga diferencat politike që kanë forcat opozitare për t’u bashkuar, për të arritur objektiv të përbashkët. PS po punon për të bërë koalicionin më të gjerë në bazë të disa parimeve dhe mbi të gjitha me objektivin e qartë, realizimin e rrotacionit politik dhe nxjerrjen e Sali Berishës në pension politik”, – tha Gjiknuri për “Top Channel”.