Paketa fiskale, PS zbardh 10 propozimet

0
167

paketa fiskaleNë kohën kur sot pritet që Kuvendi i Shqipërisë të miratojë paketën fiskale, PS ka propozuar një paketë me 10 pika për përmirësimin e situatës ekonomike në vend. Deputetja socialiste Mimi Kodheli, njëherësh nënkryetare e komisionit kuvendor për ekonominë ka shpjeguar dje një nga një propozimet e Partisë Socialiste, duke theksuar se zhvillimi rural, sipërmarrja, buxheti familjar dhe taksimi progresiv, janë shtyllat mbi të cilat këto propozime. “Propozimi ynë është që të hiqet akciza për naftën. Kjo do të thotë që një litër naftë nga 180 lekë që është të bëhet plotë 135.6 lekë. Pra, për një litër naftë fermeri shqiptar do të kursejë 44.4 lekë dhe kjo është një shumë e konsiderueshme për fermerin shqiptar. Ne do rishikojmë këtë element, siç është akciza për naftën edhe për publikun, por do të jetë në vazhdim të hapave të cilat Partia Socialiste do t’i bëjë pas marrjes së pushtetit në 2013”, – tha Kodheli në një bashkëbisedim me gazetarët. Për bujqësinë, deputetja socialiste propozoi uljen e kostove të punimit të tokës dhe uljen e çmimit të naftës me 44.4 lekë për litër. “Bujqësia po vuan sot nga kostot tejet të larta dhe të papërballueshme për fermerin shqiptar. Partia Socialiste është e vendosur që të çojë deri në fund propozimet e saj për të këtë sektor jetik. Propozimi i PS-së është heqja e akcizës për naftën dhe kjo do të thotë që 1 litër naftë të bëhet 135.6 lekë. Propozim tjetër është ulja e imputeve të tjera të produkteve të bujqësisë dhe heqja e TVSH-së për plehrat kimike”, – u shpreh Kodheli. Ndërsa lidhur me buxhetin familjar, PS ka propozuar që ta lehtësoje përmes uljes së çmimit të energjisë elektrike dhe përjashtimin nga TVSH të barnave e shërbimeve shëndetësore. Kodheli kërkoi angazhimin e mazhorancës në Kuvend për të shqyrtuar me seriozitet propozimet e Partisë Socialiste. “PS-ja ka sjellë këto 10 propozime me shpresën që ato do të diskutohen në mënyrë profesionale në Kuvend në mënyrë që në 1 janar shqiptarët të mund të lehtësohen nga barra e rëndë e taksave që po mbysin si bizneset shqiptare ashtu edhe familjet shqiptare”, – deklaroi deputetja e PS-së, Mimi Kodheli.

 

 

10 propozimet e PS-së

Të hiqet akciza për naftën

Një litër naftë nga 180 lekë që është të bëhet plotë 135.6 lekë

Ulja apo zerimi i inputeve të tjera të produkteve të bujqësisë

Furnizimi me farëra, fidanë, vaksina për fermat blegtorale të jenë furnizime të tatueshme në masën 10% nga 20% që është sot

Të përjashtohen të gjithë, jo vetëm ata që investojnë 50 milionë lekë, nga TVSH-ja për makineritë dhe pajisjet

Të mos rriten gjobat, të hiqet neni 5 i ligjit që e rregullon këtë marrëdhënie

TVSH-ja për energjinë elektrike e faturave të qytetarëve të zbresë nga 20% në 6%

Përjashtimi nga TVSH-ja e barnave

Pagat deri në 20 mijë lekë nuk do të ketë taksim mbi të ardhurat

Për pagat nga 20 deri në 40 mijë lekë, ai do të jetë vetëm 7%; nga 40 deri në 70 mijë lekë do të jetë 10%; nga 70 deri në 100 mijë lekë do të jetë 15%; nga 100 deri në 150 mijë do të jetë 18% dhe mbi 150 mijë lekë do të jetë 20%

 

 

Takimi me ish-ushtarakët, Rama: Largimet, me prapavijë politike

Në një tryezë me ish-ushtarakët, kreu socialist Edi Rama deklaroi dje se qeveria ka larguar një pjesë të madhe të tyre për arsye politike. Duke bërë prezantimin e programit për një “Rilindje shqiptare”, Rama në bashkëbisedimin me ish-ushtarakët theksoi se shqetësimet e tyre do të adresohen vetëm me ndryshimin e qeverisë aktuale. Për kryesocialistin, realiteti i hidhur në vend vjen për shkak të gjendjes së rrënuar të rendit dhe të ligjshmërisë dhe kjo sipas tij do të ndryshojë me qeverisjen e nesërme e cila tha Rama do të hapë një kapitulli të ri për të ndryshuar gjendjen dhe për t’i dhënë drejtimin e duhur zhvillimit të vendit.