Vendimi, Berisha: 20 mijë lekë shpërblim për festa për çdo pensionist

0
192

Ina Jano

berishaNga vendimi përfitojnë 560 mijë pensionistë

Kryeministri: Opozita të kërkojë falje që nuk bëri asnjë kërkesë për shpërblim ndaj punonjësve të administratës apo pensionistëve. Mazhoranca mban një premtim elektoral për të rritur pagat dhe pensionet

 

20 mijë lekë do të përfitojë çdo pensionist në Shqipëri me rastin e festave të fundvitit. Lajmin e mirë për të gjithë moshën e tretë e konfirmoi Kryeministri Sali Berisha, i cili në mbledhjen e qeverisë njoftoi për vendimin që ekzekutivi mori për të gjithë këtë kategori. Lideri i mazhorancës pohoi se pavarësisht kohëve të vështira ekonomike për eurozonën, në Shqipëri nuk ka krizë dhe kjo nuk e ndalon qeverinë që të shpërblejë të gjithë pensionistët me një shumë moderne për kontributin e tyre të madh që kanë dhënë gjatë viteve për ta shndërruar vendin, kështu si është sot. Nga vendimi në fjalë do të përfitojnë 560 mijë pensionistë në të gjithë vendin dhe vlera e përgjithshme në total është 12 miliardë lekë. “Dua të siguroj pensionistët se asgjë nuk mund të lëkundë vendosmërinë tonë për mbështetjen e tyre. Në asnjë rrethanë, qeveria nuk ka pasur ndërmend të përjashtojë nga shpërblimi, sado modest, 560 mijë gjysh e gjyshe, nëna e baballarë në pension, të cilët meritojnë shumë më tepër sa marrin, por që kanë konsideratën më të madhe nga kjo qeveri, që ka dhembshuri e respekt të madh ndaj tyre, vlerësim për kontributin që kanë dhënë në ndërtimin e kësaj Shqipërie, që sot është krejtësisht tjetër falë lumenjve të djersës e mundit të tyre”, – vlerësoi Kryeministri.Lideri i ekzekutivit tha se mediat e kontrolluara nga opozita disa ditë përhapën lajme të pavërteta, duke censuruar dhe fjalën e ministrit Bode, ndërsa nënvizoi se Partia Socialiste nuk bëri asnjë amendament, propozim apo kërkesë për të kërkuar shpërblimin e pensionistëve apo atë të administratës. “Ata nuk kërkuan as në Parlament, as në komision e askund, rritje apo shpërblim për pensionistët. Ndaj ftoj opozitën, e cila nuk votoi për rritjen e rrogave e të pensioneve apo nuk kërkoi shpërblimin e pensionistëve në fund të vitit, të paktën të kërkojë ndjesë publikisht dhe të mësojë se edhe ndjesa është dhunti e njeriut të qytetëruar. A mbani mend të ketë sjellë opozita ndonjë amendament për të rritur pensionet e rrogat? Sigurisht që jo. Por amendamenti i tyre për të përllogaritur borxhin si përqindje e GDP-së po regjistrohet në “Guinness”, si një gafë e përmasave ndërkombëtare. Ndërkohë që çdo gjimnazist, për shkak se tashmë në gjimnaz janë futur njohuritë ekonomike, e ka të qartë se borxhi nuk llogaritet ndryshe, veçse si përqindje e GDP-së. Por opozita jonë zbuloi Amerikën, në një kohë kur ajo është fuqia kryesore e botës! E kuptoni sikur të ishte në anën tjetër të hënës e jo në këtë planet”, – tha Berisha. Ky i fundit pohoi se në fakt e gjithë qeveria është e gatshme që të vijojë politikën e rritjes së rrogave dhe pensioneve si një premtim elektoral i kësaj mazhorance, dhe i Partisë Demokratike. Berisha tha se pavarësisht deklaratave të organeve ndërkombëtare për të mos bërë të tilla rritje, qeveria duhet që të shikojë interesin e parë të qytetarëve të saj atë të rritjes së rrogave dhe shtimit të të ardhurave në xhepin e tyre. “Kundërshtimi nga institucione ndërkombëtare për rritjen e rrogave e pensioneve nuk është marrë e nuk mund të merret parasysh nga kjo qeveri. Ata janë partnerë të shkëlqyer e ne kemi një mirënjohje të pakufishme ndaj punës e kontributit të tyre, por ne jemi të detyruar të mbajmë parasysh edhe interesat më të ngushtë, më imediate të punonjësve të administratës shqiptare dhe të pensionistëve shqiptarë dhe nuk ka interes më imediat se rritja e rrogave pensioneve, gjë të cilën ata e kanë të domosdoshme. Në asnjë rrethanë, qeveria nuk mund të pranojë që të ulet niveli i jetesës”, – tha shefi i ekzekutivit në mbledhjen e kabinetit qeveritar.