ASP organizon dialogun për përdorim efiçent dhe të qëndrueshëm të energjisë

0
172

ENERGJIAkademia e Studimeve Politike (ASP) dhe GIZ Albania, në kuadër të iniciativës rajonale “Dialogu me publikun për përdorimin e qëndrueshëm të energjisë në Evropën Juglindore” kanë organizuar paraditen e djeshme në një nga lokalet e qytetit një takim partneriteti me bashkinë e qytetit muze. Takimi i organizuar në formën e një tryeze të rrumbullakët me politikëbërës, ekspertë si dhe përfaqësues të shoqërisë civile e të biznesit ka pasur si qëllim diskutimin për temën e përdorimit të qëndrueshëm të energjisë në rajonin e Beratit. Veç pushtetarëve të tjerë vendorë, në këtë takim dialogues merrte pjesë edhe kreu i Bashkisë Berat, Fadil Nasufi. Takimin e hapi drejtori i Akademisë së Studimeve Politike, Erion Tase, i cili midis të tjerash tha se në përputhje me direktivat evropiane dhe paketën e udhëzimeve për energjinë dhe mbrojtjen e mjedisit, Shqipëria ka vendosur objektiva ambicioze që synojnë rritjen e efiçencës së energjisë me 9% deri në vitin 2018. “Për të arritur objektivin e rritjes së efiçencës së energisë, duhet të punojnë së bashku të gjithë sektorët e shoqërisë, jo vetëm institucione publike dhe legjislative, por edhe shoqëria civile, ndërmarrjet, mediat dhe secili individ”, – është shprehur drejtori i Akademisë së Studimeve Politike, Tase. Fadil Nasufi, kryetar i Bashkisë Berat, pasi ka bërë një paraqitje të shkurtër të situatës së konsumit të energjisë elektrike në institucionin e bashkisë dhe drejtorive vartëse, ka potencuar në domosdoshmërinë e përdorimit të lëndëve alternative të energjisë, sidomos për ngrohje siç janë drutë e zjarrit dhe bërësit e ullirit, lëndë që rajoni i Beratit ka rezerva të kënaqshme, por siç u shpreh ai, përdorimi i këtyre lëndëve alternative që do të mundësonte edhe kufizimin e energjisë elektrike të përdorur për ngrohje, është i pamundur, pasi institucionet publike, shkollat, kopshtet etj., nuk kanë oxhaqe dhe sistem për të përdorur këto lëndë të prodhimit të energjisë për ngrohje. “Ndaj duhet të kërkojmë që të gjitha projektet për ndërtimet e reja të jenë me sistem termoizolues dhe mundësi për përdorimin e lëndëve të tjera alternative të përdorimit të energjisë”, – u shpreh Nasufi. Në takim foli edhe Ismail Beka, përfaqësues i Bashkëpunimit Ndërkombëtar Gjerman (GIZ), Hysni Laçi, ekspert i pavarur etj.