Nxënësit jetimë në Kamëz kanë marrë dhuratat e tyre për festat e fundvitit. Në një aktivitet të organizuar nga Bashkia Kamëz fëmijëve jetimë u është dhuruar një shumë simbolike, bashkangjitur me një kartolinë, me anë të së cilës bashkia u ka uruar festat. Kryetari i bashkisë i uroi fëmijët t’i kalojnë këto festa sa më gëzueshëm, të lumtur e në paqe. “Ndihem shumë i lumtur që jam pranë jush në këtë takim të festave të fundvitit dhe ju uroj gëzuar! Bashkia do të jetë gjithmonë pranë jush, duke shfrytëzuar çdo mjet tjetër për t’ju gjendur pranë”, – u shpreh z. Mziu në fjalën e tij. Duke folur për ndihmën e dhënë shtresave të ndryshme sociale, kryetari i bashkisë tha se përveç ndihmës ekonomike akorduar nga qeveria, bashkia nga ana e saj ka dhënë kontributin e saj për të ndihmuar shtresat në nevojë. “Unë dua të falënderoj të gjithë ata që ju kanë mbështetur, që nga shkollat, mësuesit etj., ndaj edhe bashkia ka ndërmarrë këto nisma vit pas viti për t’ju mbështetur me një shumë financiare, por edhe duke ju dhënë një mbështetje morale”, – vijoi z. Mziu, duke shtuar se në shërbim të tyre do të jenë të gjitha objektet dhe mjediset e qytetit, si p.sh. pallati i ri i kulturës, ku ata do të kenë mundësinë të marrin pjesë e të kontribuojnë për gjallërimin e jetës kulturore, ashtu si edhe ambiente të tjera sportive, argëtuese etj. Kryebashkiaku e mbylli fjalën e tij duke premtuar edhe më shumë mbështetje dhe përkrahje në vitet në vazhdim, si dhe duke i uruar edhe një herë për festat e fundvitit. Krahas kësaj feste, bashkia organizoi të martën një tjetër ceremoni, ku kryebashkiaku i Kamzës u ndau dhurata dhe kartolina urimi 500 nxënësve të dalluar të qytetit, që nga kopshtet e deri në shkollën e mesme. Z. Mziu është shprehur se ata janë krenaria e gjithë Kamzës, jo vetëm e shkollave të cilat ata përfaqësojnë.