Kurset profesionale, programet e BE-së dhe arsimi profesional janë ndër arsyet kryesore për uljen e papunësisë
Papunësia ka kapur shifrat rekord në fund të këtij vitit. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punës, numri i të papunëve është ulur ndjeshëm, duke kapur nivelin 13%. Ulja e papunësisë në këto shifra ka qenë edhe një premtim i hershëm i qeverisë. Përgatitja e të papunëve nëpërmjet kurseve profesionale është një nga arsyet kryesore që ka bërë të mundur punësimin e qindra të papunëve. Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2012 punësimi u rrit me 0.3%, ndërsa për tremujorin e katërt pritet të ketë një rritje nga 01-0.2%, shifër e cila do ta çojë papunësinë në 13%. Punësimet në bujqësi janë një tjetër faktor që kanë ndikuar në uljen e papunësisë. Pak kohë më parë, ministri i Punës ka vlerësuar programin “Zhvillimi i Burimeve Njerëzore”, IPA 2010, i cili financohet nga BE-ja dhe ka bërë të mundur punësimit e qindra personave. Rritja e interesimit për të ndjekur arsimin profesional është një arsye tjetër sipas burimeve pranë Ministrisë së Punës. Sipas tyre, Ministria e Arsimit në vitet e fundit ka nxitur arsimin profesional, duke ndërgjegjësuar shumë të rinj se profesioni është një vend pune i sigurt.
Programet për 2013-ën
-Praktikat profesionale për punëkërkuesin e papunë që kanë mbaruar arsimin e lartë brenda ose jashtë vendit, i cili mundëson punësimin për një periudhë deri në 6 muaj të studentëve të sapodiplomuar.
-Programi i nxitjes së punësimit të femrave nga grupet e veçanta, i cili mundëson punësimin deri në 1 vit dhe punëdhënësi përfiton financimin në masën 100% të sigurimeve shoqërore dhe 4 paga minimale në shkalle vendi.
-Programi i nxitjes së punësimit të punëkërkuesve të papunë që hyjnë për herë të parë në punë, i cili mundëson punësimin për një periudhë 6-mujore të punëkërkuesve nga mosha 16-25 vjeç dhe siguron financimin në masën 100% të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore të punëdhënësit.
Fushat e tjera
INSTAT thekson se në sektorin e turizmit janë regjistruar dhe ushtrojnë aktivitet 17.113 subjekte. Po, sipas burimeve të ministrisë, gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti rritje ka shënuar edhe punësimi në sektorë si teknologjia e informacionit, industrisë përpunuese dhe ajo e shërbimeve. Për periudhën janar-korrik 2012 në 36 zyrat e punësimit (në të gjithë vendin) janë shpallur 10,000 vende të lira pune, ku 43.8% i përkasin industrisë përpunuese, 12% sektorit të informimit dhe komunikimit, ndërtimit 10.8% dhe shërbimeve 7.67%. Sipas të dhënave të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, zyrat e punës nëpërmjet shërbimit ndërmjetësues mes kërkesës dhe ofertës në tregun e punës kanë arritur të plotësojnë 70% të vende të lira. Gjithashtu, vihet re një lidhje e drejtpërdrejtë midis nivelit të punësimit dhe arsimimit. Në vitin 2009, 53.6% e të papunëve të regjistruar kanë arsim 8-vjeçar, 43.8% arsim të mesëm, dhe vetëm 2.6% arsim të lartë. Duhet pasur parasysh se në të dhënat nuk përfshihen të dhëna për punët private të padeklaruara.