Kreu i qeverisë pati dje një takim me krerët e komuniteteve fetare në vend, me rastin e festave të fundvitit. Me anë të një postimi në rrjetin shoqëror Facebook, Kryeministri tha se ishte shumë i lumtur për tolerancën fetare që ekziston në vend. Ai shkroi se ishte rasti për t’u shprehur mirënjohjen të gjithë krerëve të këtyre komuniteteve për të gjithë veprën e tyre. Në faqen e tij zyrtare në Facebook, zoti Berisha në krah të fotos së postuar shkroi: “Me krerët e të gjitha komuniteteve fetare në Shqipëri, në pritjen me rastin e festave të fundvitit. Ky ishte një rast i veçantë për mua për t’u shprehur atyre mirënjohjen më të thellë për veprën e tyre të ndritur si dhe për të gjithë besimtarët shqiptarë të krishterë, katolikë, ortodoksë, myslimanë dhe të gjithë atyre që i luten Zotit dhe i besojnë atij. Shqiptarët janë një komb i vogël, por shkëlqejnë shumë. Ata kanë një mesazh të çmuar për të gjitha kombet e tjera, harmoninë, mirëkuptimin, respektin absolut për besimin e tjetrit. Jam i bindur se nuk ka njeri më të qytetëruar se ai që respekton lirinë dhe besimin e tjetrit. Myslimanët shqiptarë janë myslimanët më të mirë të planetit, sepse nuk ka mysliman më të mirë sesa ata që respektojnë besimin e tjetrit. Katolikët shqiptarë janë katolikët më të mirë të planetit, sepse nuk ka katolik më të mirë sesa ata që respektojnë besimin e tjetrit. Ortodoksët shqiptarë janë ortodoksët më të mirë të planetit, sepse nuk ka ortodoks më të mirë sesa ata që respektojnë besimin e tjetrit”.