Blerta Mrishaj
Koalicioni Shqiptar për Sigurinë e Lodrave në këtë kuadër ka zhvilluar aktivitete në kopshtet e Tiranës dhe në qytete të tjera të vendit, me qëllim informimin e edukatoreve, prindërve dhe fëmijëve
Kujdes me blerjen e lodrave!
-Asnjëherë mos blej lodra pa shenjën CE: Mark CE është një angazhim i BE-së që një lodër përputhet me të gjitha rregullat e sigurisë të aplikueshme të BE-së, të cilat janë ndër më të rreptat në të gjithë botën
-Mos blej lodra me pjesë të vogla ndashëm për fëmijët nën tre vjeç
-Mbytja është një rrezik i veçantë për fëmijët nën tre vjeç, sepse ata kanë prirje për të vënë gjithçka në gojët e tyre
Në vendet e Bashkimit Evropian biberonët me Bisfenol A janë tërhequr nga tregu si dhe shumë lodra të tjera me përbërës kimikë, ndërsa vendi ynë vazhdon të tregtojë ende. Në prag të festave të fundvitit, veçanërisht në këtë periudhë, kur bëhen shumë dhurata, sidomos fëmijëve, CATS & LGZHI bën thirrje për sensibilizim në kuadër të festave për lodra të sigurta. Ndërkohë, rrezikshmëri paraqesin që nga kafshët e pellushit, trenat, kukullat mund të përbëjnë rrezik për fëmijët tuaj, nëse nuk bëni zgjedhjen e duhur. Ekzistojnë disa rreziqe që janë më pak të njohura gjerësisht, dhe mund të bëhen shkak për aksidente apo sëmundje të fëmijëve tanë.
Raportet
Komisioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Konsumatorët dhe Sigurinë e Produkteve (CPSC) paraqet statistikat e fundit lidhur me lëndimet dhe rastet fatale të fëmijëve lidhur me lodra. Raportet e rasteve fatale tek fëmijët që përfshijnë fëmijët më të vegjël se mosha 15 vjeç rezultojnë në 13 në vitin 2011, 19 viktima në vitin 2010 dhe 17 të raportuara në vitin 2009. Shumica e këtyre rasteve të viktimave lidhen me mbytjen e fëmijëve nga lodrat. Ky raport vlerëson 193.200 lëndime të fëmijëve nga lodrat, të cilët u janë drejtuar departamenteve emergjente për vitin 2011. Në vitin 2010, kishte rreth 251.700 raste të dëmtimeve të fëmijëve, të cilat lidheshin direkt me dëmtimet nga lodra të cilat janë trajtuara në Departamentet e emergjencës spitalore në SHBA, një shifër i cili nuk shfaqet statistikisht i ndryshëm nga vlerësimi për vitin 2009. Gjithashtu në Evropë ka informacione të konsiderueshme në lidhje me aksidentet dhe lëndimet në lidhje me lodrat për fëmijët nën moshën 3-vjeçare. SusySafe (një veprim i përbashkët i mbështetur nga Komisioni Evropian) ka krijuar bazën e të dhënave më të madhe të aksidenteve dhe të dhënave lidhur me lëndime të shkaktuara në fëmijët. Nga 16.000 raste në këtë bazë të dhënash 22 për qind janë të lidhura me lodrat. Numri i vlerësuar i incidenteve në vit tek fëmijët e moshës 0-14 në BE është rreth 50.000, nga ku 10 për qind e të cilave janë fatale.
Rreth 10.000 aksidente të tilla përfshijnë produkte të përgjithshme industriale, kryesisht pjesë plastike dhe metalike, monedhat dhe lodra. Nga 2000 incidente të vlerësuara në vit përfshijnë lodra, dhe viktima janë 420 fëmijë. Koalicioni Shqiptar për Sigurinë e Lodrave dhe Lëvizja e Gruas për Zhvillim Integral ne vazhdimin e Fushatës Sensibilizuese “Për një zgjidhje më të mirë për fëmijët tanë” ngre shqetësimin e madh se në asnjë raport të vendit tonë nuk ekzistojnë jo vetëm shifra apo studime lidhur me dëmtimet e fëmijëve nga lodrat, por nuk ekziston asnjë kontroll i organizuar nga organet shtetërore përkatëse për inspektimin e tregjeve ndaj produkteve lodra. Koalicioni Shqiptar për Sigurinë e Lodrave në këtë kuadër ka zhvilluar aktivitete në kopshtet e Tiranës dhe në qytete të tjera të vendit, me qëllim informimin e edukatoreve, prindërve dhe fëmijëve.