Kronika shkurt

0
199

policiaGjirokastër, kapen 135 kg drogë, në kërkim poseduesi

Policia e Gjirokastrës, si rezultat i një operacioni, sekuestroi rreth 135.3 kilogramë marijuanë, ndërsa është shpallur në kërkim transportuesi i lëndës narkotike nga fshati Lazarat. Drejtuesi i automjetit, porsa ka parë që e ndiqte policia, ka shtuar shpejtësinë dhe në fshatin Goranxi ka devijuar rrugën nacionale, duke u futur në një rrugë dytësore në drejtim të fshatit Bulo, por që nga shpejtësia e madhe ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një arë. Aty drejtuesi i automjetit ka braktisur automjetin dhe është larguar me shpejtësi duke përfituar nga errësira. Në bagazh dhe në pjesën ku vendoset sedilja e pasme u gjetën 123 pako të mbështjella me letër natriban. Nga peshimi i kësaj lënde narkotike rezultoi se pesha maksimale e saj arrinte në 135.3 kilogramë. Përgjatë natës së djeshme, policia e Gjirokastrës ka kryer disa kontrolle në banesat ku mendohet se fshihej autori i këtij trafiku droge,por nga kontrollet nuk është arritur të gjendet poseduesi i drogës.

Hyjnë për të vjedhur në oborr, të miturit kapen nga pronari i shtëpisë

Dy të mitur kishin hyrë në një shtëpi për të vjedhur, por janë kapur nga i zoti. Ngjarja ka ndodhur pasditen e të premtes në zonën e Unazës së Re në kryeqytet. I zoti i shtëpisë ka lajmëruar menjëherë policinë, ndërsa ka mbajtur dy të miturit, N. Pepkola dhe L. Muslia, 10-12 vjeç. Dyshohet se fëmijët kanë pasur bashkëpunëtor në vjedhje. Policia mbërriti më pas dhe ka nisur procedurat për akuzën e vjedhjes ndaj dy minorenëve. Gjatë marrjes në pyetje, ata kanë treguar se kanë hyrë në oborrin e banesës për të vjedhur materiale ndërtimi, por që në fakt janë pikasur shpejt nga i zoti i shtëpisë. Aktualisht dy të rinjtë do të hetohen dhe gjykohen në gjendje të lirë, për shkak të moshës tepër të vogël që kanë.

Prangosen tre persona, vidhnin pasqyrat e automjeteve në Tiranë

Forcat e policisë së komisariatit nr. 4 në Tiranë kanë arrestuar tre persona të dyshuar si autorë të mbi 20 vjedhjeve të pasqyrave të automjeteve në kryeqytet. Pas një hetimi disa mujor, oficerët e policisë së krimeve arritën të bien në gjurmët e të rinjve duke bërë të mundur kështu dhe arrestimin e tyre. Nga burime zyrtare, të rinjtë kryenin aktivitetin e tyre në zonat periferike të kryeqytetit dhe më pas i shisnin në tregun e zi. Policia nuk bën të ditur emrat e të arrestuarve, por sqaron se tre persona kanë vepruar në mënyrë të organizuar edhe me persona të tjerë, për të cilët po punohet me qëllim lokalizimin dhe arrestimin e tyre. Grabitësit vepronin në zona të ndryshme të Tiranës, dhe më pas sendet e vjedhura të makinave i shisnin tek persona të tjerë ose tek serviset e automjeteve.