“Bie Rilindja”, PS: Për ndryshimin e vendit na duhen dy mandate

0
145

Gëzim Saliu

kodjheliKodheli: Situata ekonomike dhe papunësia e bëjnë të pamundur ringjalljen e vendit për 1 mandat

 

Partia Socialiste vlerëson se me situatën aktuale ekonomike dhe nivelin e papunësisë që është krijuar në vend, ndryshimi i vendit, sipas programit socialist, mund të vijë vetëm pas dy mandatesh qeverisjeje. Edhe pse më parë Partia Socialiste, nëpërmjet kreut të saj Edi Rama dhe përfaqësuesve të lartë të selisë rozë, ka pohuar se programi për një “Rilindje Shqiptare” për zgjedhjet e 2013-ës, i cili parashikon një ecuri për katër vite, do të zgjidhte vështirësitë e vendit, tani duket se ky premtim ka marrë një rrjedhë ndryshe. Anëtarja e kryesisë së PS-së pohoi dje se socialistëve do t’u duhen 8 vite për të bërë të mundur ndryshimin që parashikohet në programin e opozitës. “Kjo e bën të pamundur rigjenerimin e ekonomisë shqiptare dhe uljen e papunësisë që janë dy indikatorë që e çojnë ekonominë përpara. Kjo e bën të pamundur ringjalljen e Shqipërisë. Është e pamundur që ekonomia shqiptare këtu ku ka shkuar të mund të rimëkëmbet plotësisht me një mandat, prandaj programi ynë do të jetë i shtrirë në dy mandate dhe me shpresën që në fund të këtyre dy mandateve Shqipëria do të jetë absolutisht një vend i barabartë me të gjitha parametrat me një vend të zhvilluar evropian”, – tha Kodheli.

 

Buxheti

Sipas nënkryetares socialiste të Komisionit të Ekonomisë, buxheti i vitit të ardhshëm do të rrënojë vendin. Deputetja Kodheli pohoi se politikat financiare të qeverisë nuk janë duke dhënë rezultatet e duhura, duke nënvizuar se 62% e familjeve shqiptare sot janë të varfra, ndërsa 13.3% jetojnë në kushte dhe skamje ekstreme. “Buxheti i 2013 është buxheti i rrënimit ekonomik. Ky është kapaku i rrugës së greminës që ekonomia shqiptare ka marrë që kur kjo mazhorancë mori pushtetin në dorë. Në fakt nuk jemi ne që e themi këtë e thonë institucionet ndërkombëtare, prestigjioze, të cilat e kanë nxjerrë Shqipërinë një ndër vendet më të varfra në botë me 62.1 për qind të popullsisë në nivel varfërie dhe 3.3 për qind e popullsisë në varfëri ekstreme. Këto janë shifra që krahasohen vetëm me vende të Afrikës”, – u shpreh deputetja socialiste. Ndërkohë që vetëm pak ditë më parë, në kuvend u miratua në tërësi buxheti i vitit 2013 me 72 vota pro dhe 60 kundër. Nga ana e saj mazhoranca qeverisëse ka vlerësuar buxhetin e vitit 2013, si buxhetin historik të Shqipërisë, hartuar në një kohë krize në mbarë botën dhe që synon mirëqenien e qytetarëve. “Buxhet që arrin vlerën prej 410 miliard lekësh, buxhet i cili ka si synim madhor rritjen e mirëqenies suaj të dashur qytetarë dhe qytetare shqiptare, rritjen e kësaj mirëqenieje. Objektivi numër një i qeverisë ka qenë dhe mbetet rritja e rrogave dhe pensioneve të administratës shqiptare. Opozita është unike në botë që nuk votoi buxhetin që më shumë se çdo buxhet tjetër në historinë e shqiptarëve shndërrohet në para në xhepat e 800 mijë familjeve, nuk votoi buxhetin që më shumë se çdo buxhet tjetër shndërrohet në rrugë, shkollë për qytetarët shqiptarë”, – pohoi kreu i qeverisë Berisha në reagimin e tij ndaj akuzave të PS-së për buxhetin. Buxheti i miratuar i vitit 2013, ka parashikuar një nivel të ardhurash rreth 360.7 miliardë lekëve, me një rritje prej 5.8% kundrejt të ardhurave të pritshme për vitin 2012 ose në nivelin 25.2% të PBB-së.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency