DIFERENCËN E BËN WC-JA

0
167

europaNe duam të integrohemi, në Evropë, duke ia deleguar këtë proces aktorëve politikë. T’i përmbysim prioritetet. Le të provojmë një herë të vetme ta tejkalojmë politikën. Përse të mos e fillojmë nga WC-ja, ose siç i themi popullore, haleja? Kafeja–Kafea… Haleja-Halea, do ta vinte në një diskutim ekzistencialist gjuhësor shkrimtarin Ismail Kadare. Por, në fund të fundit, nevojtore është, do të thoshte ende mentaliteti shqiptar, sidomos kur bëhet fjalë për ato publike, qoftë edhe nëpër shkolla, ku edukohet një brez i internetit, kibernetikës apo i ekraneve shumëdimensionale. Ky mentalitet na largon mijëra kilometra virtual, nga Evropa, që po e dëshirojmë, deri në marrëzi.

Përpara 100 vitesh disa misionarë amerikanë dhanë një ndihmë serioze dhe të përkushtuar me idetë e tyre humanitare, në fushën e arsimit, duke hapur disa shkolla në Shqipëri. Ndërsa po shfletoja materiale për këtë temë, më tërhoqi vëmendjen sistemi amerikan, i cili synonte, jo vetëm të implementonte dije, por edhe të forconte karaktere dhe të riformatonte mentalitete. Konceptimi amerikan mahniti publikun shqiptar të asaj kohe. Midis shumë elementeve, më tërhoqi vëmendjen elementi WC, higjiena e së cilës ishte parësore, në një kohë që mentaliteti shqiptar e trajtonte si fundore. Për një koincidencë të çuditshme, pikërisht ato ditë dëgjova ankesën e disa fëmijëve për banjat e shkollës publike në Tiranë, ku ata mësonin, të cilat ishin ekstremisht të ndotura dhe nuk mundeshin t’i frekuentonin. Meqenëse librat me kishin zhvendosur 100 vjet mbrapa, m’u vra veshi dhe m’u ravijëzua “realiteti absurd”. Nuk po e ndaja dot, nëse ishte absurd ajo çka arriti shkolla amerikane, përpara 100 vitesh, apo ajo çka po ndodhte me haletë e “Shqipërisë evropiane”, pas 100 vitesh.

Interesohem dhe informohem që kjo situatë ndodh në të gjitha shkollat publike, në Tiranë, dhe është shndërruar në një “fenomen ndotjeje”. Natyrshëm, arsyetoj që është mentalitet, për sa kohë tashmë të gjitha shkollat në Tiranë, ose janë krejt të reja dhe moderne, ose janë të rikonstruktuara, sipas modeleve evropiane (kjo gjithmonë në fasadë).

Po Evropa, si i ka raportet me haletë? Për ilustrim, po përmend një itinerar që më është dashur të përshkruaj 15 vjet përpara, me autobus, Tiranë-Vlorë-Otranto-Rimini-Romë-Torino-Paris. Ajo çka nuk na diferenconte me Evropën, ishin bukuritë natyrore dhe e kupton sa bujar është treguar Zoti me ne. Ajo çka na diferenconte dramatikisht, ishin haletë-nevojtore.

Gjatë këtij rrugëtimi, duke avancuar, lart e më lart, drejt Evropës “çështja WC” komplikohej nga ora, në orë. Herë-herë, na dukej absurd, herë-herë, makth, herë-herë, komedi. Nevoja, nga personale, shndërrohej në grup dhe duhej detyrimisht, trajtuar në komunitet, pasi nuk menaxhonim dot më situatën. Teknologjia e haleve ishte tejet e avancuar, sa më lart marshonim drejt Parisit.

Kjo çështje u shndërrua në ilaritet, midis grupit, pasi na duhej të pyesnim njëri-tjetrin se si të vepronim, kur ishim në intimitet (me WC-në, e kisha fjalën). Deri në momentin që kishte butona edhe orientoheshim. Ndodhte që, kur shtypnim një buton dhe prisnim të dilte ndonjë vijë uji, na përplasej në fytyrë ndonjë shtëllungë ajri. Kur nuk dukej asnjë buton dhe të duhej të lëvizje duar e këmbë, në mënyrë kaotike, atëherë ishim në pamundësi dhe problemi komplikohej. Ta mendosh se kjo skenë absurd-komike luhej në autogrilat e Italisë apo të Francës, pjesë të margjinalizuara të këtij qytetërimi. As mund të mendohet që në shkolla të manifestohet “fenomeni hale”.

Bëhet fjalë për 15 vjet përpara, kur Evropa ishte një “realitet tjetër”, siç e përshkroi edhe ambasadori francez në Tiranë i asaj kohe, kur na dha lamtumirën në rrugëtimin drejt Francës (ne ishim një grup gazetarësh nga RTSH-ja, që do të vizitonim Parisin dhe personalitete atje). “Ju atje do të përballeni me një realitet të ndryshëm, nga ai i këtushmi”, – u shpreh ai, me shumë delikatesë, për të na kujtuar që jemi ndryshe Evropës. Sapo kishim dalë nga një luftë, gati civile e ‘97-ës, dhe për ne “haleja evropiane” ishte një luks i tepërt. Sot, është domosdoshmëri evropiane apo fillimi i transformimit të mentaliteteve. Realitetet janë mentalitete. Në mënyrë që të barazojmë realitetet evropiane, duhet të barazojmë mentalitetet evropiane.

Mbase do të dukej shumë groteske të përmendja një shkrimtar shumë të njohur italian, Dinno Buzzati-n, i cili kishte një ide shumë origjinale, për sa u përket nevojtoreve. Ai i dëshironte dhe i ideonte në një nga tregimet e tij gati si një vepër e artit. “Banja duhet të jetë pjesa më e bukur e një shtëpie”, – shkruante ai. Sipas arsyetimit të tij, pjesa më kafshërore dhe instiktive e njeriut duhet të ngrihet në një nivel shumë të lartë, mundësisht drejt së bukurës. Përballë veprës së artit buxatian qëndron gropa e zezë (siç e kanë konceptuar, deri pak më parë nevojtoren në disa zona të Shqipërisë). Në këto zona, banja ishte krejt e patrajtuar, jashtë shtëpisë, ku banohej apo thjesht një gropë.

Më falni se mbase e teprova me Buzzati-n, pasi jemi kilometra dritë larg këtij koncepti. Por, edhe ai mbase e tepron, kur e dëshiron halenë një vepër arti. Megjithatë, në Evropë, ajo është teknologjia e fundit dhe vërtet të fut në mëdyshje ekzistencialiste, nëse mundesh apo jo të kuptosh se si funksionon (haleja publike).

Amerikanët e fillonin formimin nga mirëqenia shpirtërore (muzikë, art) dhe fizike (pastërti, ku detyrimisht përfshihej WC-ja). Një stad, të filluar 100 vjet më pare, ta avancojmë më tutje. Fatkeqësisht, mentaliteti i gropës së zezë vazhdon të depërtojë tek fëmijët që formohen në këto shkolla. Kur të kontrollojnë instancat përkatëse, dijet e nxënësve ta fillojnë nga këto gropa thithëse.

Se përse elementi WC për këtë popull, në një kulm shtëpie, ka rezultuar i fundit për nga rëndësia, nuk i dihet rrënja. Ishte fukarallëku apo diç tjetër, këtë sot ne nuk mund ta ndajmë dhe nuk mund të fajësojmë askënd. Mbase na pengon ende nocioni shtetëror, publik, kur bëhet fjalë për banja ose hale publike. Publike, në konceptin evropian, është e përbashkët, ndërsa publikja, në shqip, do të thotë jo e imja.

Integrimi i Shqipërisë në Evropë ishte ëndrra e madhe e 20 viteve më parë, kur slogani “E duam Shqipërinë, si e gjithë Evropa” ishte i mirë për kohën. Të mbetemi sot, tek sloganet “të integrohemi me Evropën”, pas 20 vitesh, është e keqe. Dhe sigurisht, kjo e bën publikun shumë nervoz, aq më tepër, kur etiketohemi si ngelës në klasë apo cilësohemi politikisht të paaftë për të dalë përtej interesave partiakë, sigurisht tek tema e nxehtë “Integrimi në Evropë”. Bombardohemi nga frazat: “Të kalohen ligjet, nëse duam Evropën; zgjedhjet e ardhshme peng”. Këto ditë, mësojmë se na jepet ende një shans nga Evropa, e cila dëshiron të zgjerohet drejt Ballkanit Perëndimor dhe deri në mars është një afat tjetër, që na ofrohet.

Ajo çka duket më e vështirë se ndërrimi i politikave apo qoftë edhe politikanëve, është ndryshimi i mentaliteteve, gjë që realisht po rezulton e vështirë dhe pengues-integruese. Evropa, përpara se të jetë mirëqenie, është mentalitet i avancuar. Të përpiqemi, së pari, të sistemojmë mentalitetin e halesë se më pas natyrshëm jemi të gatshëm për t’u integruar në mentalitetin evropian, më pas në mirëqenien e tij.

Me ndryshimin e mentalitetit të halesë, do apo nuk do politika, do apo nuk do Evropa, (sigurisht disa segmente) ne do të jemi faktikisht pjesë natyrale dhe e denjë e saj. Pikërisht, haleja diferencon Evropën, mentalitetin dhe mirëqenien e saj.