Intervistoi: Violeta Murati
Trashëgimi/ Specialisti i restaurimeve Frederik Stamati tregon për gjendjen e armëve origjinale çfarë trashëgojmë nga koha e Skënderbeut
Procesit të përzgjedhjes paraprake iu nënshtruan më shumë se dy mijë armë dhe aksesorë të armatimit. Pastaj u përqendruan, tregon Stamati, në një të dhjetën e tyre, pasi u ishte thënë se në ekspozitë armët e traditës nuk mund të pasqyroheshin me më shumë se 100-120 copë. Pastaj i erdhi radha shqyrtimit në vend. Për këtë muze janë konsultuar me armët e muzeve të Lezhës, Durrësit, Shkodrës, Kavajës, Elbasanit, Fierit, Korҫës, Gjirokastrës.
A jemi, ne, në gjendje të kemi një histori të ngritur mbi objekte origjinale? Deri tani kësaj pyetje u përgjigjeshin muzetë kick të ndërtuar nga modeli socrealist në Shqipëri, dhe pothuaj ky model ka mbetur në gjumë për 20 vjet. Ose e kundërta janë shkatërruar dhe ato pak pasuri që mund të quhen trashëgimi, si e kaluar që u përgjigjet objekteve origjinalë.
Në idenë për të njohur përmasën e objekteve origjinalë që zotëron vendi ynë, si në muzeume dhe jashtë tyre, duket se shoqëroi ekspozitën e hapur nga Ministria e Mbrojtjes pak ditë më parë.
Iu drejtuam për një njohje më të gjerë mbi këtë realitet, specialistit të restaurimit të objekteve arkeologjike Frederik Stamatit, njëkohësisht njohës e restaurues i armëve të vjetra, të traditës, si dhe shpatave që ndodhen në gjithë Shqipërinë nga koha e Skënderbeut.
Stamati ishte përgatitësi i platformës për sektorin ku u ekspozuan armët, jo ato industrial, por ato të prodhuar në rrugë artizanale. Duke e ditur se çfarë kanë në ruajtje muzeumet, Stamati thotë se menduan së pari të shikonin se çfarë do të bënim për të plotësuar sa më mirë periudhat e ndryshme. Fjala ishte për periudhat historike, si ajo e Skënderbeut, organizimi i kryengritjeve të herëpashershme dhe ato për pavarësi. Njëkohësisht duhej të plotësoheshin sa më mirë me të gjithë arsenalin luftarak të kohës. Procesit të përzgjedhjes paraprake i u nënshtruan më shumë se dymijë armë dhe aksesorë të armatimit. Pastaj u përqendruan, tregon Stamati, në një të dhjetën e tyre, pasi u ishte thënë se në ekspozitë armët e traditës nuk mund të pasqyroheshin me më shumë se 100-120 copë. Pastaj i erdhi radha shqyrtimit në vend. Për këtë muze janë konsultuar me armët e muzeve të Lezhës, Durrësit, Shkodrës, Kavajës, Elbasanit, Fierit, Korҫës, Gjirokastrës, etj. Mbas përzgjedhjes dhe plotësimit të dokumentacionit në bazë të legjislacionit për trashëgiminë, ishin strukturat ushtarake që i transportuan ato në Tiranë. Ndërsa Stamati na tregon se si janë ruajtur këto armë në kohën e Enverit kur teknologjia dhe mjetet mungonin krejtësisht.
Si lindi ideja e hapjes së kësaj ekspozite?
Nuk jam në dijeni se cili ishte nismëtari për organizimin e kësaj ekspozite. Në muajin prill të këtij viti më thërritën në Qendrën Kulturore të Ushtrisë. Atje edhe u njoha me vendimin për hapjen e ekspozitës së armëve. Meqë kam punuar shumë me armët dhe e njoh pak a shumë gjendjen e tyre në muzeumet e Shqipërisë, si për sa i përket anës fizike të ruajtjes por edhe të llojeve, e periudhave të cilave u përkasin, m’u kërkua që të përgatis platformën për sektorin ku do të ekspozoheshin armët e traditës, pra jo ato industriale, por ato të prodhuara në rrugë artizanale.
Ju jeni një nga gjurmuesit më fanatik të armëve në Shqipëri, a mund të na tregoni itinerarin që keni përshkruar për mbledhjen e kësaj pasurije pranë Muzeut të Ministrisë së mbrojtjes?
Ishim dy vetë, unë dhe Z. Koҫo Gjipali. Duke e ditur se çfarë kanë në ruajtje muzeumet, fillimisht menduam se çfarë do të bënim për të plotësuar sa më mirë periudhat e ndryshme. E kam fjalën për periudhat historike, si ajo e Skënderbeut, organizimi i kryengritjeve të herëpashershme dhe ato për pavarësi. Njëkohësisht duhej të plotësoheshin sa më mirë me të gjithë arsenalin luftarak të kohës. Procesit të përzgjedhjes paraprake i u nënshtruan më shumë se dymijë armë dhe aksesorë të armatimit. Pastaj u përqendruam në një të dhjetën e tyre, sepse na ishte thënë që në ekspozitë armët e traditës nuk mund të pasqyroheshin me më shumë se 100-120 copë. Pastaj i erdhi radha shqyrtimit në vend. Kështu u konsultuam me armët e muzeumeve të Lezhës, Durrësit, Shkodrës, Kavajës, Elbasanit, Fierit, Korҫës, Gjirokastrës, etj. Mbas përzgjedhjes dhe plotësimit të dokumentacionit në bazë të legjislacionit për trashëgiminë, ishin strukturat ushtarake që i transportuan ato në Tiranë.
Pas këtij turi si rezulton gjendja e armëve. Dimë që ju jeni marrë me restaurimin e disa prej tyre.
Po të tregoj një kuriozitet. Fillimisht jam marrë me to në vitin 1974, kur po përgatisnim ekspozitën “Arti shqiptar në shekuj”, që u hap në Paris. Nuk kisha shumë kohë që kisha filluar punën. Asnjë eksperiencë e trashëguar, asgjë. Gjithçka nga e para. Të gjitha më është dashur t’i filloj nga e para, jo vetëm për armët! Erdhi një moment që nuk po dija se çfarë të bëja. Drejtor të institutit kishim Prof. Stefanaq Pollon. Atëherë i bëra një letër, ku i kërkoja që të sillnin specialistë nga jashtë. S’do mend që nuk i solli njeri!Përveshëm mëngët, vërtet që përveshëm mëngët, se ishte verë dhe i kemi fërkuar pjesët e çelikta të armëve me gjalpë, në të cilin shtuam pluhur abraziv. Laboratori ishte në fillimet e veta, nuk kishte pajisje. Kurse pjesët e argjendta, apo të lara me ar, i pastruam kimikisht. Kur u kthyen objektet nga Franca pyeta Pano Meksin, që e kishte shoqëruar ekspozitën, për përshtypjet. Francezët kishin thënë se ishim futur thellë.
Eksperienca e dytë ishte me Muzeun Historik Kombëtar dhe e treta me Muzeun e Artit Mesjetar të Korҫës. E ndieja veten të sigurt.
Ndërsa me shpatat e fitova sigurinë teknike, apo shkencore, vetëm tetë vjet më parë.
Me gjithë këtë eksperiencë natyrisht që mund të gjykoj për gjendjen e tyre në muzeumet e Shqipërisë. Ato që janë të restauruara dhe ruhen në Qendrën e Studimeve Albanologjike, ato të Muzeut Historik Kombëtar dhe ato të Korҫës, sepse edhe ato i ka trajtuar po i njëjti laborator, janë mirë, ose shumë mirë. Në muzeumet e tjera gjendja është një katastrofë e vërtetë trashëgimie. Nuk ka se ku të shkojë më keq!
Me që është rasti po u tregoj se koburet që i kemi restauruar për Muzeun e Artit Mesjetar tridhjetë vjet më parë, ruhen në gjendje të shkëlqyer. Kjo tregon për një punë shumë të mirë dhe kjo eksperiencë duhet të jetë baza e restaurimit të armëve në muzeumet tona.
Cilat janë reliktet që keni gjetur dhe që na shtyjnë historinë e zbulimeve të armëve në vend?
Gjatë këtij turi jo aq shumë. Në përgjithësi e dinim gjendjen. P.sh. e dija se në Shqipëri ruhen katër shpata me stampën “Ujku që turret” Ato janë prodhuar në Passau apo Solingen. Skënderbeu mori mercenarë nga Gjermania për betejën e dytë të Sfetigradit, që u bë në 1449. Mercenarët kishin edhe armatimin e tyre, të sjellë që andej. Kështu, mund të hamendësojmë se ky është një armatim i përdorur në kohën e Skënderbeut. Dhe themi se nuk kemi gjë nga ajo periudhë! Natyrisht që studimet duhen saktësuar më tej dhe duhen plotësuar. Atëherë përse rrijnë të paekspozuara në depo ku po i grin ndryshku? E morëm një në Elbasan dhe e kemi ekspozuar. Por mendimi im është se këto armë e kanë vendin e tyre ose në Muzeun memorial “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” në Krujë, që të mos jetë aq memorial, ose në Muzeun Historik Kombëtar. Gjetëm edhe një të një lloji tjetër në Muzeun e Armëve në Gjirokastër.
Shumë interesante ishte vizita që bëmë në një repart ushtarak, ku ishin depozituar armë për demontim. Duke i kontrolluar gjetëm armë të shek XIX, që nuk i disponojnë muzeumet tona. Natyrisht që i veçuam menjëherë. Në fakt vetë ushtarakët e repartit e kishin bërë një punë paraprake. Tani presim që të bëjmë një inspektim më të hollësishëm në shërbim të pasurimit të muzeumeve tonë, që të mos përfundojë edhe kjo punë si historia absurde e lokomotivave dhe vagonëve që u shkrinë mbarë në Elbasan, duke e “tharë” përgjithmonë mundësinë e ngritjes së një muzeumi për transportin hekurudhor në Shqipëri. Dhe kishte lokomotiva dhe vagonë që nga shek XIX!
Interesant është edhe rasti i gjetjes në muzeun e Elbasanit e një dyfeku të prodhuar në vend dy shekuj më parë. Ose ai jatagani i papërfunduar nga Muzeu etnografik i Durrësit, që është një rast shumë domethënës.
A mendoni se ministria është institucioni i duhur për mbajtjen e një muzeu të tillë në krahasim me institucionet ndoshta përgjegjëse që i kanë këta lloje muzeumesh?
Deri tani kemi të bëjmë me një ekspozitë. Me siguri që do të marri statusin e një muzeu. A mund të jetë në vartësi të Ministrisë së Mbrojtjes?
Kam pasur rastin që të vizitoj disa muzeume armësh dhe muzeume të tjerë që kanë armë në disa shtete të Evropës. Po ju sjell shembullin e Greqisë. Atje nuk quhet Muze armësh, por Muze i luftës. Është në vartësi të ministrisë së luftës, apo të mbrojtjes, nuk e di se si quhet në Greqi. Ai ka të gjitha atributet e një muzeu kombëtar. Ka personelin e vet, historianët, laboratorin, etj. E kam vizituar dhe jam njohur me problemet e restaurimit dhe të konservimit që në fillimet e veta. U deshën disa vjet për tu bërë një muze modern, me të gjitha kërkesat shkencore dhe teknike të një muzeu. Shefi i laboratorit ishte kimist, i specializuar më tej në Londër, me grada shkencore. Pra asgjë ndryshe nga muzeumet që varen nga ministria e kulturës, asgjë më e munguar.
Tek ne nuk është problem nëse një muze varet nga ministria që mbulon kulturën, apo nga ministritë e tjera. Problemi tek ne konsiston tek konceptet. Vetë ministria që mbulon kulturën nuk ka asnjë lloj koncepti konservues dhe nuk zbaton asgjë nga konservimi, as që e njeh. Merren specialist të vetëshpallur për muzeume dhe projektojnë ajrin e kondicionuar nëpër muzeume, vitrinat, ndriçimin etj., pa e njohur fare teknologjinë e muzeumit për konservim dhe kështu, në vend që të bëhet konservim, krijojnë premisa për dëmtim të objekteve. Ose shikoni muzeumet në vartësi të bashkive. A ka një fjalë konservim në ta? Apo le të shkojmë tek Muzeu i Armëve në Gjirokastër. A ka shembull më domethënës që të tregojë se problemi nuk qëndron tek vartësia, por tek konceptet e munguara, të cilat duhet të funksiononin dhe të ndiqeshin nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, që duhej të bëhej barrierë e mosrealizimit të konservimit, apo të një konservimi pa teknikën përkatëse të konservimit, që në projektim? Prandaj, në se gjërat do të funksionojnë sipas standardeve teknike, nuk ka asgjë të keqe në se muzeu varet nga Ministria e Mbrojtjes. Por edhe në këtë rast duhet konceptuar se muzeu është punë e një stafi teknik, të specializuar në këtë fushë.
Sa origjinalë jemi në prezantimin e relikteve nga e shkuara, sidomos referuar gjetjeve më të hershme, kujtoj se shumë prej muzeumeve tona mbahen me gjëra që nuk kanë lidhje me kohën, apo në ironi me vetë fjalën muze, si perceptim?
Në këtë ekspozitë ka vetëm tre objekte të cilët nuk janë origjinalë, dy ushta të marra nga Muzeu i Kapitenarisë në Kalanë e Rozafës dhe nji hark për shigjeta nga Muzeu Etnografik i Krujës. E vetmja arsye ishte se nuk gjenim objekte të tillë origjinalë. Të gjithë objektet e tjerë janë origjinalë.
Kur datojnë armët dhe llojet e tyre, si më të hershmet të shënuara deri tani?
Armët më të hershme që janë paraqitur në këtë ekspozitë janë dy shpata të vendosura në dhomën kushtuar Skënderbeut. Ato datojnë të shek. XIV.
E vlerësoni mjaft hapjen e këtij muzeu, madje thoni se është më i pasur se ai i armëve në Gjirokastër. Ku e mbështesni këtë?
Po, e vlerësoj. Një ekspozitë e tillë dhe muze i ardhshëm, ishte i domosdoshëm. Mos harroni se është Ekspozitë e Forcave të Armatosura dhe jo muze armësh. Por ai përfshin brenda një shumëllojshmëri armësh, sa që mund të thuash pa frikë, se e përfshin një të tillë në linjën e tij. Eksponatet e paraqitura aty arrijnë në rreth 1100 copë. Shumëllojshmëria e objekteve të kësaj ekspozite nuk është në Muzeun e Gjirokastrës. Pastaj le të marrim ecurinë në të ardhmen. Kjo ekspozitë do të jetë bazë për muzeun e ardhshëm, i cili do të ketë më shumë kohë në dispozicion për t’u plotësuar, për konceptime të tjera, për restaurime, laboratorë etj. Do të ketë shumë më tepër mundësi për t’u zhvilluar se sa Muzeu i Gjirokastrës, i cili për mendimin tim nuk ka vëmendjen e duhur.
A ka ndonjë propozim nga ana juaj pas kësaj pune në hapjen e Muzeut të Mbrojtjes?
Po! Propozimet tona qëndrojnë në kërkimin e llojeve të armëve të paekspozuara, të uniformave, dekoratave dhe e të gjithë materialeve të përdorura nga ushtria. Nuk është e thjeshtë mbas shkatërrimeve që kanë ndodhur. Gjithashtu propozimet tona konsistojnë në krijimin e fondeve, të laboratorëve të specializuar për restaurimin e armëve dhe të flamujve historikë. Kështu dhe vetëm kështu do të mund të shpëtojmë armët që po i ha ndryshku edhe në muzeumet e tjera të Shqipërisë. E kemi aq eksperiencë dhe unë jam skeptik për një rrugë tjetër. Për mua do të jetë ushtria që do të shpëtojë armët historike në Shqipëri.