Blerta Mrishaj
Njëmbëdhjetë vendime që prekin strehimin, taksat, biznesin, pagat, punonjësit e bashkisë, transportin urban, planin urbanistik dhe buxhetin
Plani urbanistik, buxheti i Tiranës për vitin 2013 dhe një sërë vendimesh që prekin jetën e kryeqytetasve dhe biznesin, do të diskutohen mbledhjen e 24 dhjetorit në Këshillin Bashkiak. Vendosur për t’u mbajtur në mëngjesin e të hënës, 11 vendimet që do të diskutohen, mbyllin kështu siparin e punimeve të këtij këshilli për 2012-ën. Kjo mbledhje pritet të jetë maratonë, për shkak të volumit të materialeve që do të shqyrtohen edhe për rëndësinë që paraqesin, pasi do të diskutohet për buxhetin që do të ketë Tirana vitin e ardhshëm, si dhe Plani i Përgjithshëm Urbanistik.
Mbledhja
Në rendin e ditës vendimi i parë që i është paraqitur këshillit për miratim prek të gjithë kryeqytetasit, pasi bashkia ka vendosur të rishikojë sistemin e taksave dhe tarifave vendore, duke bërë disa ndryshime. Më pas pika e dytë për të cilën do të diskutohet, ka lidhje me një masë subvencionuese që ka vendosur të japë Bashkia e Tiranës për 30 biznese që u prekën nga djegia e aktivitetit të tyre gjatë rënies së një zjarri. Konkretisht, vendimi përcakton një masë përjashtuese të taksave të këtyre bizneseve, në të njëjtën kohë ulje të taksave për librashitësit dhe luleshitësit. Vendimi mbase më i rëndësishëm i mbledhjes lidhet me miratimin e buxhetit të vitit të ardhshëm, ku ndër të tjera do të miratohet edhe programi buxhetor afatmesëm 2013-2015 dhe detajimit të buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2013. Ndërkohë, vendimet e këtij këshilli prekin edhe mënyrën e funksionimit të bashkisë dhe riorganizimin e strukturave, ku tri vendime të veçanta, praktikisht vendimet për “Miratimin e strukturës organizative të aparatit të Bashkisë së Tiranës”, “Për një ndryshim në numrin e punonjësve të Policisë Bashkiake të Bashkisë së Tiranës”, “Për riorganizimin e strukturës organizative të disa institucioneve në varësi të Bashkisë Tiranë” si dhe për miratimin e Planit të Përgjithshëm të Bashkisë Tiranë dhe instrumenteve vendore të planifikimit, pjesë përbërëse e tij. Sakaq, dy vendime të veçanta lidhen me politikat sociale, duke prekur kryesisht trajtimin e familjeve me bonus strehimi dhe subvencionimin e interesave të kredisë, ku pritet të miratohen emrat e atyre familjeve që kanë përfituar nga këto programe. Përmes një tjetër vendimi kërkohet që të krijohet qendër komunitare në Shkozë dhe miratimin e strukturës së saj organizative si dhe një shtesë në numrin e përgjithshëm të strukturës organizative të qendrës sociale “Të qëndrojmë së bashku”, qendrës sociale “Shtëpia e Përbashkët”. Ndërsa vendimi i fundit përcakton një ndryshim në rrjetin e linjave qytetëse të transportit të udhëtarëve, të miratuar me vendimin e Këshillit Bashkiak nr. 25, datë 16.5.2006 mbi “Përcaktimin e linjave të transportit qytetës të udhëtarëve, mënyrën e organizimit të shërbimit dhe ripërcaktimi i stacioneve të qëndrimit të autobusëve të shërbimit në këto linja” (i ndryshuar), për përcaktimin e parametrave teknologjikë të linjës nr. 1, Kombinat – Qendër – Kinostudio si dhe ofrimin e këtij shërbimi nga operatorët privat.
Buxheti
Sa i takon buxhetit janë planifikuar të shpenzohen deri në vitin 2015, 240 milionë dollarë, ku për vitin 2013 parashikohet një buxhet prej 80 milionë dollarësh. Krahas investimeve në infrastrukturë, projektbuxheti parashikon politika të veçanta për zhvillimin ekonomik, mbështetjen e biznesit e rritjen e punësimit.
Plani
Rrugë, shkolla, kanalizime, rrjete kabllore dhe investime në gjithë qytetin, në faqen zyrtare në Bashkinë e Tiranës, tashmë është bërë publike edhe drafti i plotë i Planit të Përgjithshëm Urbanistik. Në një draft prej 400 faqesh, shpjegohet me detaje, duke shpjeguar hap pas hapi planet ndër vite të hartuar për Tiranën, situatën aktuale të kryeqytetit si dhe popullsia. Sakaq, drafti paraqet më në detaje se cilat do të jenë investimet që pritet të bëhen në qytetin e Tiranës dhe ndryshimet që do të pësojë në çdo drejtim, nisur që nga infrastruktura, shkollat dhe bizneset.
Kamëz
Buxheti i 2013-ës, 60 % të buxhetit e zënë investimet publike
Këshilli Bashkiak Kamëz miratoi me shumicë votash buxhetin e vitit 2013, më i madhi deri tani. Në këtë buxhet parashikohet një rritje e konsiderueshme e fondeve për investimet publike, më shumë se 60% e tij. Kryetari i bashkisë, z. Xhelal Mziu, gjatë prezantimit të buxhetit, ndër të tjera tha se përparësi e këtij buxheti është rritja e investimeve. Gjithashtu, ai theksoi se si asnjëherë tjetër ky buxhet do të jetë më sociali, me qëllimin që të përfshijë brenda tij dhe për t’u shërbyer të gjitha shtresave të popullsisë. Buxheti i vitit 2013 bazohet në rritjen e të ardhurave, në performancën e qeverisjes si dhe në përdorimin e fondeve publike në mënyrë sa më ekonomike. Buxheti për vitin 2013 është parashikuar rreth 731 milionë lekë, duke qenë kështu më i madhi ndonjëherë në Bashkinë Kamëz. Mziu u shpreh se në këtë buxhet investimet zënë 60 për qindtë tij dhe shpenzimet 40%. Ai bëri me dije se buxheti synon të rrisë të ardhurat në buxhet duke luftuar informalitetin, evazionin fiskal dhe korrupsionin në grumbullimin e të ardhurave. Buxheti vjetor vendor bazohet në planin strategjik të zhvillimit të aprovuar nga këshilli. Në këto plane përkthehen qëllimet e tij të zhvillimit, objektivat dhe strategjitë në veprimtari konkrete për zbatimin e tyre. Objektivi parësor i këtij projektbuxheti do të jetë përmirësimi i infrastrukturës në të gjithë territorin e Bashkisë Kamëz, rritja e numrit të të punësuarve, zhvillimi ekonomik si dhe rritja e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve. Ky projektbuxhet përbën një moment të rëndësishëm në përgatitjen dhe mbështetjen e zhvillimeve ekonomike e shoqërore të Bashkisë Kamëz për një periudhe trevjeçare, i cili synon të ofrojë produkte të matshme që do të rezultojnë në procesin e zbatimit të tij. Ky projektbuxhet bazohet në arritjet dhe rezultatet e viteve të mëparshme.