Majat, të cilët edhe sot jetojnë në varësi robërie si fuqi punëtore në pronat bujqësore të fermerëve, janë të goditur edhe për shkak të projekteve të korporatave të mëdha: hidrocentraleve, eksploatimi i pasurisë së minierave dhe plantazheve të mëdha. Familjet që posedojnë tokë, kërcënohen me dëbim dhe shpronësim.
Ndryshimi i epokave që ndodhi, me përfundimin e ciklit të gjatë 5200 vjet sipas kalendarit të majave, që sensacionalistët e kanë shpallur si fundin e botës, ka tërhequr vëmendjen tek populli, i cili ka arritur shkallë të lartë të civilizimit të Amerikës parahispanike, ndërsa sot jetojnë në varfëri ekstreme, pothuajse skllavëri, të diskriminuar dhe shfrytëzuar. Pasardhësit modern të popullit maja në shekullin XX kanë qenë viktimë e gjenocidit në Guatemalë, shtetin e vogël të Amerikës së Mesme, ku autoktonët përbëjnë gjysmën e popullsisë. Majat arritjet më të larta të civilizimit të tyre i kanë pasur në mes viteve 250 dhe 900 pas Krishtit në Amerikën e Mesme dhe në Meksikë, ndërsa në dekadencë janë zhytur në shekullin XIII. Rënien e tyre e kanë përshpejtuar pushtuesit spanjollë, të cilët i kanë bërë robër dhe i kanë shfrytëzuar pa mëshirë, theksojnë historianët. Nga kolonizatorët spanjollë “populli lokal maja është konsideruar fuqi e lirë e punës, mjet për prodhim dhe janë përjashtuar nga jeta publike”, thotë antropologu i Guatemalës, Alvaro Pop. Gjendja nuk është shumë më mirë as sot në Guatemalë, ku jeton komuniteti më i madh i majave. E kanë të kufizuar qasjen në arsim, kujdes shëndetësor dhe shërbime bazike. Gjuhët e autoktonëve nuk janë të pranuara zyrtarisht.
Majat
Majat përbëjnë 42 për qind nga 14,3 milionë banorë të Guatemalës, ndërsa shkalla e varfërisë tek ata është 80 për qind. Sipas programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), 58,6 për qind e fëmijëve indigjenë janë të paushqyer kronikisht, me vdekshmëri alarmuese prej dyzet fëmijë në 1000 të porsalindur. Mjerimi social dhe eksploatimi kanë shkaktuar përfshirjen e Ushtrisë Zapatiste për Çlirim Kombëtar (EZLN) në shtetin Çipasu të Meksikës Jugore në vitin 1994. Lëvizja me orientim majtist ka luftuar për të drejtat e popujve indigjenë, mbrojtjen e tyre nga eksploatimi i qeverisë meksikane dhe përmirësimin e arsimit dhe zhvillimit të tyre. Në Guatemalë, Majat kanë paguar çmim të lartë në periudhën e luftës qytetare prej vitit 1960 deri 1996. Njësitë ushtarake kanë fshirë nga harta fshatra të tëra duke zbatuar politikën e tokës së djegur në fillim të viteve 1980 në luftën kundër gueriljes marksiste. Gjatë këtij konflikti janë kryer më shumë se 600 masakra në popullatën indigjene, çka ka shkaktuar që dhjetëra e mijëra njerëz të kërkojnë shpëtimin në jug të Meksikës. Përfaqësuesja e tyre më e njohur është Rigoberta Menchu, fituese e çmimit “Nobel” për paqe në vitin 1992. “Konflikti i armatosur është përdorur si pretekst që të zhduken fizikisht dhe shpirtërisht bashkësitë indigjene”, – akuzon Menchu. Me pretekstin që dëshirojnë të homogjenizojnë popullatën, qeveritë kanë zhdukur shpirtin e Majave ashtu që priftërinjtë e tyre i kanë zgjedhur për viktima. Sot në ato zona të Guatemalës është e pranishme shumë ushtria, në kuadër të luftës kundër trafikut me drogë në Shtetet e Bashkuara. Majat, të cilët edhe sot jetojnë në varësi robërie si fuqi punëtore në pronat bujqësore të fermerëve, janë të goditur edhe për shkak të projekteve të korporatave të mëdha: hidrocentraleve, eksploatimi i pasurisë së minierave dhe plantazheve të mëdha. Familjet që posedojnë tokë kërcënohen me dëbim dhe shpronësim. Nga viti 2009, në Honduras zhvillohet konflikti i ashpër për tokë, për shkak të apetiteve të kultivuesve të mëdhenj të palmës afrikane, e cila përdoret në industrinë kozmetike dhe në bujqësi. Sot ndikimi i kulturës së Majave është ruajtur në jug të Meksikës, Guatemalë, Belize, Salvador dhe Honduras.
Loja se kur do të jetë fundi i botës vazhdon
Bota i shpëtoi fundit të saj, por të fiksuarit pas apokalipsit thonë se ka një datë tjetër.
Sipas tyre, apokalipsi do të ndodhë pas katër vitesh. Pasuesit e një kulti të quajtur “Shpata e Vëllazërisë së Zotit” thonë se fundi i botës do jetë më 1 janar 2017. Ata besojnë se profeti Gabriel u ka thënë atyre se koha e vdekjes do jetë në këtë datë dhe vetëm anëtarët e këtij kulti do mbijetojnë, ndërkohë që të tjerët do të zhduken në ferr. Shumë gazetarë ishin angazhuar dje për të raportuar për fundin e botës, por në ato vende ku pritej të kishte pelegrinë, siç është mali i shenjtë Bugarash në Francë, nuk pati atë dyndje njerëzish që pritej.
Çfarë ndodhi në 21 dhjetor?
Autoritetet kineze kanë arrestuar 1000 anëtarë të një sekti fetar, të cilët përhapnin panik për fundin e botës në disa provinca në këtë shtet. Sekti i quajtur “Almighty God” (Zot i Plotfuqishëm) prej disa ditësh ishte bërë “zëdhënës” i fundit të botës dhe mbarimit të jetës në tokë, duke shkaktuar panik të banorët. Sipas autoriteteve kineze, disa banorë në provincat ku ishin aktiv anëtarët e sektit kanë vrarë veten.
Reagimi i autoriteteve, veç panikut, duket se ka pasur edhe një tjetër motiv. Anëtarët e sektit kërkonin përmbysjen e regjimit aktual komunist dhe bënin thirrje për protesta masive kundër drejtuesve të partisë në rajonet e veçanta. Një zyrtar i policisë tha se sekti besonte tek djalli dhe anëtarët e tij thoshin se pas datës 21 dhjetor do të kishte tre ditë natë, ku do të shfaqej dhe i dërguari djallit. Thashethemet për fundin e botës kanë gjetur më shumë vend se kudo tjetër në Kinë. Sipas të dhënave zyrtare, filmi “2012”, i cili është një prodhim amerikan ku flitet për fundin e botës, është më i pari në kinema gjatë këtij viti në Kinë. Ndërkohë që në provincën Hebei, një fermer e kishte marrë më shumë se seriozisht fundin e botës dhe nis prodhimin e dhjetëra bunkerëve për t’i “paraprirë të keqes”.