Ish-koordinatori i grevës, Patrioti në gjyq për 700 eurot e italianit

0
185

Elton Qyno

asllaniTask-forca i komunikon akuzën ish-të përndjekurit politik. Patrioti: Pretendimet e mia do t’ia them gjykatës

 

Ish-koordinatori i grevës së urisë të zhvilluar pak muaj më parë nga ish-të përndjekurit politikë, Asllan Patrioti, është dërguar në gjykatë si i pandehur për akuzën e “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që kryejnë funksione publike”. Patrioti ka qenë dje në Prokurorinë e Tiranës, ku në prani edhe të avokatit të tij është njohur me akuzën e ngritur nga njësia hetimore task-forcë. Pas komunikimit të akuzës, pritet që brenda kësaj jave prokuroria të dërgojë dosjen në ngarkim të ish-të përndjekurit Asllan Patrioti në Gjykatën e Tiranës, ku do t’i nënshtrohet shqyrtimit gjyqësor. Gjatë ditës së djeshme, Patrioti nuk ka dhënë asnjë shpjegim, pasi ka kërkuar që pretendimet e tij do t’i japë vetëm në sallën e gjykimit, dhe jo përpara prokurorëve. Sipas Prokurorisë së Tiranës, Patrioti akuzohet se i ka marrë shtetasit italian Massimiliano Nicolini shumën prej 700 eurosh, pasi këto para do t’ia jepte shefit të komisariatit nr. 4 në Tiranës, Lulëzim Shala, me qëllim gjetjen e një automjeti tip “Jaguar”, i cili ishte vjedhur nga disa persona. Italiani menaxhon në qytetin e Durrësit kompaninë “Balkan Investment” dhe shumën e parave ia kishte dorëzuar Patriotit, pas disa kërcënimesh dhe kërkesash të njëpasnjëshme.

Përgjimi dhe survejimi

Pas marrjes në administrim të dëshmisë të biznesmenit italian, strukturat e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm kanë vendosur të provojnë me fakte sinqeritetin e tij dhe pozicionin e shefit të komisariatit nr. 4 në Tiranë si dhe të ish-koordinatorit të grevës së urisë, Asllan Patrioti. Pikërisht në ditët e para të muajit tetor, shtetasi italian ka komunikuar me telefon me të arrestuarin Asllan Patrioti, duke i pohuar se ishte i gatshëm që t’ia dorëzonte shumën prej 700 eurosh, të cilën Patrioti ia kishte kërkuar për t’ia dhënë shefit të komisariatit që mundësoi lirimin e makinës. Kaq ka mjaftuar që Patrioti së bashku me shtetasin italian të takohen në një rrugë të Tiranës dhe prej biznesmenit që administron kompaninë “Balkan Investment” të marrë shumën prej 700 eurosh. Lekët janë siguruar nga agjentët e SHKB-së, ndërkohë që gjatë kësaj kohe Patrioti është mbajtur në vëzhgim prej tyre. I gjithë ky proces është monitoruar me pamje filmike dhe fotografi si dhe përgjime ambientale, ndërkohë që Asllan Patrioti pasi ka marrë lekët është larguar në drejtim të grevës së urisë, ku edhe ka mbajtur një fjalim të ashpër rreth vendimit të Gjykatës së Tiranës, që urdhëronte shpërndarjen e grevës dhe zotimit se do të dilnin të vdekur nga greva. Efektivat e policisë kanë pritur gjatë gjithë ditës dhe mbrëmjes që ai të shkëputet nga greva dhe të takojë shefin e komisariatit Lulëzim Shala për t’i dhënë shumën e parave që i kishte marrë biznesmenit italian, por që në fakt një gjë të tillë ai nuk e ka bërë deri në orët e vona të mbrëmjes.

“Lekët i mora në bankë”

Për shkak të kësaj situate, në orët e mbrëmjes Asllan Patrioti, koordinatori i grevës së urisë është shoqëruar në polici për të bërë ballafaqimin me provat e mbledhura. Fillimisht, atij i është thënë se duhej të paraqitej për të negociuar me policinë me qëllim zbatimin e vendimit të gjykatës. Sapo ka hyrë në ambientet e policisë, Asllan Patrioti është përballur me urdhrin e ndalimit të lëshuar në orët e vona të mbrëmjes nga prokuroria, pas kësaj ai është vënë nën hetim për akuzën e “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm”. Fillimisht Patrioti e ka mohuar një akuzë të tillë, duke pohuar se s’kishte kryer asnjë vepër penale, por pas kontrollit fizik të tij, iu gjetën në xhep shuma e parave prej 700 eurosh. I ndodhur në këtë situatë, Asllan Patrioti ka pohuar se këtë shumë e kishte tërhequr nga banka gjatë ditës dhe se i përkiste atij. Por për këtë alibi, efektivat e SHKB, i kërkuan t’i vinte në dispozicion faturat e tërheqjes së lekëve. Një faturë të tillë Asllan Patrioti nuk e ka pasur me vete.