Koalicionet, PS në garën e 2013-ës pa “vagonë”

0
187

Gëzim Saliu

ramaFtesat për një koalicion të zgjeruar kanë marrë një përgjigje negative, largimet nga koalicioni opozitar, pa zëvendësime

 

Edhe pse duhen më shumë se 5 muaj nga zhvillimi i zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të vitit të ardhshëm, forcat kryesore politike kanë nisur prej kohësh përgatitjen e strategjisë së tyre, me qëllim arritjen e suksesit në këtë garë elektorale, e cila do të vendosë se kush do ta drejtojë Shqipërinë në katër vitet e ardhshme. Përkrah me programin dhe alternativën qeverisëse, një pikë po aq e rëndësishme e partive në kuadër të garës elektorale mbetet edhe koalicioni. Në këtë kontekst, në rast se do të bënim një krahasim midis dy kampeve kryesore, do të vërehej qartë, të paktën në situatën aktuale, që peshorja anon nga koalicioni i mazhorancës qeverisëse. Kështu krejt ndryshe nga PD-ja, e cila jo vetëm që nuk ka pësuar rrudhje në koalicionin e saj, por madje edhe është shtuar me aleatë të rinj, Partia Socialiste nuk ka mundur të krijojë një koalicion me bazë të gjerë, për të cilin po flitet aq shumë kohët e fundit nga përfaqësuesit e lartë të selisë rozë. Situata në kampin e majtë bëhet më “gri” në rast se marrim parasysh faktin se koalicioni aktual i opozitës ka pësuar rrjedhje jo të pakta që pas zgjedhjeve vendore të 8 majit, kryesisht me largimin e PDK-së së Nard Ndokës dhe të PBDNJ-së së Vangjel Dules. Këto largime, ku për më tepër që PDK i është bashkuar koalicionit të djathtë, e vështirësojnë edhe më shumë mundësinë e krijimit të një koalicioni me bazë të gjerë, gjë kjo që u bë edhe më e pamundur me refuzimin e pak kohëve më parë të ftesës së PS-së për t’u bashkuar në një front kundër “regjimit” nga ana e Aleancës Kuq e Zi dhe Frymës së Re Demokratike.

 

 

Ftesa dhe refuzime

Vetëm tri ditë më parë, në mbledhjen me grupin e punës për strategjinë elektorale, kreu socialist Edi Rama do të bënte të ditur se PS mbetet e hapur të bashkëpunojë në zgjedhjet e ardhshme me të gjitha partitë e spektrit opozitar, përfshirë këtu edhe FRD dhe AK. Në këtë takim, të zhvilluar larg syve të medias në Golem të Durrësit, duke marrë në bazë analizën e taktikës elektorale, u nënvizua se të gjitha partitë mund të jenë pjesë e koalicionit opozitar para-zgjedhor. Sipas socialistëve, edhe partia e Bamir Topit dhe ajo e Kreshnik Spahiut, mund të jenë pjesë e këtij koalicioni. Kjo “thirrje” në fakt përbën ftesën e ripërsëritur të PS-së ndaj dy forcave të reja të spektrit të djathtë, pasi më parë ka qenë vetë kryesocialisti Rama, i cili ka pohuar se çdo forcë që bashkohet me programin e PS-së, do të mund të bëhet pjesë e koalicionit të majtë. “Tani është koha për të arsyetuar së bashku me aleatët tanë dhe të gjithë aleatët e tjerë potencialë, një proces bashkëpunimi dhe bashkërendimi të energjive dhe për të dalë në fushën e betejës me një koalicion të plotë, antiregjim dhe mbi të gjitha me një koalicion i cili të përçojë në të gjithë Shqipërinë vizionin dhe idetë e programit tonë “Për një Rilindje Shqiptare”. Programi ynë “Për një Rilindje Shqiptare” është graviteti i koalicioni që ne duam dhe do të ndërtojmë. Çdo forcë politike që është e gatshme të bashkohet me ne mbi këtë program është e mirëpritur. Dhe beteja jonë do të zhvillohet mbi programin “Për një Rilindje Shqiptare” dhe për programin “Për një Rilindje Shqiptare”, do të shprehej Rama në një dalje publike. Më parë, do të ishte anëtari i kryesisë së PS-së, ish-kryeministri i vendit, Pandeli Majko, që do të hapte “lojën e ftesave”, duke u shprehur se si AK-ja ashtu edhe FRD-ja janë aleatë të natyrshëm të opozicionit në Shqipëri. “Neve na duhet të ulemi me ta për t’i fiksuar ata në një ditë, në një kuti për një qëllim të përbashkët… Neve na duhet edhe Paskal Milo që ta thotë në publik edhe atë që nuk duhet të ta thotë. Na duhet edhe Dulja, por ne nuk mund ta kalojmë finishin e të bërit opozitë po nuk kthyem sytë nga AK dhe nga FRD, partia e Oketës. Partia e Oketës ka një rol shumë ekskluziv që nuk ka të bëjë, do më falë Bamiri, me rolin e tij personal, por ka të bëjë me dhënien e garancive të një të majte në pushtet nesër që nuk është genuine për disa shtresa si ish-të përndjekurit apo pronarët dhe partia e Bamir Topit mund të ketë një rol ekskluziv”. Ndërkohë partia e ish-Presidentit Topi dhe ajo e ish-nënkryetarit të KLD-së Spahiu do të kundërshtonin këto ftesa publike, duke theksuar se këto forca politike do të dalin në zgjedhje vetëm. “Deklarata e Edi Ramës është bërë në kushtet e drithërimave që kanë kapur socialistët dhe demokratët nga mbështetja popullore që po fiton çdo ditë Aleanca Kuq e Zi. Ne refuzojmë çdo lloj koalicioni të mundshëm dhe nuk pranojmë në gjirin tonë as PD dhe as PS. Rama dhe Berisha në panik kanë formalizuar modelin politik grek si PASOK dhe Demokracia e Re, duke i hapur dyert njeri-tjetrit për një koalicion në zgjedhjet e ardhshme. Aleanca Kuq e Zi do të jetë lokomotiva nacionaliste e koalicionit të lëvizjeve patriotike në zgjedhjet e ardhshme”, ishte përgjigjja e kreut të AK-së ndaj ftesës së kryesocialistit. Po ashtu edhe FRD kundërshtoi hapur, duke theksuar: “Fryma e Re Demokratike deklaron se koalicioni i saj do të jetë vetëm me qytetarët shqiptarë, në funksion të ndërtimit të shtetit të së drejtës dhe realizimin e aspiratës së shqiptarëve për të qenë pjesë e denjë e bashkësisë së madhe evropiane. Në këtë qëllim të madh FRD nuk do të bëjë asnjë koalicion me zotin Berisha dhe zotin Rama. Është e qartë për cilindo, se praktikisht ka një koalicion PD-PS koalicion i cili arnoi kodin elektoral duke mos respektuar as parimet kushtetuese, as vullnetin e forcave politike”.

 

Faktori LSI

Edhe pse shpeshherë në vitet e fundit një ndër kritikat kryesore si jashtë ashtu edhe brenda radhëve ndaj kryesocialistit Rama ka qenë ajo e pamundësisë së bashkimit me Lëvizjen Socialiste për Integrim të Ilir Metës, duket se shanset e realizimit të kësaj “aleance” mbeten larg realitetit politik. Herë me “dyer të hapura” e herë me deklarata se “edhe pa LSI ne fitojmë zgjedhjet e 2013-ës”, duket se rinisja e një “marrëdhënie” të lënë pas që pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, ka pak gjasa të ndodhë. Megjithatë, duke marrë parasysh deklaratat e bëra publike deri më tani, në qëndrimin e përfaqësuesve të lartë të selisë rozë, sidomos muajt e fundit, është vënë re një siguri ku sipas së cilës, PS do të fitojë në zgjedhjet e ardhshme edhe pa u bashkuar në koalicion me LSI-në. “Ne nuk do bashkëpunojmë me asnjë parti që është në qeveri. Ne do bashkëpunojmë me çdo parti që do rreshtohet në frontin për ndryshimin e madh në vitin 2013. Nëse LSI do të bashkohet me kampin opozitar, ne nuk do i përplasim derën në fytyrë. Por fitorja e zgjedhjeve të ardhshme nuk do varet asnjë fije nga ajo që do të bëjë LSI…”, – do të theksonte Rama në një intervistë televizive, i pyetur lidhur me këtë çështje. Po ashtu, edhe kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi do të shprehej se me apo pa LSI-në, PS do fitojë në zgjedhjet e 23 qershorit. “Asnjëherë nuk kemi thënë jo, jemi të hapur për t’iu bashkuar një koalicioni me të gjitha forcat politike që nuk janë dakord me këtë qeveri. Nëse LSI-ja bie dakord që kjo qeverisje ka dështuar dhe ajo largohet nga qeverisja, atëherë ne jemi të hapur të bashkohemi me çdo parti, edhe me LSI-në. Vullneti politik i PS-së është, por kjo mbetet tek LSI-ja. Nëse LSI-ja ikën nga pushteti dhe i bashkohet aksionit politik të opozitës, pse jo. Por theksoj se me LSI pa LSI, me FRD pa FRD, nuk jemi nisur fare nga kjo punë. Ne kemi një objektiv elektoral. Ne kemi një ofertë, ne kemi një ekip, ne kemi një alternativë, ne kemi bërë të gjithë përpjekjet në luftën tonë politike në këta 8 vjet, jemi të gatshëm dhe koalicionin në radhë të parë e kemi me shqiptarët”. Ky qëndrim u konfirmua më parë edhe nga një nga eksponentët e njohur të PS-së, anëtarit të kryesisë Ben Blushi, i cili ka pohuar se PS do fitojë më mirë pa LSI-në në koalicion. “Ne do të shkojmë në zgjedhje me koalicionin që kemi sot. Po ua them me bindje, askush prej nesh nuk ushqen më paranojën, as frikën se pa LSI nuk fitohet. Jo, pa LSI ndoshta fitohet më mire”.

 

“Opozita e Bashkuar”

Kanë kaluar kohë që nga mbledhja e fundit e kryesocialistit Rama me aleatët e tij. Duke u mbështetur më shumë tek programi dhe retorika politika, duket se kryesocialisti ka lënë pas aleatët e tij ose, më saktë, ato që kanë mbetur nga kjo aleancë. Miratimi i Kodit Zgjedhor dhe mosplotësimi i kërkesave të partive të vogla për korrektimin e sistemit zgjedhor shënoi “krisjen” e parë mes Ramës dhe aleatëve, të cilët nuk nguruar të deklaronin se do të krijonin një pol të ri politik. Por pavarësisht se kjo e fundit mbeti një deklaratë, mbetet fakt se “Opozita e Bashkuar” nuk po funksionon. Edhe pse në një mbledhje me aleatët, kreu i grupit parlamentar Gramoz Ruçi, duket se lidhi një “marrëveshje”, ku sipas së cilës një pjesë e tyre do të mund të kandidoheshin edhe në listat e deputetëve e një pjesë mund të përfshiheshin si zv.ministra në rast të fitores së majtës në zgjedhjet e 2013-ës, skepticizmi mes tyre mbetet aty. Pak kohë më parë, kreu i PDS-së Paskal Milo do të theksonte se pa u lidhur me parë një marrëveshje reciprociteti, forca që ai drejton nuk do të bëhej pjesë e koalicionit me PS-në.

 

 

Koalicioni aktual i PS-së

Partia Socialdemokrate, Skënder Gjinushi

Partia Socialiste e Moderuar, Gjergj Koja

Partia Socialiste e Vërtetë ‘91 PSV 91, Petro Koçi

Partia Demokracia Sociale PDS Paskal Milo

Partia Toleranca e Re e Shqipërisë, Avdi Keci

Partia Aleanca Arbnore Kombëtare, Gjet Ndoj

Partia Ardhmëria Shqiptare, Emin Subashi

Partia Bashkimi Republikan Shqiptar, Zane Llazi

Partia Demokrate për Integrim e Prosperitet, Halim Seitaj

Partia Demokratike e Bashkimit Mysliman të Shqipërisë, Sabri Jacaj

Partia e Gjelbër PGJ, Edlir Petanaj

Partia e Pajtimit Kombëtar, Spartak Dobi

Partia e Punës e Shqipërisë e Riorganizuar, Marko Dajti

Partia e Unitetit Kombëtar, Idajet Beqiri

Partia G99, Ervin Mete

Partia Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela

Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve, Ymer Kurti

Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve, Kadri Isufaj

Partia Reformatore Demokratike, Skënder Halili

Partia Rruga e Lirisë, Shukrane Muda

 

Largimet nga PS, Ndoka: Rama pa fizionomi. Dule: “Martesa” me PS-në mbaroi që në 8 maj

Dy nga largimet më me peshë nga koalicioni i majtë pas zgjedhjeve vendore të 2011-ës janë ato të kryedemokristianit Nard Ndoka dhe kreut të PBDNJ Vangjel Dule. Ky i fundit duket se i prishi marrëdhëniet me Ramën që para zgjedhjeve të 8 majit dhe vendosi që forca e tij të kandidonte jashtë koalicionit opozitar në këto zgjedhje. Pas largimit nga PS, Dule ka lënë të hapur derën e bashkëpunimit për partinë e ish-presidentit Topi. “Nëse poli i qendrës do të krijojë hapësira, të cilat do t’u shërbejnë interesave strategjike të vendit, që nuk janë të tjera veçse ato integruese, me një ritëm të ri dhe me një motivim mbarëshoqëror, sigurisht që PBDNJ nuk mund të refuzonte kontributin e vet në këtë drejtim”, – ka theksuar Dule. Ndërkohë, që Ndoka, i cili iu bashkua mazhorancës qeverisëse, në deklarimin e tij lidhur me “ndarjen” nga PS bëri të ditur se tek forca më e madhe opozitare mungon fizionomia e ndërtimit të koalicioneve. “Ne jemi deklaruar qartë që nëse PS-ja mban një qëndrim të kundërt me kërkesat e aleatëve të vetë dhe partive të tjera opozitare, nuk do të jemi pjesë e koalicionit me PS-në. Ne kemi vendosur një gjë të tillë, nuk e shohim PS-në si një aleate, partnere e ardhshme. Nuk ka një fizionomi për ndërtimin e koalicioneve për zgjerimin e tyre, për të krijuar një frymë opozitare në vend, por disa kalkulime nëpër zyrat e PS-së e kanë nxjerrë lidershipin jashtë realitetit politik, duke e bërë atë të largët për partitë aleate por dhe për qytetarët”, – do të shprehej Nard Ndoka.