Takaj “kryqëzon” Skënderbeun

0
171

Altin Vorpsi

mirelPër momentin, Skënderbeu kryeson Superligën Shqiptare me 10 pikë diferencë nga vendi i dytë, që mbahet nga Teuta, i shpallur kampion dimri në përfundim të fazës së parë, ndërsa është fare pranë kualifikimit për në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë
Natën e Krishtlindjeve, Ardian Takaj prish festën në Korçë. Pasditen e djeshme është mësuar se presidenti i skuadrës që po marshon e qetë drejt titullit të tretë kampion në Shqipëri, ka shkarkuar dhe pezulluar disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të afërt.

Të larguarit
Burime pranë klubit korçarë kanë njoftuar se Takaj ka “kryqëzuar” zëvendësin e tij, Agim Kollçaku, duke e shkarkuar nga posti që mbante së bashku me drejtorin ekzekutiv të kuqebardhëve, Ilirjan Përmeti. Nga masat nuk kanë shpëtuar edhe “hallkat” e rëndësishme të këtij ekipi. Presidenti i Skënderbeut nuk ka kursyer as trajnerin Mirel Josa, që është pezulluar pa afat.

Shkaku
Ardian Takaj që mori këtë fillim edicioni Skënderbeun nga duart e Agim Zeqos, ka marrë të tilla masa, pasi është mërzitur nga deklaratat e “të ndëshkuarve” nëpër media të ndryshme për largimin e disa prej lojtarëve kryesorë të skuadrës në merkaton e janarit. Sipas presidentit Takaj, këto deklarata kanë sjellë konfuzion dhe kanë shqetësuar tifozët korçarë…

Prapaskenat
Nga të lartpërmendurit vetëm Mirel Josa mund të “falet”. Ky i fundit pas sqarimit të situatës mund të falet e të rikthehet në detyrë, edhe pse nën zë flitet se tashmë është bërë gati mbërritja e një trajneri italian për vazhdimësinë e kuqebardhëve. Pak a shumë sikurse ndodhi edhe me ardhjen e çekut Stanislav Levi. Në fakt, ka disa ditë që po përflitet për largime të disa lojtarëve titullarë të ekipit korçar, të kërkuar nga klube të tjera, sikurse është fjala për Pero Pejiçin, Sebino Plakun, Nuredin Orelesin, Renato Arapin e ndonjë tjetër. Vetë trajneri Mirel Josa e ka pohuar këtë “tërmet” që ka ndodhur në Korçë, ndërsa ka shtuar se gjatë karrierës së tij është mësuar me çfarëdo lloj lojtarësh, edhe nga ata që nuk i ka përzgjedhur vetë për ekipin.

Situata
Për momentin, Skënderbeu kryeson Superligën Shqiptare me 10 pikë diferencë nga vendi i dytë, që mbahet nga Teuta, i shpallur kampion dimri në përfundim të fazës së parë, ndërsa është fare pranë kualifikimit për në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. Numri një i kuqebardhëve, Ardian Takaj, duke dashur të mos e dramatizojë aspak situatën, edhe pse “shpata” e tij ka rënë me forcë kësaj here, ka dashur të urojë të gjithë tifozët korçarë për festën e Krishtlindjeve dhe me këtë rast ka premtuar se Skënderbeu do të jetë edhe më i fortë në fazën e dytë, pa e vënë për asnjë moment në diskutim fitimin e titullit kampion. Me Josën trajner apo dikë tjetër, me largimin e titullarëve apo me afrime të tjera, kjo mbetet të shihet në ditët në vijim.