Berisha: Ata që dje shembën Kishën, kanë ngritur sot murin e bllokimit

0
153

Gëzim Saliu

KRISHTLINDJETUrimi për Krishtlindje, Nishani: Të ecim bashkërisht në rrugën e përparimit dhe begatisë

 

Në ditën e Krishtlindjeve nuk ka munguar urimi, siç do vit dhe nga politikanët. Kryeministri i vendit Sali Berisha pas vizitës së tij në Kishën Autoqefale Ortodokse e ndërtuar një vit më parë, përveç urimeve për shqiptarët, theksoi se njerëzit që shembën kishën para 60 viteve, sot kanë ngritur murin e bllokimit, i cili, sipas tij, do të bjerë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit të ardhshëm. “Këto krishtlindje i kremtuam në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, më të bashkuar se kurrë në historinë tonë kombëtare. Shqiptarët, që nga fillimi i ekzistencës së tyre deri më sot, në këtë përvjetor janë ndjerë më afër njëri tjetrit, më të bashkuar se në të gjithë historinë e tyre. Ideali i bashkimit kombëtar këtë 100-vjetor, erdhi më i fuqishëm se kurrë. Le të urojmë ne për Krishtlindje të tjera, të sigurt se do të jemi shumë më afër shndërrimit në realitet të ëndrrave dhe idealeve tona, të bashkimit kombëtar dhe idealeve evropiane. Ata që shembën Kishën 60 vjet më parë, ata që ngritën mure të tjera, ata mbetën në rrënojat e atyre mureve. Vlerave nuk u reziston asnjë mur dhe ky mur i fundit i bllokimit do të provohet saktësisht si një mur letre në kohërat që vijnë”, – tha Berisha. Në këtë kontekst, kreu i mazhorancës qeverisëse vlerësoi ndërtimin e Katedralen së Re Ortodokse “Ringjallja e Krishtit”, duke e cilësuar atë si një vepër madhështore. “Sot Kisha është në qendër të Tiranës, ajo qëndron si një monument i fuqishëm i vlerave të mëdha hyjnore dhe njerëzore, si një dëshmi se lufta me vlerat është një betejë fatalisht e humbur, se ajo nuk mund të fitohet kurrë. Mund ti nëpërkëmbësh vlerat, një ditë apo një vit, por ato rikthehen më fuqishëm, ngjallen, mbijnë nga toka, nga shpirti i njerëzve. Me këtë rast unë dua ti shpreh një mirënjohje të thellë Fortlumturisë së Tij Imzot Janullatosit, i cili ka dëshmuar një përkushtim të jashtëzakonshëm që nga gurët e themelit të kësaj Katedraleje deri në kupolën e saj të mrekullueshme, madhështore dhe të bukur, dhe së bashku me bashkëpunëtorët e tij i dhuroi kryeqytetit, një nga monumente më madhështore të kultit Kishën Ortodokse të Ringjalljes”. Gjatë kësaj vizite, Berisha mori dhuratë një kodik të shekullit të 10-të nga kryepeshkopi Janullatos, për të cilën ai pohoi: “U largova me një dhuratë shumë të shquar nga ai, ky është një kodik i shekullit të 10, një kopje origjinale gjendet në Korçë dhe tjetri në Universitetin Prinstonit, si dëshmi e historisë sonë të lashtë. Kodiku është ribotuar dhe përkthyer duke pasuruar kështu fondin e madh kulturor të shqiptarëve, të cilët edhe kur kisha u nda, mbetën një komb i bashkuar”.

 

Nishani

Presidenti i vendit Bujar Nishani uroi dje të gjithë shqiptarët me rastin e Krishtlindjeve, duke theksuar në mesazhin e tij domosdoshmërinë e bashkimit dhe ecjes përpara në rrugën e përparimit dhe begatisë. “Kjo ditë e shenjtë e kalendarit të krishterë, e cila simbolizon ditën e lindjes së Krishtit dhe të forcimit të besimit në Zot, rilind në zemrat e mbarë besimtarëve përjetime të gëzimit dhe të shpresës për të ardhmen, ku të gjithë, me dëshirë e besim, bashkohemi në qëllimet më fisnike e në vlerat më të larta njerëzore. Për Krishtlindjen urojmë sot njëri-tjetrin, familjarët, të afërmit, miqtë dhe ashtu sikundër e kemi trashëguar brez pas brezi ne shqiptarët, kremtojmë të gjithë së bashku në një vatër, në një sofër, në paqe e mirësi. Tradita e vyer historike dhe kulturore e harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare, pasuri shumëshekullore e brezave të njëpasnjëshëm në këtë vend, na mëson të mbështetemi tek mirëkuptimi, besimi, bashkëpunimi dhe ndjenja e solidaritetit me njëri-tjetrin si mënyra e vetme për të ecur të sigurt drejt prosperitetit, për të ndërtuar një shoqëri të bazuar mbi parime të lirisë e të së drejtës dhe të denjë për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane”, – tha Nishani. Sipas kreut të shtetit, Kremtimi i Krishtlindjes është një tjetër mundësi për të forcuar lidhjet shumëshekullore, në mënyrë që të përballohen me sukses sfidat që ka përpara vendi. “Këtë Krishtlindje e festojmë në një moment të veçantë për kombin tonë, në 100-vjetorin e Pavarësisë, ndaj le të tejkalojmë çdo pengesë artificiale dhe të bashkojmë të gjitha energjitë për të ecur bashkërisht në rrugën e përparimit dhe begatisë njerëzore. Zoti qoftë me ne shqiptarët në këtë rrugë! Gëzuar Krishtlindjen! Lumturia familjare, shëndeti i plotë dhe begatia mbizotërofshin në shtëpitë tuaja!”, – përfundoi urimin e tij Presidenti i vendit Bujar Nishani.

 

Rama e Topi urojnë Krishtlindjet nga Korça, kreu i PS-së: Rilindje për çdo përkatësi politike

Kryesocialisti Edi Rama dhe kreu i Frymës së Re Demokratike Bamir Topi kanë zgjedhur qytetin e Korçës për të dhënë urimin e tyre për festën e Krishtlindjeve. I shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij, kreu i Partisë Socialiste është ndalur në selinë e Mitropolisë në Korçë, prej nga ka përcjellë mesazhin e nevojës për një rilindje kombëtare përtej aspektit politik, ku të gjithë të kenë mundësi punësimi, solidaritet dhe t’u realizohen dëshirat e tyre. “Ne besojmë në rilindjen shqiptare, e cila është më e domosdoshme se kurrë për të gjithë, përtej të gjitha përkatësive. Është një detyrim për të moshuarit, fëmijët, familjet dhe të gjithë shqiptarët që të jetojnë në një vend ku asgjë të mos jetë e parealizueshme”, – deklaroi Rama. Më pas, pjesën tjetër të festës, kreu socialist e ka kthyer në Tiranë, ku në ambientet e një lokali në periferi të Tiranës ka festuar me të rinjtë eurosocialistë. Ndërkohë, kreu i FRD-së Bamir Topi, vlerësoi Korçën si qytetin ku tradita e festimit është e veçantë dhe toleranca fetare është një model. “Uroj të gjithë shqiptarët e krishterë, ortodoksë dhe katolikë, për këtë festë të madhe që sjell shpresë. Qoftë një ditë e bekuar, e cila uron gjithë të mirat për Shqipërinë, shqiptarët dhe këdo. Kemi ardhur këtu sepse Korça ofron një mjedis shumë interesant për festat. E kam parë tek të gjithë që ekziston tradita e mrekullueshme e mirëkuptimit jo vetëm mes përfaqësuesve të komuniteteve fetare, por edhe mes qytetarëve të thjeshtë. Krishtlindja nuk festohet vetëm në Tiranë dhe Korça është vendi më i mirë për këtë ditë. Qoftë e bekuar kjo ditë për të gjithë shqiptarët”, – u shpreh Topi.

 

Krishtlindjet, Topalli: Është një moment gëzimi dhe reflektimi, të përcjellim paqe

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli uroi dje shqiptarët për festën e Krishtlindjeve, duke pohuar se kjo ditë përbën një moment reflektimi, ku të gjithë duhet të përcjellin dashuri dhe paqe. Pas vizitës në selinë e re të Kishës Ortodokse Autoqefale, ku u takua me Kryepeshkopin Anastas Janullatos, i cili në respekt dhe gëzim të kësaj dite i dhuroi zonjës Jozefina Topalli, botimin e Kodikëve të Korçës, të cilët datojnë në shekullin e dhjetë, kryeparlamentarja tha se, Krishtlindjet janë festa më e gëzueshme, veçanërisht për fëmijët dhe se mesazhi i kësaj dite, është paqja për të gjithë njerëzimin. “Në tërësinë e vet çdo festë është e bukur. Krishtlindjet janë festa të bukura, por më të gëzuarat nga të gjithë të tjerat. Krishtlindjet festohen jo thjesht për datën, jo vetëm për ditëlindjen, por për mendimin dhe gëzimin që ato sjellin tek fëmijët, tek familjet, tek besimtarët dhe tek çdo fe tjetër, të cilët nderojnë besimin e qytetarëve të kombit të vet. Në fakt është një moment gëzimi, është një moment reflektimi, ku të gjithë duhet të përcjellin dashuri, paqe, sepse ai ishte qëllimi i atij, që quhet princ i Paqes e që erdhi në tokë 2000 e ca vjet përpara; për të sjellë paqen dhe veshi me trupin e njeriut, ata që ishin në mjerim moral, për t’i hequr mëkatet e tyre, për të qenë në shekuj të shekujve, shërbyesi i njerëzimit. Edhe një herë, unë ju uroj gëzuar festat, gëzuar të gjithë shqiptarëve që janë në emigracion, kudo ata jetojnë në Evropë apo kontinente të tjera, shqiptarët që jetojnë në treva të tjera shqiptare dhe të gjithë besimtarëve katolikë, ortodoksë, si edhe atyre myslimanë, pasi, ne festat i kemi të përbashkëta”, – u shpreh Topalli në urimin e saj për shqiptarët në ditën e Krishtlindjeve.

 

Meta: Mbarësi në familjet shqiptare, besim dhe kurajo për ata që janë në vështirësi

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka uruar besimtarët për Krishtlindjen nga Katedralja Ortodokse në Tiranë. Në një prononcim për mediat, Meta shprehu dje urimin që kjo festë të sjellë më shumë shpresë e besim në shoqërinë tonë. “Më shumë mbarësi në familjet e tyre, në mbarë shoqërinë dhe vendin tonë dhe mënyrë të veçantë të sjellë më shumë shpresë, besim dhe kurajo për ata që jetojnë në situata të vështira”, – u shpreh Meta.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency