Portofoli personal i karrierës është një mënyrë shumë e mirë për të organizuar dhe paraqitur qartë dhe në mënyrë pozitive përvojat, kualifikimet, dhe aspiratat tuaja. Pasja e një portofoli të gatshëm ju ndihmon ta bëni më shpejt dhe më lehtë një aplikim për një vend pune, apo për një kurs profesional
Zhvillimi i karrierës është një rrugëtim i gjatë, një proces i vazhdueshëm, i cili duhet të ndihmojë të rinjtë, por edhe çdo individ në çdo moshë dhe kohë të organizojë dijet dhe t’i përdorë ato në mënyrë efikase për të njohur botën e punës dhe për të zënë me sukses vendin e tij në këtë botë. Kjo paketë informative synon të përgatisë të rinjtë të hyjnë në tregun e punës. Hapa të rëndësishëm si vlerësimi i vetes, krijimi dhe pasurimi i portofolit personal të karrierës, shkrimi i një curriculum, aplikimi për një vend pune, do të jenë objekti i paketës informative, dhe një pjesë e rëndësishme e këshillimit të personelit të zyrës rajonale të punësimit. Pjesë shumë e rëndësishme e përgatitjes së të riut për të hyrë në tregun e punës, është të vlerësojë dhe dokumentojë aftësitë dhe përvojat e tij personale duke krijuar portofolin e karrierës. Objekti i kësaj broshure është pikërisht krijimi dhe pasurimi i portofolit personal të karrierës. Deri vonë, portofoli apo dosja personale është përdorur vetëm për dhe nga profesionet krijuese apo artistike. Sot, pothuajse të gjithë punëmarrësit nisin gjykimin për kandidatin për punë nga një portofol mirë i organizuar. E ku ka provë më të mirë për aftësitë tuaja të shkrimit, paraqitjes dhe organizimit?
Portofoli i karrierës
Portofoli personal i karrierës është një mënyrë shumë e mirë për të organizuar dhe paraqitur qartë dhe në mënyrë pozitive përvojat, kualifikimet, dhe aspiratat tuaja. Zotërimi i një portofoli të gatshëm, ju ndihmon ta bëni më shpejt dhe më lehtë një aplikim për një vend pune, apo për një kurs profesional. Mbi të gjitha një portofol personal, ju ndihmon të dokumentoni dhe organizoni rrugëtimin dhe përvojat tuaja,
si dhe ju ndihmon të vendosni objektiva të qarta për të ardhmen. Portofoli i karrierës mund të ndërtohet
me ndihmën e këshilluesit të karrierës në zyrën rajonale të Punësimit. Kërkoni për këshilluesin e karrierës për të rinj, bisedoni me të dhe filloni të krijoni portofolin tuaj. Gjithashtu, në shkollën e mesme në lëndën
e këshillimit të karrierës, ka njohuri dhe këshilla praktike për portofolin e karrierës.
Krijimi i portofolit
Ju duhet vetëm një dosje kartoni, madje edhe një karton i thjeshtë i palosur më dysh, të gjitha certifikatat apo dokumente të tjera që lidhen me arsimimin, apo punësimin tuaj dhe pak fantazi e aftësi krijuese.
Është e rëndësishme që portofoli juaj të jetë vizualisht i paraqitshëm, i pasur në përmbajtje, por edhe i lehtë për t’u lexuar. Kujtoni se libri nuk gjykohet vetëm nga kopertina, por edhe nga mënyra e paraqitjes dhe shkrimit të faqeve të brendshme. Për më tepër, punëdhënësi kur shqyrton dosjen
tuaj personale nuk numëron thjesht certifikatat, por vlerëson edhe aftësitë tuaja krijuese dhe dëshirën për t’u paraqitur sa më mirë. Krijoni një faqe të parë, në të cilën të vini emrin, moshën, ndoshta një foto tuajën. Faqja mund të ketë një sfond me ngjyrë, Kur zgjedh çfarë të përfshish në portofolin tënd, mendo për qëllimin dhe se sa vlerë ka ajo që do të përfshish për të komunikuar mesazhin tuaj. Dokumentet duhet të jenë të përshtatshme për objektivin e karrierës tuaj dhe duhet t’i dëshmojnë atij që e lexon
se kush jeni dhe çfarë aftësish keni. Mos e teproni, përqendrohuni tek aftësitë që janë të rëndësishme për tregun e punës. Nga ana tjetër, mos nënvlerësoni asnjë përvojë, edhe punën më të shkurtër, apo të thjeshtë. Gjithmonë rilexojeni dhe rirregulloni portofolin tuaj.
Përmbajtja
Tani që vendosët për paraqitjen e portofolit tuaj, filloni dhe mendoni për përmbajtjen e tij. Portofoli juaj duhet t’i ngjajë një dosje me disa seksione, të cilat mund të titullohen:
1. Përmbajtja
2. Curriculum Vitae
3. Aftësitë bazë
4. Aftësi të tjera/Cilësi personale
5. Përvoja e punës
Në një broshurë të veçantë, pjesë e kësaj pakete informative, ju do të mësoni gjithçka rreth një curriculum vitae, Pasi ta keni hartuar dhe këshilluar atë me një mik, prind, apo këshilluesin e karrierës, vendoseni atë në dosje. Sic e shihni, një portofol karriere është shumë më tepër se sa një curriculum i shkruar mirë. Një pjesë të mirë të dosjes tuaj, do ta zënë aftësitë tuaja bazë, aftësitë për jetën dhe cilësitë personale. Punëdhënësit janë të interesuar të dinë mbi të gjitha çfarë aftësish dhe cilësish personale ka individi që ata do të marrin në punë dhe do ta bëjnë pjesë të ekipit të tyre. Nga ana tjetër, gjetja dhe renditja e aftësive më të rëndësishme personale, është një ushtrim shumë i mirë përgatitor për ju. Ju do të kuptoni cilat janë pikat tuaja të forta, cilat janë ato që kanë nevojë të përmirësohen e të forcohen. Kjo ju ndihmon të kuptoni edhe për çfarë kursesh kualifikimi keni nevojë. Studime të shumta mbi punëdhënësit, kanë treguar se mbi të gjitha ata duan të marrin në punë, punonjës që:
–arrijnë të komunikojnë mirë me të tjerët dhe të thonë atë që mendojnë
–dinë të zgjidhin problemet
– punojnë mirë me të tjerët, por edhe në mënyrë të pavarur
–dhe mbi të gjitha janë të përgjegjshëm.
Kjo vlen sidomos për të rinjtë, të cilët për shkak të moshës, kanë pak përvojë pune. Gjykimi kryesor i punëdhënësve do të bazohet mbi cilësitë tuaja, dhe mënyrën se si ju i paraqisni ato. Dhe seksioni i fundit, por shumë i rëndësishëm, do të jetë për përvojat e punës; dhe me përvoja pune kemi parasysh çdo lloj
pune: punë e gjatë, apo e shkurtër, e paguar, ose vullnetare, përfshirë edhe aktivitete pune në shtëpi, familje, apo komunitet. Kujdes, sigurisht që ju do të rendisni përvojat e punës edhe në Curriculum Vitae;
dhe kjo nuk është thjesht një përsëritje. Në seksionin e dosjes personale, ju do të përfshini çdo lloj dokumenti, apo prove që lidhet me përvojat e punës.
Aftësitë që duhet të keni
Portofoli juaj duhet të tregojë se ju keni aftësitë bazë të mëposhtme:
–aftësi komunikimi (të folurit, të lexuarit, të shkruarit, të dëgjuarit)
–aftësitë matematikore
–njohuri në shkenca dhe teknologji
Për të provuar se ju i zotëroni këto aftësi, ju duhet të përfshini në portofolin tuaj:
-Një kopje zyrtare të dëftesës së shkollës, klasës më të fundit
-Letra pranimi nga shkolla, apo kurse.
-Letra që vërtetojnë bursa në se keni marrë
-Ndonjë test gjuhe, kompjuteri, apo diplomë olimpiade
-Çdo certifikatë që keni marrë në shkollë për ndonjë lëndë
-Shembuj të diçkaje që keni shkruar (një ese interesante, artikull në gazetën e shkollës, poezi, etj.)
-Certifikata të ndonjë kursi të shkurtër (për shembull ABCS+)
-Përmbledhje të ndonjë projekti që mund të keni bërë në shkollë (për shembull ndërtimi i qarkut elektrik në fizikë) Është një mundësi që ju të tregoni arritjet tuaja akademike, çdo gjë për të cilën
ju jeni krenar. Ju ndoshta mund të mos keni pasur nota të mira në matematikë, e fizikë, por keni ndërtuar vetë me mjete rrethanore një qark të thjeshtë elektrik, apo mund të jeni krenaria e shtëpisë për të rregulluar të gjitha elektroshtëpiaket.
Cilësitë që duhet të keni
Punëdhënësi po kërkon sigurisht një individ që të ketë cilësitë teknike që i duhet për të kryer punën, por mbi të gjitha ai po punëson dhe po bën pjesë të ekipit të tij një njeri, prandaj do të sigurohet:
-që jeni i përgjegjshëm
-që keni besim tek vetja
-që keni aftësi të mira sociale
-që jeni i ndershëm
-që ruani integritetin
-që përshtateni lehtë
-që mund të jeni i pavarur
-që jeni gjithmonë korrekt
-që jeni i motivuar dhe
bashkëpunues
-që kur punoni, bëni përpjekjet maksimale për të arritur rezultatet e kërkuara
-që dini si ta organizoni dhe përdorni
mirë kohën