Kryebashkiaku Basha bën bilancin e Bashkisë së Tiranës për 2012-ën
Në Kashar stacioni i ri i trenit, në janar nis zhvendosja e shinave
Keqardhje për deklaratat e kreut të opozitës dhe ish-kryebashkiakut Edi Rama, i cili u shpreh kundër planit urbanistik, ndërkohë që qytetarët e Tiranës nuk duan të dëgjojnë gjuhë bllokimi. Kryebashkiaku Lulzim Basha tha se pas kërcënimit të bërë dy ditë më parë për bllokimin e planit të përgjithshëm sapo të vijë në qeveri, duhet që më parë të shpjegojë përse la kryeqytetin 11 vjet pa një plan. I ftuar në emisionin televiziv “One to one” në “Ora News”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, teksa shprehu keqardhje për kërcënimet për bllokimin e planit, i kërkoi atij të pranojë humbjen dhe të qetësohet, të pranojë votën e majit të 2011-ës si votën pro ndryshimit dhe se bashkia është e vendosur për të ecur përpara me zhvillimin e qytetit. “Zgjedhjet e 2011-ës treguan se qytetarët e Tiranës nuk duan konflikt, duan punë. Prandaj e ftoj të heqë dorë nga kërcënimet dhe të heqë dorë nga konflikti politik. Rama nuk ka pse të hakmerret ndaj kryeqytetit, pasi vota e 2011-ës ishte votë për ndryshim, dhe jo ta kthejë një luftë politike”, – tha Basha. Më tej, në fjalën e tij, teksa pasqyroi bilancin e punës së Bashkisë së Tiranës për 2012-ën, Basha detajoi realizimet e vitit që lamë pas dhe projekteve që priten të realizohen gjatë 2013-ës, ku pritet të marrin jetë një sërë projektesh të rëndësishme, si trami i Tiranës dhe stacioni iri trenit. Basha deklaroi se në janar nis zhvendosja e shinave të trenit për të ndërtuar stacionin e ri në Kashar dhe gjithashtu nis puna për ndërtimin e tramit. Në të njëjtën kohë, kreu i bashkisë ftoi të rinjtë nën 35 vjeç të aplikojnë në fondin e garancisë, një shumë prej 1 milion eurosh për të marrë kredi në bankat shqiptare, në bazë projekteve të biznesit që ata kanë. Nga ky fond, Basha tha se mund të përfitojnë këta të rinj, ndërkohë që nëse rezultojnë fitimprurës në tri vitet e para, do t’u falen interesat e kredive.
Plani – sulmet
Teksa opozita shprehu votën kundër që ditën e diel, ku edhe në deklarata shpreheshin se nuk e kishin lexuar planin, ndërkohë janë realizuar 24 seanca konsultimi me qytetarët në çdo lagje të Tiranës. “Opozita nuk ka arritur të bëjë një kritikë. Sakaq, dy ditë më parë, dëgjova ish-paraardhësin tim që u shpreh kundër planit, ndaj duhet të them se duhet të kërkonte ndjesë për lënin e Tiranës pa një plan urbanistik. Kërcënimi se do të bllokonte planin është një luftë e pandershme, si shkak i konfliktit politik, ndërkohë që është një plan që garanton një frymëmarrje të re për qytetin, kjo është pandershme”, – tha Basha.
Bilanci
“Mbyllja e vitit ka përkuar me dy vendimmarrje të rëndësishme, si buxheti 2013 dhe një lajm akoma më i shumëpritur, një lajm që i ka munguar qytetit për 23 vjet, pasi plani i fundit ishte në 1989, ku shumica e parametrave nuk ka asnjë lidhje me qytetin, ndërkohë që asokohe ishin vetëm një e pesta e qytetarëve aktualë. Një punë voluminoze e kryer në një kohë të shkurtër, vizioni ynë, ndonëse ka vlerë 10-vjeçare”, – tha Basha. Ndërkohë, për sa i përket vizionit të bashkisë, ai deklaroi se është afatgjatë, mbështetur në tri parime: zhvillimi ekonomik; së dyti, cilësia e jetës; së treti, një Tiranë moderne evropiane, me realizimin e një sërë projektesh. “Sa i takon të parës, 2012-a ka qenë një vit i suksesshëm, ku në këto kohë të vështira, ka qenë mbajtja e qytetit të Tiranës si lokomotiva lëvizëse. Kjo është një sfidë shumë e rëndë, veçanërisht në këtë kohë, ku çdo vit fut në tregun e punës 6800 studentë. Kjo është arritur duke përmirësuar klimën e biznesit. Këtë e kemi filluar duke hequr një sërë taksash dhe tarifash, duke vijuar edhe aktualisht. Fakti është që, sipas Drejtorisë së Tatim-Taksave, si rezultat i paketës sonë të masave, pati një bum të vendeve të reja të punës, të krijuara. Bilanci pozitiv brenda një viti, 7000 të punësuar, vektori është pozitiv, sikurse bilanci për vendet e punës të krijuara në këta 12 muaj, që është i mirë. Për periudhën janar-nëntor 2012, kemi në total 3351 biznese të reja të krijuara. Duhet që ne të vazhdojmë të mbetemi të fokusuar në këtë prioritet dhe kjo është hera e parë që pushteti vendor ka prioritet punësimin dhe biznesin, për të rritur klimën e mire dhe për të rritur vendet e punës. Kemi ulur taksat me 30 për qind për dy lloje biznesi, si dhe kemi hedhur poshtë çdo mendim që pushteti lokal nuk ka në dorë të stimulojë biznesin. Së dyti, ne po bëjmë një hap të rëndësishëm, pasi po marrim lekët e taksapaguesve, të cilat në mënyrë tradicionale investohen për punë komunale, ku përveç këtyre zërave, në funksion të rritjes ekonomike po krijojmë fondin e garancive për biznesin, ku nga janari i vitit që vjen janë në dispozicion 1 milion euro. Me këtë fond garancish u jepet mundësia qytetarëve të Tiranës nga mosha 35 vjeç e poshtë të mund të kreditohen në bankat shqiptare. Synimi është jo vetëm të kreditohen, sakaq nëse këto biznese në tri vitet e para rezultojnë fitimprurëse, do t’u falet interesi i kreditimit. Sakaq, më vjen keq për qëndrimin që mbajnë këshilltarët e majtë, pasi dera ime mbetet e hapur për bashkëpunim për interes të qytetarëve të Tiranës”.
2012
Sa i takon 2012-ës Basha tha: “Në këtë vit që lamë pas, ecëm mirë me realizimet e buxhetit 2012, duke pasur parasysh se nuk kishte asnjë projekt. 57 rrugë kanë nisur nga puna, ndërkohë që numri total i projekteve janë 112, ndërsa për 28 projekte të tjera në janar nis procesi i tenderimit, ndërsa 19 janë në proces finalizimi. Çdo projekt të nisur që nga dita e parë në Bashkinë e Tiranës ne do ta përfundojmë brenda afateve”. Sipas tij: “Avantazhet që kemi, ku përveç buxhetit kemi edhe një plan të qartë. Ndërkohë që aktualisht kemin infrastrukturë të pamjaftueshme, mungesë gjelbërimi, këndesh, pa mirëmbajtje, rrugë të asfaltuara në mënyrë elektorale. Evidentimi i situatës aktuale dhe nxjerrja në pah e kësaj gjendjeje. Ndërkohë, vitin e ardhshëm nis rehabilitimi i 72 km rrugë brenda bllokut të banimit, 128 mijë m2 gjelbërim, 10 kënde të reja sportive. Jemi në rrugë të mbarë për të arritur synimet dhe qëllimet tona”.
Treni – trami
Sa i takon tramit, Basha tha se brenda 3-mujorit nis tenderi për koncesionarin e stacionit të ri të trenit. Zhvendosja e stacionit i hap rrugë zgjatimit të bulevardit nga qendra deri në Paskuqan. Më 15 janar, bëhet publik projekti nga “Grimshaw”, i cili parashikon 3 korsi lëvizëse. Nuk do të hyjë më në Tiranë, po në Kashar, itinerari i ri do të jetë në funksion për tramin. Do marrësh tramin për të hyrë në qytet, nga ajo pikë deri në sheshin “Nënë Tereza” për 10 minuta ndodhesh në qendër dhe për 15 minuta ndodhesh në “Nënë Tereza”. Kanë përfunduar 80 për qind e punimeve në pjesën jugore, ndërkohë që po miratojnë studimin nga Ura e Kamzës deri tek Ura e Brarit, për këtë i kam nisur kërkesën BERZH-it për financim”.
Festat
Sa u takon festave të fundvitit, Basha vlerësoi se “qyteti shikon me optimizëm festat e fundvitit, po përjeton një atmosferë festash të vërtetë. Bashkia ka dhënë një kontribut të veçantë. Opozita zgjodhi një politikë të pakuptueshme. Tirana po përjeton një atmosferë festash si rezultat i pjesëmarrjes së qytetarëve që me 100-vjetorin e pavarësisë, falë edhe kontributit modest të bashkisë. Uroj të gjithë qytetarët që të kenë një ndërrim vitesh të mirë dhe së dyti të kenë një vit të ri të mbarë”.