Festat Bashkia, dhurata për fëmijët e kopshteve dhe çerdheve

0
178

bashkiaEdhe në këtë fund viti, Bashkia e Tiranës ka shpërndarë dhurata për fëmijët e çerdheve dhe kopshteve. Në bashkëpunim me bizneset, krahas fëmijëve, bashkia ka përgatitur edhe disa pako me ushqime për shtresat në nevojë. Kryebashkiaku Lulzim Basha ishte në çerdhen nr. 23 dhe kopshtin nr. 8, ku ka shpërndarë dhuratat e përgatitura nga banka “Credins”. Kjo e fundit ka mundësuar rreth 3000 pako për të gjithë vogëlushët e çerdheve. “Dua t’i falënderoj edhe ata që i janë përgjigjur thirrjes së Bashkisë së Tiranës për të na ndihmuar me paketa ushqimore, për disa nga shtresat në nevojë. Natyrisht, jo për të plotësuar të gjitha nevojat, por për të plotësuar sadopak disa prej nevojave më akute, në mënyrë që sa më shumë qytetarë të Tiranës, pavarësisht nga pamundësitë e tyre, të kenë një festë sa më të gëzuar dhe me kushte sa më të mira. Përkushtimi ynë ndaj çerdheve të kryeqytetit, ndaj fëmijëve të kryeqytetit në kopshte, në shkolla është përkushtimi ndaj të ardhmes, ndaj jo vetëm investimet, jo vetëm dhuratat në ditë festash, por edhe programe të fuqishme për kualifikimin dhe rikualifikimin e stafit në këto çerdhe dhe për përqasjen sa më shumë të standardit të shërbimit të tyre, me standardin evropian janë dhe mbeten prioritet i Bashkisë së Tiranës”, – u shpreh z. Basha. Ndërkaq, kreu i bashkisë tha se një nga prioritetet e 2013-ës do të jetë edhe kualifikimi i edukatorëve të çerdheve e kopshteve. Basha ka premtuar se dimrin tjetër në të gjitha çerdhet e kopshtet do të ketë ngrohje, ndërsa gjatë 2013-ës 10 çerdhe do t’i nënshtrohen rikonstruksionit.