Me rastin e festive të fundvitit Qendra Rajonale e Autizmit në Farkë ka organizuar dje për rreth 76 fëmijët që marrin trajtim aty si dhe për të gjithë fëmijët e stafit të fondacionit “Fëmijët Shqiptarë” dhe miqve e bashkëpunëtorëve të tij, një festë të madhe me të gjithë elementët e argëtimit. Përveç fëmijëve autikë, merrnin pjesë edhe prindërit e tyre si dhe terapistë të qendrës, të cilët janë kthyer për këta fëmijë në prindër të dytë. Znj. Liri Berisha, presidente e fondacionit “Fëmijët shqiptarë”, u shpreh shumë e kënaqur që këtë vit për fëmijët autikë u shënuan shumë suksese, siç ishte ai i fillimit të vitit të ri shkollor sivjet për 11 prej tyre dhe uroi që qendra të ndihmojë sa më shumë fëmijë dhe prindër, pasi nevojat janë të mëdha. “Çdo problem të konstatuar gjatë këtij viti në punën tonë, – u shpreh dr. Liri Berisha, – do ta kapërcejmë së bashku dhe do të mundohemi që të gjejmë rrugët e duhura për të gjithë”. Në fund dr. Liri Berisha u uroi familjeve të fëmijëve në qendër mbarësi dhe shëndet, ndërsa falënderoi miqtë dhe bashkëpunëtorët për kontributet në punën e kësaj qendre. Në mbyllje të programit të festimeve dhe pritjes së ngrohtë të rezervuar nga fondacioni “Fëmijët Shqiptarë”, znj. Berisha dhe stafi i qendrës shpërndanë rreth 100 dhurata për gjithsecilin prej tyre.