Prof. Dr. Pajtim Ribaj
Albert Hitoaliaj
Libri “Dekada e ardhshme” e Friedman mund të përshkruhet si “Makiaveli 101” ose si një thyerje e kursit të realpolitikës. Shtysa kryesore e Friedman është se SHBA është një perandori aksidentale, e paparamenduar – na pëlqen apo jo kjo gjë – dhe është në interes të SHBA që të ruajë “ekuilibrin e fuqisë” me çdo kusht. Ekuilibri i fuqisë është i predikuar si një status quo. Kur ndodhesh në majë, ashtu si SHBA është sipas pikëshikimit të Friedman, çdo spostim i madh fuqie rrezikon të zhvendosë boshtet e ekuilibrit dhe ta zhvendosë nga pozicioni kryesor. Ashtu siç bënë më parë edhe britanikët e romakët me perandoritë e tyre, amerikanët do të përpiqen që të parashikojnë se ku do të ndodhin këto spostime dhe do të përpiqen që t’i parandalojnë ato, duke bllokuar ata që do të synojnë që grumbullojnë fuqi. Ashtu siç e sheh dhe si e thotë Friedman, një shekull është i rëndësishëm për ngjarjet ndërsa një dekadë është e rëndësishme për njerëzit. Në rolin e tij si hartues strategjish dhe menaxher i parashikimeve, ai mendon se POTUS (President of the United States/ Presidenti i SHBA) duhet të lëvizë si një “princ” klasik në terrenin e Makiavelit. Ky rol përfshin një marrëveshje të dyfishtë me popullsinë, në termat e shfaqjes së tij si i angazhuar me çështje të tepruara (si mbivlerësimi i luftës mbi terrorizmin), ndërsa ai është aktualisht i fokusuar në çështje më kritike (ngjarjet që ndodhin pas skenës e që janë të vështira për t’u shpjeguar). Për të ruajtur interesin e Amerikës, Friedman miraton si të gjë të duhur atë që dikush mund ta quajë një amoralitet i shkolluar/dijshëm – të bësh atë që është e nevojshme për hir të ruajtjes të së mirave madhore. Ai argumenton mbi një territor të ndërmjetëm, mes realistëve dhe idealistëve, duke eliminuar të metat e të dy ekstremeve të tyre. Idealistët janë të keq-pajisur për të funksionuar në botën e vërtetë, ndërsa realistët e gjejnë veten e tyre të humbur, pa një busull morale udhëheqëse. Ekzekutim i pamëshirshëm me angazhim ndaj parimeve morale -kjo është zgjidhja që Friedman e miraton si atë të duhurën. Këtë metodologji ai duket se e zbaton edhe në punën e STRATFOR. Në këtë material do të përpiqemi që të bëjmë një “verifikim” të saktësisë së punë së tij. Pas një përshkrimi të shkurtër për librin e tij “Dekada e ardhshme” do të bëjmë retrospektivën e parashikimeve që ai ka zhvilluar për fillimin e dekadës, duke përdorur analizat e STRATFOR.
Dekada e ardhshme
Tashmë, është bërë një “best-seller” libri i fundit e Xhorxh Fridman (George Friedman) “Dekada e ardhshme (The next decade)”. Ky libër bën lidhjen mes, republikës, perandorisë dhe ushtrimit të pushtetit në dhjetë vitet e ardhshme. Ai është një libër shumë më personal se sa “100 vitet e ardhshme”, sepse Fridman ka trajtuar shqetësimin e tij më të madh, i cili është se fuqia e Shteteve të Bashkuara në botë do të minojë republikën. Kapitujt e librit “Dekada e ardhshme” e Friedman përbëjnë shtyllat e zhvillimeve globale në sferën e sigurisë dhe të transformimit të aktorëve kryesorë e SHBA-së. Këto kapituj janë: 1. Perandoria paparamenduar ; 2. Republika, Perandoria, dhe Presidenti makiavelik; 3. Kriza financiare dhe Shteti i rilindur; 4. Gjetja e ekuilibrit të energjisë; 5. Kurthi i terrorit; 6. Ripërcaktimi i politikës: rasti i Izraelit; 7. Prapësimi strategjik: SHBA, Irani dhe Lindja e Mesme; 8. Kthimi i Rusisë; 9. Kthimi i Europës në histori; 10. Përballja me Paqësorin Perëndimor; 11. Një hemisferë e sigurt; 12. Afrika: Një vend për t’u lënë vetëm; 13. Mos-balancimi teknologjik dhe demografik; 14. Perandoria, Republika, dhe dekada. Fridman shprehet: “nuk jam një person të cilit i pëlqen shmangia nga fuqia; e kuptoj se pa fuqi nuk mund të ketë republikë. Por pyetja që kam ngritur është se si duhet të sillen Shtetet e Bashkuara në botë teksa ushtrojnë fuqinë e tyre të ruajnë edhe republikën në të njëjtën kohë?” Ai i fton lexuesit që të marrin në konsideratë dy tema. E para është koncepti i perandorisë së padëshiruar. Fridman argumenton se Shtetet e Bashkuara janë bërë një perandori jo për shkak ata e kishin për qëllim këtë, por sepse historia ka punuar në këtë mënyrë. Çështja nëse Shtetet e Bashkuara duhet të jenë një perandori është e pakuptimtë. Ato janë një perandori. Tema e dytë, pra, ka të bëjë me menaxhimin e perandorisë dhe për Fridmanin pyetja më e rëndësishme pas kësaj, është nëse republika mund të mbijetojë. Shtetet e Bashkuara u themeluan si kundërshtim i imperializmit britanik. Është ironike dhe në shumë mënyra e tmerrshme, se ajo që themeluesit krijuan, të përballet tani me këtë dilemë. Mund të ketë pasur dalje nga ky fat, por këto dalje nuk ishin të përshtatshme. Kombet bëhen ata që janë nëpërmjet kufizimeve historike dhe historia ka shumë pak sentimentalizëm kur është fjala për ideologji apo preferenca. SHBA janë ata që janë. Nuk është e qartë nëse republika do të mund të përballojë presionin e perandorisë, apo nëse Amerika do të mund të mbijetojë ndaj një mos-menaxhimi të perandorisë. E thënë ndryshe, a mundet që menaxhimi i një perandorie të bëhet në përputhje me kërkesat e një republike? “Kjo është vërtet e paqartë për mua. Shtetet e Bashkuara do të jenë një forcë e fuqishme në botë gjatë kësaj dekade të ardhshme dhe për shekullin e ardhshëm po ashtu, por unë nuk e di se çfarë lloj regjimit do të ketë,” – thotë Fridman.
Ai është në mënyrë të fuqishme në favor të republikës. Ka kaluar një pjesë të madhe të kohës duke menduar për marrëdhëniet mes perandorisë e republikës dhe përfundimi i vetëm që ka arritur është se në qoftë se republika duhet të mbijetojë, institucioni i vetëm që mund ta ruajë atë është presidenca. Kjo është pak e çuditshme për tu thënë, duke ditur se presidenca është në shumë mënyra më perandorakja e institucioneve amerikane (ai është institucioni i vetëm mishëruar në një person të vetëm). Megjithatë, në njëjtën kohë ajo është më demokratikja, duke qenë se presidenca është organi i vetëm për të cilin njerëzit, si një e tërë zgjedhin një udhëheqës të vetëm të fuqishëm. Në mënyrë që të kuptohet qartë kjo zyrë, ai sheh tre presidentët që përcaktojnë madhështinë amerikanë. I pari është Abraham Linkolni, i cili e shpëtoi republikën. I dyti është Frenklin Ruzevelt, i cili i dha Shteteve të Bashkuara oqeanet e botës. I treti është Ronald Regan, i cili minoi Bashkimin Sovjetik dhe përgatiti terrenin për perandorinë. Secili prej tyre ka qenë një njeri thellësisht moral … i cili ishte përgatitur për të gënjyer, për të shkelur ligjin dhe të tradhtonte parimet në mënyrë që të arrinte këto qëllime. Ata mishëronin paradoksin e asaj që Fridman e quan presidenca Makiaveliane, një institucion që, në të mirë të vet, koordinon hipokrizinë dhe drejtësinë, në mënyrë që të shpengojë premtimin ndaj Amerikës. Fridman nuk mendon se të jesh i tillë, është një gjë e thjeshtë, e as që fuqia është thjesht mishërim i qëllimit të mirë. Tema e këtij libri, e shpërndarë në rajone të botës, është se drejtësia vjen nga fuqia dhe se fuqia është e mundur vetëm nga një shkallë dhembshurie që shumica prej nesh nuk mund të pranojnë. Tragjedia e jetës politike është konflikti mes limitit të qëllimeve të mira dhe nevojës për pushtet. Ndonjëherë herë kjo prodhon të mira. Kështu bëri në rastin e Linkolnit, Ruzeveltit dhe Reaganit, por për këtë nuk ka siguri në të ardhmen. Kjo kërkon madhështi. Gjeopolitika përshkruan se çfarë ndodh me kombet, por thotë pak për llojet e regjimeve që vendet do të kenë. Fridman është i bindur se derisa ne të mos kuptojmë natyrën e pushtetit dhe të zotërojmë artin e sundimit, ne nuk mund të jemi në gjendje që të zgjedhim drejtimin e regjimit tonë. Prandaj, nuk ka asgjë kontradiktore nëse thuhet se Shtetet e Bashkuara do të dominojnë shekullin e ardhshëm dhe ndërkohë mund të humbasin shpirtin e tyre të republikës. “Nuk jam i bindur nëse perandoria vlen sa çmimi i republikës. Nuk jam gjithashtu i bindur nëse historisë i bëhet vonë për atë që më bëhet mua, apo që mendojnë të tjerët,”-thotë Fridman. Libri tij, shikon çështjet, mundësitë dhe sfidat e dhjetë viteve të ardhshme. Do të formohen aleanca surprizë, do të zhvillohen tensione të papritura dhe rrymat ekonomike do të rriten e do të bien. Një dekadë interesante shtrihet përpara.
Retrospektiva: a janë të sakta e parashikimet gjeopolitike?
Më poshtë do të shohim disa parashikime për ngjarjet fillestare të dekadës. Parashikimi vjen nga Fridman dhe kompania e tij STRATFOR. STRATFOR, një kompani inteligjence amerikane e themeluar në vitin 1996 nga George Fridman, duke ndjekur zhvillimet globale në një mënyrë të gjithanshme, e duke i analizuar ato në mënyrë objektive i lejon vetes që të bëjë prognozën e zhvillimeve ndërkombëtare për vitin 2011. Që në fillim të këtyre parashikimeve të tërheq vëmendjen fakti se përgatitjet që Uashingtoni, Moska, Pekini bëjnë për të ndryshuar lidershipin e tyre në mes shumë kryeqyteteve të tjera në botë, në vitin 2012, padyshim që shoqërohet me pasiguri që do të ndikojë në zhvillimet e këtij viti që sapo kemi hyrë. Një nga çështjet kryesore gjatë vitit 2011 do të jetë Iraku. Shtetet e Bashkuara zyrtarisht do të tërheqin trupat e tyre nga Iraku në fund të këtij viti duke nxjerrë në pah një tablo tjetër të balancës së fuqisë rajonale. Tërheqja e SHBA nga Iraku do të thotë se Irani mbetet një fuqi e vetme në rajon, duke e lënë Irakun të ekspozuar përballë dominimit iranian. Ky ndikim do të fillojë të ndjehet edhe tek sauditët si dhe tek qeveritë e tjera arabe, të cilat do të jenë të detyruara të akomodohen me një Iran të fuqishëm. Në fund të fundit kjo do të çojë në dhënien fund të balancës së fuqisë në rajonin e Gjirit, diçka që SHBA vështirë se mund ta pranojnë. Por për SHBA ka një rrugë, atë të një qetësimi të situatës me Iranin mbi bazën e interesave të përbashkëta, rrugë e cila nuk mund të jetë shumë publike. Sidoqoftë pritet të ketë një rritje të diskutimeve SHBA-Iran këtë vit drejt këtij qëllimi. Ndërsa tërheqja e SHBA nga Iraku e lë rajonin në një disbalance fuqie, Kina po lufton me pabarazitë e saj ekonomike. STRATFOR, ka kohe në fakt që ka parashikuar dobësitë e ekonomisë kineze. Realiteti është se një mrekulli ekonomike që vazhdon të jetë e mrekullueshme, ka shumë të ngjarë se është në fund të garës së saj. Kriza globale ekonomike ka zbuluar dobësitë e modelit kinez me bazë eksportin. Ndërkohë që investimet e qeverisë tani përbëjnë pjesën më të madhe të ekonomisë kineze, Pekini është duke ecur në një rrugë shumë të vështirë midis inflacionit të shfrenuar dhe ngadalësimit të rritjes ekonomike. Udhëheqësit kineze janë duke u përpjekur të gjejnë një zgjidhje që të shmangë pasojat sociale, njëkohësisht ata janë fokusuar gjithashtu në tranzicionin tjetër të madh të gjeneratave të udhëheqjes, planifikuar ta fillojnë nga 2012 e në vijim. Kjo gjë dekurajon çdo politikë radikale apo të guximshme ekonomike dhe stabiliteti do të mbetet kali i betejës për politikanët. Por duke pasur parasysh gjendjen e ekonomisë kineze dhe efektet e vazhdueshme ndërkombëtare të ngadalësimit global, politikat e guximshme dhe idetë janë ndoshta ajo që Kina ka nevojë. Ndërsa Pekini ka të ngjarë të shtyjë për më vonë bërjen e ndonjë ndryshimi rrënjësor në politikat ekonomike, duke shmangur kështu kaosin e mundshëm afat-shkurtër që kjo mund të sjellë si dhe vonesat në veprimet e lidershipit. Ndërkohë, Rusia do të vazhdojë të përpiqet për të rrokullisur ndikimin e SHBA-ve në Euroazi dhe të ngrejë rolin e saj. Rusia ka përfunduar afrimin e saj në kufijtë e ish-Bashkimit Sovjetik, me përjashtim të dukshëm të shteteve baltike dhe në një masë më të vogël në Kaukaz. Moska tani është mjaft e sigurt për të hedhur hapat që duken më pajtues. Kjo strategji e re do të ndikojë në të gjitha marrëdhëniet e saj nëpër botë, por do të jetë efektive edhe përtej sferës ish-sovjetike të saj dhe në Evropë – ku Shtetet e Bashkuara kanë qenë dominuese që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Fokusi i Rusisë, këtë vit është të influencojë mbi shtete si vendet baltike dhe të krijojë marrëdhëniet e saj të forta me Gjermaninë. Moska e di se koha e saj për të vepruar lirisht po kalon pasi SHBA po përfundojnë disa prej angazhimeve të tyre në Lindjen e Mesme, por Moska do të jetë në kërkim të pozicionit të saj elitë, ndërkombëtarisht, përpara zgjedhjeve të vitit 2012.
Lindja e Mesme/ Azia Jugore
Çështja më e rëndësishme në Gjirin Persik është se në ç’shkallë Shtetet e Bashkuara do të tërheqin forcat e tyre nga rajoni. Kjo çështje përcakton realitetin gjeopolitik të rajonit. Përveç SHBA, fuqia më e madhe ushtarake në rajonin e Gjirit Persik është Irani. Pavarësisht nëse Irani kërkon ose nuk kërkon armë bërthamore, ajo është fuqia kryesore konvencionale. Pyetja që shtrohet nga Friedman është: a duhet që SHBA të heqë të gjitha forcat efektive ushtarake nga Iraku dhe të kufizojë forcat e saj në Kuvajt? Nëse ndodh kjo dy gjëra mund të parashikohen: së pari, Iraku do të bjerë nën dominimin iranian; së dyti, shtetet në Gadishullin Arabik do të duhet të akomodohen me ekuilibrin e ri të forcës, duke bërë lëshime në interes të Iranit. A duhet që SHBA të mos tërheqë forcat e saj nga rajoni? Në këtë rast Irani do të fillojë operacionet guerile kundër forcave amerikane, duke përdorur surrogatet e tij në Irak. Kjo do të shkallëzojë numrin e të vrarëve në Irak. Presioni mbi Shtetet e Bashkuara nga Arabia Saudite dhe aleatët e saj për të mos u tërhequr nga Iraku do të jetë gjithnjë në rritje, kështu që Shtetet e Bashkuara do të mbajnë forca të mjaftueshme në Irak për të bllokuar Iranin. STRATFOR pret që kjo do të çojë në paqëndrueshmëri të madhe në Irak, por Shtetet e Bashkuara do të jenë të përgatitura ta paguajnë këtë çmim. Duke pasur parasysh se Shtetet e Bashkuara nuk do të tërhiqen plotësisht megjithatë ato nuk do të nisin një goditje të madhe ushtarake nëse nuk shtyhen nga rrethana të paparashikuara. Më shumë ka të ngjare që SHBA të arrijnë deri në Iran qoftë në qeveri apo fraksione të rëndësishme brenda saj për të arritur disa lloj garancish për interesat e SHBA në Gjirin Persik dhe interesat e Iranit në Irak. Këto bisedime ka të ngjarë të jenë një vazhdim i bisedimeve sekrete të mbajtura në të kaluarën dhe në qoftë se do të arrihet një marrëveshje, ajo mund të jetë informale, në mënyrë që të minimizojë pasojat politike në të dy vendet. Në Turqi, viti 2011 është një vit zgjedhor, me zgjedhjet parlamentare të planifikuara për në qershor. Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) ka gjasa të humbasë zgjedhjet e përgjithshme, por votimi do të nxjerrë në pah ndarjen bazë laike-fetare brenda Turqisë. AKP-ja në 2011 do të punojnë drejt një politikë të jashtme më koherente duke u përpjekur për të mësuar nga përpjekjet e fundit që dhanë rezultate të papritura. Egjipti e fillon vitin me liderin e sëmurë 82-vjeçar, me presidentin egjiptian Hosni Mubarak, që ka një mosmarrëveshje rreth transferimit të pushtetit. Fraksione të ndryshme – si Partia Demokratike Kombëtare e tij dhe ushtria – nuk bien dakord se kush do të mundet të sigurojë më mirë vazhdimësinë e pushtetit të Mubarakut, i cili nuk mundet që të vazhdojë më tej. Një tjetër komplikacion është se zgjedhjet presidenciale janë planifikuar për në shtator, dhe kjo nuk është e qartë nëse Mubarak do të kandidojë për një mandat tjetër. Ndërsa elemente të ndryshëm që përbëjnë qeverinë janë duke u përpjekur për të arritur një konsensus sa më të gjerë për të arritur në postin e pasuesit. Disa forca politike dhe militantë aktiv në Egjipt do të përpiqen për të përfituar nga rasti historik që paraqet tranzicioni. Ndërsa kundërshtarët e regjimit që kërkojnë të ndryshojë nëpërmjet mjeteve kushtetuese dhe ata që preferojnë metodat ekstra-kushtetuese, nuk janë të organizuar, përçarjet brenda qeverisë krijojnë dobësimin e Egjiptit, ku ndryshimi i regjimit në këtë të fundit, do të ketë implikime të thella për rajonin dhe më gjerë. Në Izrael, shqetësimet kryesore mbeten ato rreth Hezbollahut, kërcënimi më serioz me të cilin përballet Izraeli. Por Hezbollahu është i fokusuar në çështjet e Libanit dhe Siria ka interesat e veta në rrezik, kështu që në vitin 2011, nuk ka gjasa për tjetër luftë Izrael-Hezbollah. Në Gaza, krahun jugor të Izraelit, gjërat nuk janë mjaft të qëndrueshme. Hamasi ka një interes në mbajtjen e një armëpushimi afat-shkurtër me Izraelin, por presioni nga konkurrenca e lëvizjeve islamike dhe përpjekjet e vazhdueshme të Izraelit për të parandaluar forcimin e Hamasit ka të ngjarë që brenda vitit të çojnë në një përplasje, edhe pse jo si ajo në vitet 2008-2009. Në Afganistan, (ISAF), pati disa suksese në vitin 2010, por mund të pritet më shumë në vitin e ardhshëm. Megjithatë, ISAF nuk ka as trupat dhe as forcën për të mundur talebanët përmes mjeteve ushtarake. Suksesi apo dështimi i strategjisë kundër kryengritësve nuk qëndron vetëm në faktin e shkatërrimit ushtarak të talebanëve, por edhe në aftësinë për të detyruar talebanët që tq negociojnë në një shkallë të pranueshme politike. Disa lëvizje drejt një zgjidhje, të negociuara këtë vit, janë të mundshme dhe Pakistani do të përpiqet që të shtyjë Uashingtonin drejt bisedimeve (me shpresë se Islamabadi do të jetë në gjendje për të ndikuar në rezultatin përfundimtar të këtyre bisedimeve), por një zgjidhje e plotë gjatë vitit 2011, duket e pamundur në këtë pikë.
Ish-Bashkimi Sovjetik
Konsolidimi i ndikimit të Rusisë në ish-vendet e Bashkimit Sovjetik është pothuajse në përfundim të plotë dhe në vitin 2011, Moska do të ndihet më e sigurt në pozicionin e saj për të kaluar nga një politikë e konfrontimit me Perëndimin në një përpjekje për angazhim e bashkëpunim qoftë edhe pjesërisht. Rusia do të luajë një lojë të dyfishtë, për të përfituar nga marrëdhëniet e ngrohta me disa vende për shkak të lidhjeve ekonomike si dhe duke i mbajtur nën presion për arsye politike. Marrëdhëniet më komplekse do të jenë me Shtetet e Bashkuara, për shumë çështje të mbetura të pazgjidhura mes dy fuqive. Megjithatë, Rusia e di se Shtetet e Bashkuara janë ende në Lindjen e Mesme dhe Azinë Jugore, kështu që nuk ka nevojë për një shtytje në mënyrë të njëanshme agresive mbi Uashingtonin. Marrëdhëniet më produktive do të jenë me Gjermaninë. Moska dhe Berlini do të forcojnë lidhjet e tyre politikisht, ekonomikisht dhe financiarisht në vitin 2011. Por, ashtu si gjatë gjithë historisë, mes tyre ekziston mosbesimi reciprok, çka do t’i bëjë të përgatiten për t’i bërë presion njeri-tjetrit, përtej vitit 2011. Strategjia e Moskës për të ndikuar në ish-republikat e BS do të jetë e qartë. Në vitin 2010, Rusia ka konsoliduar kontrollin e vet mbi Bjellorusinë, Ukrainën, Kazakistanin dhe Kirgistanin, duke rritur ndikimin e saj mbi Armeninë dhe Taxhikistanin. Rusia e di se ajo i dominon gjerësisht këto vende dhe tani mund të lëvize më lirisht brenda dhe jashtë tyre e do t’u lejojë kështu, më shumë liri veprimi këtyre shteteve, me gjithë kufizimet që ajo u vendos. Ka ende tre rajone në të cilat Rusia nuk e ka vendosur ndikimin e saj që ajo të jetë më e sigurt: Moldavia, me mendim të pavarur shtetet e Kaukazit; Gjeorgjia dhe Azerbajxhani dhe vendet baltike. Për këtë arsye, Rusia është duke shikuar marrëdhëniet me Moldavinë e duke lënë për më tej ato me Gjeorgjinë. Strategjia e Rusisë ndaj Baltikut po ndryshon dhe Moska është duke u përpjekur për të shikuar rrugën e saj me secilën prej shteteve baltike në nivele të shumëfishta politike, ekonomike, financiare dhe shoqërore. Rusia e di se ajo nuk do të jetë në gjendje për të tërhequr këto vende larg pre aleancës së tyre në NATO apo Bashkimin Evropian, por ajo do të ketë ndikim në politikën e tyre të jashtme. Rusia do të jetë më e suksesshme në këtë strategji të re në shtetin Baltik të Letonisë dhe në një shkallë më të vogël në Estoni, ndërsa Lituania do të jetë më e vështirë. Brenda vendit, Rusia është duke u përgatitur për zgjedhjet parlamentare në fund të vitit 2011 dhe zgjedhjet presidenciale të parashikuara në 2012. Këtë herë, Putin ka treguar se pushteti tij mbi Kremlin është mjaft i fortë dhe se ai nuk do të ketë shumë nevojë, për të ndërruar figura kyçe në politikën ruse. Nga ana tjetër mbetet për t’u parë nëse mbështetësit e Presidentit Medvedev do të kërkojnë t’u shpëtojnë “kthetrave” të Putinit. Një gjë është e sigurt, se pavarësisht nëse Putin do të garojë për president apo do të mbetet kryeministër, kontrolli i tij mbi Rusinë mbetet i sigurt. Në katër shtetet e Azisë Qendrore, do të intensifikohen tendencat për një mungesë stabiliteti dhe mundësie të përfshirjes në një ose më shumë kriza. Në Kazakistan e Uzbekistan, liderët e tyre përpiqen që të mbajnë apo të fitojnë pushtetin. Në Kirgistan dhe Taxhikistan, problemet etnike e fetare janë tensionuar dhe ato mund të kthehen në të dhunshme. Kjo situatë është përkeqësuar nga kthimi i militantëve të cilët e kanë luftuar në Afganistan për tetë vitet e fundit. Të dy vendet i kanë bërë thirrje Rusisë që të stabilizojnë situatën e tyre të sigurisë. Moska do të përdorë këto kërkesa për të rritur praninë e saj ushtarake në rajon, por do të qëndrojë larg nga përfshirja e drejtpërdrejte në luftime. Në këto katër shtete, për menaxhimin e situatës Rusia mbetet një faktor shumë i rëndësishëm. Në vitin 2011, Moska do të sigurojë një influencë politike apo prani ushtarake në mënyrë që të ruajë dominimin në rajon.
Ekonomia globale
Në mbyllje të parashikimeve për mjedisin e ardhshëm të sigurisë, bazuar në interpretimet e George Friedman, do të mbyllim këtë cikël të shkurtër shkrimesh me disa parashikime mbi ndikimin e ekonomisë në çështjet e sigurisë. Ekonomia Globale – Në vitin 2011, Shtetet e Bashkuara do të përjetojnë një moment ndryshimi nga një rritje e moderuar drejt nje rritje të fortë. Ndryshe nga ekonomitë e tjera të mëdha, fusha e konsumit përbëhet nga pjesa më e madhe e sistemit amerikan – rreth 10 trilon $ të totalit 14 trilon $. Pjesa prej 10 trilon $ është afërsisht sa gjysma e konsumit të tregut global. Shtetet si Brazili, Rusia, India dhe Kina së bashku, llogariten në më pak se një të tretën e kësaj shume. Si të shkojë konsumi amerikan, kështu shkon edhe bota.
Për të matur çfarë konsumi do të ketë SHBA, STRATFOR bazohet në tre grupe të dhënash: papunësia (tendencën aktuale të punësimit), shitjet me pakicë dhe ndërtimin. Në fillim të 2011 dy shifrat e para duken të favorshme për rritjen ekonomike, ndërsa e fundit tregon se punësimi mund të shërohet ngadalë. Ndërsa SHBA janë duke ecur drejt një rritje, kjo nuk ndodh në ekonomitë e vendeve të tjera të botës. Evropa përballet me një problem strukturor. Euro është projektuar nga gjermanët, të cilët duan një monedhë të fortë dhe me norma të larta interesi për të mbajtur inflacionin nën kontroll dhe për të tërhequr kapitalin e kërkuar. Në të kundërt, europiano-jugorët, kanë ekonomi që nuk shtojnë vlerën. Ata duhet të mbajnë çmime konkurruese për të gjeneruar rritje. Megjithatë, këto ekonomi (dhe të tjerat) janë të ngatërruara në zonën euro. Kriza financiare është dëshpëruese për euron, e cila normalisht do të ndihmojë shtetet europiano-jugore. Prania e Gjermanisë në eurozonë është duke vepruar si një lloj jeleku shpëtimi, duke mbajtur monedhën e përbashkët larg zhytjes. Rezultati do të jetë një rritje, e ekonomisë gjermane dhe një përpjekje e ekonomive të Europës jugore për të dalë nga recensioni. Si pasojë, kriza financiare, që filloi në Evropë në 2010 është larg përfundimit dhe parashikimi që STRATFOR bën, është se do të ketë edhe më shumë shtete që do të bashkohen me Greqinë dhe Irlandën në vitin 2011. Ndërsa ka pak lajme të mira për europianët, STRATFOR parashikon që sistemet që evropianët ngritën në vitin 2010 për të trajtuar krizën financiare do të provojnë sukses të mjaftueshëm për të menaxhuar krizat në Portugali, Belgjikë, Spanjë dhe Austri. Në Azi panorama është më e qartë. Japonia e ka hequr veten nga skena. Popullsia e Japonisë ka kohë që ka ulur shkallën e konsumit dhe pritet të ketë një tkurrje në vitet në vazhdim. Ekziston rreziku që Japonia të mbetet në izolim, për shkak se ekonomia e saj është më pak e ekspozuar në sistemin ndërkombëtar. Për fat të mirë për pjesën tjetër të botës, borxhi i Japonisë është mbajtur pothuajse tërësisht në vend. Në Kinë, gati çdo qeveri në tërë historinë e saj ka rënë nga trazira sociale të disa llojeve. Kohët e fundit, Pekini ishte i shqetësuar se mos përsëriten përsëri politikat stimuluese miratuar në fund të vitit 2008 që do të vinin në rrezik rritjen ekonomike dhe atë të punësimit. STRATFOR ka mësuar se, duke marrë parasysh këto rrethana, Pekini ka vendosur të mbajë të paprekur atë stimul. Kjo do të zgjidhë problemin e punësimit, por ajo vjen me çmim të caktuar të inflacionit të lartë. Sfida e Kinës në 2011 do të jetë ruajtja e shërbimeve të mjaftueshme dhe subvencioneve për të mbajtur forcat shoqërore në kontroll, në një kohë kur modeli ekonomik i vendit do të përkeqësoje problemet inflacioniste. Vitet 1990 ishin koha e fantazisë dhe një nga fantazitë ishte se Rusia ishte kishte përfunduar, se ajo kurrë nuk do të rishfaqej përsëri. Një fantazi më e re është se Rusia ka një popullsi në rënie dhe për këtë arsye ajo nuk mund të jetë një fuqi e madhe. Rusia ka qenë gjithmonë një rast shporte-ekonomike, për të paktën 200 vitet e fundit, por fuqia e saj ushtarake dhe politike e ka tejkaluar shumë atë ç’ka mund të bëjnë vendet e tjera. Dhe Rusia, sigurisht që është rishfaqur. Në këtë kohë, Gjermania është duke rishqyrtuar marrëdhëniet e saj me Bashkimin Europian. Bashkimi Europian ka qenë një institucion tej mase i përshtatshëm për prosperitet. Ai, për fat të keq, nuk ishte i projektuar mirë për kriza. Dhe në rrënjët e tij ishte një kontradiktë. Vendet në zhvillim duhet të drejtojnë bilance pozitive të tregtisë. Ata duhet të përfitojnë nga rrogat e tyre të ulëta, në mënyrë që të ndërtojnë ekonomitë e tyre duke eksportuar. Bashkimi Evropian është ndërtuar rreth një Gjermanie e cila është vendi eksportues i dytë më i madh në botë. Dhe në këto marrëdhënie, gjermanët thjesht trullosin aftësitë e zhvillimit të këtyre vendeve të tjera që shtyhen para me bilanc negativ të pagesave me ta. Shtetet e Bashkuara, në vitet 1950, forcuan Gjermaninë dhe Japoninë duke i lejuar ata që të mbrojnë tregjet e tyre, duke u dhënë atyre qasje të lirë në tregun amerikan. Kishte arsye politike për këtë, dhe kjo funksionoi, por në qoftë se Shtetet e Bashkuara nuk do të kishin bërë atë që bënë në vitin 1950 – atë që Gjermania ka bërë për pjesën tjetër të Europës tani – as Gjermani e as Japonia nuk do të ishin ringritur. Kundërshtia e ndërtuar brenda BE-së u shfaq gjatë krizës ekonomike. Ndodhën dy gjëra. Gjëja e parë që ndodhi ishte se vendet si Irlanda dhe Greqia e kuptuan se sovraniteti i tyre kombëtar, që ata e kishin fituar me gjak, ishte shumë në rrezik, dhe gjermanët kuptuan se në të vërtetë, ata nuk donin të paguanin për grekët. Ata me siguri që dëshironin të përmbysnin tregun grek me mallra gjermane, por nuk donin të jetonin me pasojat. Pra gjermanët janë duke parë përtej Europës dhe ata kanë një marrëdhënie me Rusinë. Në radhë të parë, ata janë të varur nga Rusia për importet e energjisë – që është absolutisht vendimtare për gjermanët. Së dyti, gjermanët duke pasur një mungesë popullsisë, nuk duan të marrin më shumë punëtorë turq, për arsye të dukshme, dhe kur ju nuk mund të sillni më shumë punëtorë, atëherë ju i çoni fabrikat tuaja aty ku punëtorët janë. Rusia, me gjithë popullsinë e saj në rënie, ka ende me tepricë krah pune, për shkak të mënyrës se si është e strukturuar ekonomia e tyre. Fabrikat gjermane janë duke u zhvendosur në Rusi, rusët kanë shumë nevojë për teknologji – kështu që ja tek është një marrëdhënie përfitimi të përbashkët mes tyre, shtuar faktin se asnjëra prej tyre nuk e pëlqen botën që po drejtojnë Shtetet e Bashkuara, dhe do të donin të formonin një koalicion për të bllokuar Shtetet e Bashkuara. Pra, ju jeni duke parë lindjen e një marrëdhënie gjermano-ruse të bazuar në interesa të përbashkëta në të gjitha nivelet. Sipas George Friedman ky do të jetë një element i rëndësishëm kyç i dekadës së ardhshme, natyrisht i zënë në mes të dy poleve… në vendin më të keq të mundshëm.