Bankat në Shqipëri rritin fitimet, po ku i çojnë paratë e shqiptarëve?

0
180

Blendi Hasani

bankatBankat kanë zgjedhur që paratë e kursimtarëve shqiptarë t’i depozitojnë me norma të ulëta kthimi në institucionet financiare jashtë vendit. Kredia, në nivelet më të ulëta të dekadës

 

Sistemi bankar në Shqipëri, dikur një ndër motorët kryesorë të rritjes në vend, nuk po i kanalizon kursimet e qytetarëve e bizneseve të këtij vendi në dobi të ekonomisë. Ritmet e shtimit të huasë gjatë 9 muajve të këtij viti kanë qenë më të ulëtat e dekadës së fundit dhe investimet në blerjen e bonove të thesarit kanë rënë, sipas statistikave zyrtare të Bankës së Shqipërisë. Në kushtet kur rreziku i investimeve në vend perceptohet i lartë, bankat po preferojnë t’i depozitojnë paratë e tyre në institucionet financiare jashtë vendit edhe përkundrejt një norme kthimi shumë të ulët.
Nga ana tjetër, ndonëse kreditë me probleme kanë arritur në nivele rekord në fund të nëntëmujorit 2012, në vlerë absolute ritmet e rritjes së huasë, që nuk kthehet në afat, janë ngadalësuar përgjatë këtij viti, duke bërë që bankat të përmirësojnë rezultatet e tyre financiare. Një proces që ka përfshirë të gjitha bankat këtë vit, me “ristrukturime” apo “riklasifikime” të portofolit të bartur të huave me probleme ka ndikuar gjithashtu që bankat të rrisin ndjeshëm fitimet e tyre për 9 mujorin në raport me një vit më parë.

Aktivet e sistemit bankar vijuan rritjen e qëndrueshme edhe në tremujorin e tretë të vitit 2012, duke u zgjeruar me 2.7% në raport me tremujorin e dytë 2012, për të arritur në 1.19 mijë miliardë lekë, sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Në raport me fundin e 2011-ës, aktivet e sistemit bankar u shtuan me 6.1%.
Burimi: Banka e Shqipërisë
Ndërsa sistemi po i gëzohet një rritjeje të qëndrueshme të depozitave, bankat vijuan dhe në tremujorin e tretë që të depozitojnë kursimet e shqiptarëve te “bankat, institucionet e kreditit dhe institucionet e tjera financiare”, kryesisht në formën e llogarisë rrjedhëse, pra me norma interesi shumë të ulëta, teksa 76% e shtesës së aktiveve në tremujorin e tretë ka ardhur pikërisht nga ky zë. Në krahasim me fundin e 2011-ës, vendosjet e bankave në institucionet e tjera financiare (kryesisht jashtë vendit) janë rritur me 45%, duke arritur në 14% të totalit të aktiveve, nga 10% që ishte kjo peshë në fund të vitit 2011.
Ndërkohë bankat kanë reduktuar ndjeshëm investimet në bono thesari, tendencë që ka vazhduar edhe gjatë tremujorit të tretë, ku investimet në bono thesari u ulën me 7.5% me bazë tremujore. Në vijim të udhëzimeve të mëmave, bankat me kapital perëndimor kanë ulur vazhdimisht ekspozimin në letrat me vlerë të qeverisë gjatë 9 muajve të vitit, duke e tkurrur atë me gati 12% në raport me fundin e 2011-s. Gjithsesi ritmet e rënies janë përgjysmuar në tremujorin e tretë 2012, në raport me tremujorin e mëparshëm, duke lehtësuar disi presionin mbi qeverinë, çka është reflektuar dhe në rënien e yield-it (interesit) të bonove të thesarit, që zbriti nën 7% që nga gushti.
Në gjashtë muajt e parë të vitit, sidomos në tremujorin e dytë, qeveria u vu në vështirësi për financimin e borxhit të brendshëm, teksa bankat, sidomos “Raiffeisen”, që zinte mbi 40% të tregut të bonove nuk investuan më në blerjen e letrave me vlerë të qeverisë, duke bërë që yield-i i bonove të thesarit të mbetej i lartë, pavarësisht politikës së vazhdueshme lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, që uli disa herë radhazi normën e interesit.
Në fund të 9-mujorit, pesha e investimeve në bono të sistemit bankar ndaj totalit të aktiveve zbriti në 8%, nga 10% që ishte në fund të 2011-ës.
Bankat nuk kanë qenë aktive as në kreditimin e ekonomisë. Huatë dhënë sektorit privat dhe individëve u rritën vetëm me 1% me bazë tremujore, duke reflektuar frenimin e investimeve dhe kërkesës për kredi nga bizneset e individët, stepjen e bankave, si rrjedhojë e rritjes së vazhdueshme të kredive të këqija (që e kanë kaluar 22%) dhe në tërësi ngadalësimin e ekonomisë vendase. Në krahasim me fundin e 2011-ës, zëri “hua dhënë sektorit privat dhe individëve” në aktivet e bankave u rrit me vetëm 2%, nga 10% që ishte rritja në periudhën përkatëse të një viti më parë.

Burimi: Shoqata Shqiptare e Bankave
Kredia, rritja më e ulët e dekadës së fundit

Në tetor, kredia për ekonominë arriti në 552 miliardë lekë, duke shënuar një ulje prej gati 1% në raport me një muaj më parë. Arsyeja kryesore e kësaj performance negative lidhet me tkurrjen e ndjeshme të kredisë për korporatat financiare, me rreth 2% me bazë mujore, kryesisht huasë në valutë dhënë për to, që ra me rreth 3%, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë.
Burimi: Banka e Shqipërisë
Për periudhën janar-tetor 2012, huaja për ekonominë është rritur me një vlerë minimale prej rreth 10 miliardë lekësh në raport me dhjetorin 2011, apo me gati 2%. Në raport me periudhat përkatëse të një viti më parë, ritmet e rritjes së kredisë për 10-mujorin 2012 janë gati pesë herë më të ulëta. Për periudhën janar-tetor 2011, huaja për ekonominë u zgjerua me rreth 47 miliardë lekë. Ritmet e rritjes së huasë për 10 muajt e këtij viti kanë qenë më të ulëtat e dekadës së fundit.
Burimi: Banka e Shqipërisë
Parashikimet e bankierëve në fillim të këtij viti ishin se ritmet e zgjerimit të kredisë do të përgjysmoheshin në raport me 2011-n, por teksa viti po mbaron, po rezulton se ritmet e rritjes së huasë janë më të ulëtat e dekadës së fundit. Disa nga arsyet e kësaj ecurie të dobët lidhen me:

  • ngadalësimin e ritmeve të rritjes së ekonomisë (nga 3% në 2011 në maksimumi 1% e pritshme për këtë vit);
  • frenimin e investimeve nga bizneset, si rrjedhojë dhe uljen e kërkesës së tyre për kredi;
  • stepjen e bankave, si rrjedhojë e shtimit të pasigurive për ecurinë e ekonomisë në vend, në një kohë që ekonomia evropiane ka hyrë në recesion
  • rritja e kredive të këqija në banka (22.7% në fund të shtatorit 2012) dhe problemet që po hasin institucionet financiare me ekzekutimin e kolateralit, janë një tjetër arsye që i kanë shtyrë bankat të frenojnë huadhënien për ekonominë.

Me bazë vjetore, kredia për ekonominë u rrit me 4% në fund të tetorit 2012. Një vit më parë, ky ndryshim ishte 15%.
Performanca negative ka ardhur si rrjedhojë e rënies së huasë në valutë, që është tkurrur me 3% me bazë vjetore, ndërsa ajo në lekë është zgjeruar me 17%. Si rrjedhojë, në fund të muajit tetor, pesha e huasë në lekë u rrit në 38%, nga 33% në tetor 2011.

Depozitat në rritje, por ngadalësohen ritmet

Ritmi i rritjes së depozitave është ngadalësuar ndjeshëm gjatë periudhës shtator-tetor, sipas statistikave të bëra publike nga Banka e Shqipërisë. Pas ngecjes në shtator, kur kursimet e shqiptarëve nëpër banka nuk u shtuan, ato u gjallëruan disi në tetor, por gjithsesi me ritme më të ulëta në krahasim me muajt e mëparshëm.
Në fund të muajit tetor, depozitat në sistemin bankar arritën në 932.8 miliardë lekë, duke shënuar rritje me 0.26% me bazë mujore. Ndryshe nga muajt e tjerë, ku zgjerimi i depozitave vinte pothuajse tërësisht nga kursimet në valutë, në tetor përmirësimi ka ardhur nga monedha vendase, ku shqiptarët kanë shtuar në banka rreth 2.28 miliardë lekë.
Burimi: Banka e Shqipërisë
Në krahasim me fundin e vitit 2011, depozitat në sistem janë rritur me rreth 6.6%. Një vit më parë, ky ndryshim ishte 10.4%, çka tregon se ngadalësimi i rritjes ekonomike po e jep ndikimin e vet dhe tek kursimet e shqiptarëve.
Për 10-mujorin, ecurinë më të mirë e kanë shënuar depozitat në valutë, të cilat janë rritur me 10% në krahasim me dhjetorin 2011, në një kohë që kursimet në monedhën vendase kanë performuar më dobët, me një zgjerim për të njëjtën periudhë prej 3.3%. Në fund të tetorit, leku dhe valuta ndanin pothuajse në mënyrë të barabartë kursimet e shqiptarëve.
Me bazë vjetore, në fund të muajit tetor 2012, depozitat në ekonomi u rritën me rreth 8%. Një vit më parë, ky ndryshim ishte 14%.

Huatë me probleme vijojnë rritjen

Huatë me probleme arritën në nivelin më të lartë që prej vitit 2000 (kur ato ishin 33%), kur u bë dhe pastrimi i sistemit bankar nga huatë me probleme të bankave shtetërore.
Në total, niveli i kredive me probleme ka arritur 22.7% në fund të tremujorit të tretë 2012, nga 21.17% që ishte në fund të tremujorit të dytë dhe 22.4% që rezultoi në fund të gushtit.
Sipas Shoqatës së Bankave, niveli i treguesit të huasë me probleme reflekton vështirësitë me të cilat përballet biznesi në kushtet aktuale ekonomike dhe ngadalësimin e ritmit të rritjes së kredisë.

 

Burimi: Shoqata Shqiptare e Bankave

Ndonëse raporti i kredisë me probleme ndaj totalit është rritur dhe si rrjedhojë e ngadalësimit të zgjerimit të huasë në total, edhe në vlerë absolute kreditë e pakthyera janë rritur me 23% në fund të tetorit 2012 në krahasim me fundin e 2011-s. Gjithsesi, ritmet e zgjerimit të kredisë me probleme në vlerë absolute kanë qenë më të ulëta për janar-tetor 2012, duke u rritur me rreth 24 miliardë lekë, nga rreth 33 miliardë lekë që u shtuan ato për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Huatë e humbura, që bankat nuk shpresojnë se do t’i rikuperojnë më, kanë arritur në një nivel rekord prej 7% të totalit të kredisë së sistemit, apo 280 milionë euro në fund të tremujorit të tretë, sipas BSH. Kredi të humbura quhen ato mbi 365 ditë vonesë, kur banka nuk ka më shpresa se mund ta marrë huanë për shkak se kreditori mund të ketë falimentuar, kredimarrësi mund të ketë vdekur dhe askush nuk mund të paguajë kredinë; banka ka nisur procesin e ekzekutimit të kolateralit, apo dhe kredia është ristrukturuar më shumë se dy herë dhe situata nuk ka ndryshuar.

Fitimet rriten, teksa shpenzimet për provigjionime ulen ndjeshëm

Mbajtja nën kontroll e shpenzimeve për provigjionime gjatë 9-mujorit 2012 ka bërë që sistemi bankar të trefishojë fitimet në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar në 3.1 miliardë lekë, ndërkohë që të ardhurat e sistemit nuk kanë shënuar rritje, madje janë tkurrur lehtë.
Gjatë periudhës 2009-2011, rritja e shpejtë e huave me probleme, çoi në një shtim të ndjeshëm të shpenzimeve për provigjionime (fondet rezervë për mbulimin e huave me probleme), të cilat gërryen fitimet e bankave, sidomos në vitin 2009 dhe 2011. Shpenzimet për provigjionime ishin vetëm 4.8 miliardë lekë për 9 mujorin 2012, nga 11.2 miliardë lekë, që rezultuan në periudhën përkatëse të një viti më parë (shih tabelën e të ardhurave e shpenzimeve të sistemit bankar).
Arsyeja kryesore e përmirësimit të rezultatit financiar të bankave duket se lidhet me një proces që ka përfshirë të gjitha bankat këtë vit, me “ristrukturime” apo “riklasifikime” të portofolit të bartur të huave me probleme, sipas të cilit një kredi që ka qenë në një kategori “të humbur” me provizionim 100% me një “ristrukturim” mund të klasifikohet në “nënstandarde” e të marrë një provizionim 20%. Ky veprim do t’i ulte provigjionimet e kësaj banke për 80% të kësaj kredie.

Burimi: Banka e Shqipërisë

Më pak investime në bono thesari

“Raiffesien Bank”, banka më e madhe në vend, ka reduktuar me 165 milionë euro, apo 15% investimin në letrat me vlerë të qeverisë në 9 muajt e 2012-s, në krahasim me fundin e vitit 2011, bënë të ditur statistikat e Shoqatës së Bankave për tremujorin e tretë të vitit.
Kjo sjellje erdhi pasi bankat mëmë të Evropës Perëndimore duhet të rrisnin raportin e kapitalit ndaj aktiveve të ponderuara me rrezik në 9% deri në fund të muajit qershor, çka u shoqërua me lëvizje, që konsistojnë në reduktimin e aktiveve që mund të konsiderohen me probleme, si huatë apo letrat me vlerë të qeverive dhe në degët e tyre.
Situata pritej të përmirësohet në gjysmën e dytë të vitit, pasi objektivi për arritjen e këtij treguesi është përmbushur nga bankat e Eurozonës, çka pritej të ulte presionin dhe në filialet e tyre në Shqipëri.
Megjithatë, ulja e ekspozimit të “Raiffeisen” ndaj letrave me vlerë të qeverisë ka vijuar dhe në tremujorin e tretë, me rreth 3.2% në raport me tremujorin e mëparshëm. Gjithsesi, tregu duket se ka qenë më i lehtësuar në periudhën korrik-shtator, çka është reflektuar dhe me uljen e interesave (yield-it) të bonove të thesarit gjatë këtij tremujori, për herë të parë gjatë vitit 2012. Yield-i i bonove 12- mujore është tkurrur ndjeshëm në tremujorin e tretë, duke zbritur nga 7.3% në rreth 6%.
Në total, bankat në Shqipëri i kanë rritur investimet e tyre në bono thesari me vetëm 1%, një rekord minimal ky i viteve të fundit, ku bankat përgjithësisht i ishin gëzuar vendosjes së parave në letrat me vlerë të qeverisë, që konsideroheshin me rrezik zero. Gjithsesi, ulja e ndjeshme e ekspozimit të “Raiffeisen” është arsyeja kryesore në këtë performancë.
Ajo që i ka ardhur në ndihmë qeverisë ka qenë BKT, e cila, teksa i është gëzuar një rritjeje të lartë të depozitave, ka investuar një pjesë të konsiderueshme të këtyre parave në blerjen e letrave me vlerë të qeverisë, duke i shtuar ato me 130 milionë euro në fund të shtatorit në krahasim me dhjetorin 2011. Diferenca tjetër prej rreth 30 milionë eurosh, e lënë zbuluar nga “Raiffeisen”, është mbuluar nga bankat e tjera.
Kreditimi, në dorë të bankave të vogla e të mesme

Ndryshe nga viti i kaluar, kur BKT dhe “Credins” mbanin peshën më të madhe të shtimit të kredisë, me rritje dyshifrore, këto dy banka kanë ulur ndjeshëm ritmet e zgjerimit, megjithëse mbeten sërish në krye të huadhënies. “Raiffeisen”, banka më e madhe në vend, pothuajse nuk e ka rritur stokun e huasë në raport me fundin e 2011-ës.
Ecuri pozitive këtë vit kanë shënuar bankat e mesme dhe të vogla, që kanë mbajtur një peshë të rëndësishme në huadhënien e ekonomisë, me ritme rritjeje dy shifrore.
“Societe Generale” ka vijuar që të jetë aktive edhe këtë vit, ndërkohë që nuk kanë mbetur prapa dhe “Union Bank”, “Veneto Banka”, “First Investment Bank”.
Bankat me kapital grek kanë vijuar të tkurrin stokun e huadhënies. Të njëjtën tendencë kanë pasur dhe “Intesa Sanpaolo Bank” dhe “Pro Credit”.
Depozitat, kryesojnë “Raiffeisen” e BKT

Rritja e kënaqshme e depozitave të sistemit bankar gjatë 9 muajve të këtij viti ka bërë që pothuajse të gjitha bankat të kenë mundësi të përfitojnë nga copa e tortës së depozituesve shqiptarë. Por rekordin e kanë mbajtur “Raiffeisen” dhe BKT, të cilët kanë arritur që të marrin më shumë se gjysmën e kursimeve të shtuara në sistem.
Aktive në tërheqjen e depozitave kanë qenë dhe “Credins Bank”, “Societe Generale”, “Union Bank” dhe “Veneto”.
Hapen vetëm 4 degë reja bankash

Bankat vijojnë që të mbeten të stepura në drejtim të zgjerimit të degëve. Nga të dhënat e Shoqatës së Bankave rezulton se janë shtuar në total në sistem vetëm katër degë të reja bankash gjatë 9 muajve të këtij viti (janë hapur tetë degë, ndërkohë që janë mbyllur katër). Ndërkohë, bankat kanë qenë më aktive në drejtim të punësimit, ku janë hapur rreth 120 vende të reja pune në sistem.

 

 

Lushnjë, qeveria investon për rikonstruksionin e rrugës Bubullimë – rruga nacionale

 

Qeveria shqiptare, nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ka nisur rikonstruksionin e plotë të segmentit rrugor që lidh autostradën Fier – Lushnjë me komunën Bubullimë dhe fshatrat përbërës të saj. Ky segment rrugor ishte lënë në harresë prej gati dy dekadash, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve, të kalimtarëve, por edhe tregtimin e produkteve të fermerëve të kësaj zone. Tashmë, me fondet e akorduara nga qeveria, ka nisur puna dhe shumë shpejt kjo rrugë do t’i bashkëngjitet inventarit të rrugëve me standarde bashkëkohore.
“Është një rrugë që do të lidhë një komunitet me rreth 8.500 banorë me qendrat urbane. Rruga është e standardeve bashkëkohore me gjerësi 5 m, e asfaltuar, me ndriçim, trotuare në të gjitha qendrat e banuara, si dhe sinjalistikën e duhur horizontale e vertikale”, deklaroi dje kryekomunari, Agim Stafa. Sipas tij, punimet do të shtrihen në një afat kohor prej 5 muajsh dhe do të përfundojnë në muajin maj.
Rikonstruksioni i këtij segmenti rrugor do t’i japë impakt pozitiv zhvillimit ekonomiko-shoqëror të zonës së Bubullimës, por dhe më tej. Kjo zonë ka resurse të shumta në fushën e bujqësisë, blegtorisë dhe agroturizmit.
Komuna Bubullimë shtrihet rreth 14 km në jug të qytetit të Lushnjës. Ajo ka nën administrim 7 fshatra, me një popullsi të përgjithshme rreth 8500 banorë. Komuna ka një reliev tërësisht fushor dhe shtrihet në një sipërfaqe rreth 2.950 ha.